TAGS-AT E JAVËS

Sport29 Qershor 2026, 13:15

Të shtëna në fan zone të Kupës së Botës në SHBA, një i vdekur dhe një në gjendje kritike

Shkruar nga Pamfleti

Të shtëna në fan zone të Kupës së Botës

Policia e San Joses po e heton ngjarjen si vrasje. Incidenti ndodhi në një zonë ku transmetoheshin ndeshjet e Kupës së Botës…

Një person humbi jetën në vendngjarje, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje kritike pas një incidenti me armë zjarri në një fan zone të Kupës së Botës në San Jose, Kaliforni, sipas Policisë së San Joses.

Ngjarja ndodhi në një hapësirë të njohur argëtimi të qytetit, ku transmetoheshin ndeshjet e turneut. Në momentin e të shtënave nuk po zhvillohej asnjë ndeshje, pasi takimi i vetëm i ditës së mëparshme, më 28 qershor, mes Afrikës së Jugut dhe Kanadasë kishte përfunduar.

"Njëra viktimë u shpall e vdekur në vendngjarje. Personi i dytë u transportua në një spital lokal me plagë të rënda", deklaroi Policia e San Joses.

Autoritetet po e trajtojnë çështjen si një rast vrasjeje. Disa rrugë përreth zonës mbeten të bllokuara për të lehtësuar hetimet.

Rajoni i Bay Area ka pritur deri tani pesë ndeshje të Kupës së Botës. Pas incidentit, në zonë u dislokuan forca të shumta policie. Dëshmitarët raportuan se disa automjete policie mbërritën menjëherë në vendngjarje, ndërsa një i plagosur u largua me barrelë drejt spitalit.

Policia rrethoi zonën dhe shumica e lokaleve në lagje qëndruan të mbyllura.

Një punonjëse e sigurisë, e cila kërkoi të mbetet anonime, tha se e pa të plagosurin pak minuta pas ngjarjes.

"Ai ende rënkonte nga dhimbjet. Kishte gjak rreth qafës dhe në pjesën e sipërme të shpinës, ndërsa policët po merrnin dëshmi nga personeli i sigurisë dhe dëshmitarët okularë", deklaroi ajo.

Hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes vazhdojnë.

 

kupa e botes shba krime

Lini një Përgjigje