Dosja e zezë 2 Prill 2023, 16:01

A po afrojnë prangat për familjen Meta? Iliri dhe Monika me 6 dosje në SPAK

Shkruar nga Pamfleti
A po afrojnë prangat për familjen Meta? Iliri dhe Monika me 6 dosje
Meta dhe Kryemadhi në SPAK

Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij rezultojnë se janë politikanët me më shumë dosje në SPAK...

Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit ka filluar t’u dridhet toka nën këmbë. Gjithë jetën të dy kanë qenë rrogëtarë shteti, por ama sot figurojnë me vila, dublex e dhjetra apartamente. Në 30 vite, si ILDKP ashtu dhe prokuroria kurrë nuk i hetuan për pasuritë e tyre të dyshimta. I vetmi rast kur prokuroria guxoi ishte ai i vitit 2011, kur Meta u kap me presh në duar me Dritan Priftin, por atëherë ishte Gjykata e Lartë që e shpëtoi.

Por duket se telashet janë rikthyer. Meta dhe bashkëshortja e tij rezultojnë se janë politikanët me më shumë dosje në SPAK. Paditë ndaj tyre kanë qenë të shumta dhe deri më tani janë regjistruar plot 6 padi.

Dosja e cila tremb më shumë Metën është padyshim ajo e aferës CEZ-DIA. Ndaj tij ka pasur një padi nga juristi Romeo Kara dhe SPAK pak ditë më parë e mori dhe në pyetje. Deri më tani janë mbledhur prova dhe dëshmi që rëndojnë pozitat e Ilir Metës.

Një dosje tjetër që po hetohet është ajo e lobimeve në SHBA. Dyshimet janë se kur Meta ishte kryetar i LSI ka shpenzuar afro 500 mijë dollarë për lobime në SHBA, para që nuk janë deklaruar askund. Madje kjo shumë ka shumë mistere se nga e ka prejardhjen.

Po ashtu SPAK po heton Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin për ndërhyrjet e shumta estetike. Faturat e publikuara tregojnë se ata kanë shpenzuar afro 300 mijë euro për dobësim dhe ndërhyrje të tjera, pro që nuk janë deklaruar në ILDKP shumat në fjalë.

Ndaj tyre ka dhe dy padi, një për fshehje pasurie dhe një për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Padi të bëra nga ish-deputeti Halit Valteri dhe gazetari Adriatik Doçi.

Ndërkohë dy ditë më parë ishte po Halit Valteri që bëri një padi për dokumentet që po qarkullojnë kohët e fundit se Monika Kryemadhi ka marrë para nga rusët. Janë shumë dokumente dhe shumë fatura bankare që kanë mjaft pikëpyetje. Kryemadhi flet për falsifikime, por populli thotë se “ku ka zë nuk është pa gjë”.

Tani topi duket se është në duart e SPAK. Nëse prokurorët do kenë kurajo dhe guxim, Meta dhe Kryemadhi mund ta gjejnë veten në bangën e të akuzuarve.

Dosjet e Ilir Metës dhe Kryemadhit

-Afera CEZ-DIA, i paditur Meta

-Afera me lobimet në SHBA, i paditur Meta

-Dosja e ndërhyrjeve estetike, kallëzuar edhe Monika Kryemadhi

-Të paditur për fshehje pasurie

-Ilir Meta, i paditur për korrupsion dhe shpërdorim detyre

-Kryemadhi e paditur për paratë e marra nga oligarkët rusë.

/Pamfleti

meta kryemadhi spak dosje padi