Bastet ilegale janë një motor që ka fuqizuar ekonomikisht krimin e organizuar dhe ka krijuar një rrjet të tërë pastrimi parash që ushqen të njëjtat struktura si trafiku i drogës që goditi Prokuroria e Posaçme. Dosja që ka zënë pluhur në sirtaret e SPAK
Janë rrëzuar kartelet e kokainës, janë sekuestruar pasuri me vlerë qindra milionë euro dhe janë mbyllur call center-at mashtrues, por bastet ilegale vazhdojnë të punojnë hapur në mes të Tiranës pa u prekur nga asnjë operacion. Ndërsa SPAK dhe policia festojnë goditjet historike kundër krimit të organizuar, një treg gjysmë miliardi eurosh rritet çdo ditë pa taksa, pa licencë dhe pa asnjë lloj përgjegjësie. Shteti ka treguar se di të godasë, ka infiltratorë dhe kapacitete hetimore, por kur vjen puna te bastet, gishti nuk shtypet kurrë.
Faqet online mbyllen nga AKEP dhe rihapen brenda orëve me adresa të reja, ndërsa pikat në lagje punojnë çdo ditë sikur të mos kishte asnjë ligj që i ndalon. Emrat e pikave të basteve që operojnë pa licencë janë të njohur për të gjithë dhe mund të gjenden kudo në kryeqytet: "333", "CR7", "B3T", "03", "Arena", "Modig", "Trodo Caffe", "Fair Play Bast", "Barcelona", "Viena" dhe "Reali". Këto subjekte funksionojnë hapur, në cepa pallatesh dhe në telefona, pa u shqetësuar nga asnjë aksion i ngjashëm me ata që rrëzuan trafikantët dhe mashtruesit.
Historia e këtij dështimi nis në tetor të vitit 2018, kur Kuvendi miratoi ligjin që ndaloi totalisht lojërat e fatit me efekt nga 1 janari 2019, duke mbyllur 4.214 pika bastesh në të gjithë territorin përmes aksionit të quajtur "Fundi i Marrëzisë". Kryeministri premtoi atëherë se asnjë qepen nuk do të ngrihej më për baste, por pesë vjet më vonë, në mars 2023, ai vetë e pranoi dështimin me fjalët "nuk kemi mundur ta ndalim" dhe njoftoi rikthimin e basteve sportive vetëm online me argumentin se formalizimi ishte më efektiv se lënia në të zezë. Ky premtim u kthye në ligj në vitin 2024, por dy vjet më pas, ai ligj mbetet i pajetë, pasi aktet nënligjore nuk janë miratuar ende.
Rezultati është një boshllëk i rrezikshëm, pasi Shqipëria nuk e ka më tregun e ndaluar plotësisht si në vitin 2019, por nuk ka ende as tregun e licencuar dhe të monitoruar që i premtoi ligji i vitit 2024. Mes këtyre dy gjendjeve rrjedh e gjithë paraja në të zezë, duke i kaluar buxhetit të shtetit 80 deri 100 milionë euro në vit nga taksat e munguara, ndërsa qarkullimi i përgjithshëm i këtij tregu mund të shkojë deri në 500 milionë euro në vit. Një gungë parash që nuk shkon për shkolla dhe rrugë, por për kulla, resorte, bare, restorante dhe hotele, duke treguar se bixhozi nuk ka qenë thjesht lojë, por burim pasurish për ata që e mbrojnë.
Kush përfiton nga vonesa dyvjeçare në miratimin e akteve nënligjore që mbajnë peng tregun formal dhe kush i ka pasur në dorë vendimet që e kanë lejuar këtë aktivitet të vazhdojë pa u ndalur?
Cilët janë operatorët që presin licencat dhe a kanë lidhje me persona të ekspozuar politikisht apo me rrjetet që sot veprojnë jashtë ligjit?
Pse, kur shteti di të infiltrojë call center-at në katin e trembëdhjetë të kullave të Tiranës dhe të gjurmojë ngarkesat me kokainë drejt Europës, nuk arrin të identifikojë agjentët e basteve që punojnë në çdo lagje?
Bastet ilegale janë një motor që ka fuqizuar ekonomikisht krimin e organizuar dhe ka krijuar një rrjet të tërë pastrimi parash që ushqen të njëjtat struktura si trafiku i drogës që goditi SPAK. Paratë që rrjedhin nga bastet pa licencë nuk qëndrojnë në kasafortë, por shndërrohen në pasuri të paluajtshme, kulla luksoze 38 kate, resorte, hotele dhe biznese që hapen në sy të gjithëve, duke krijuar iluzionin e një prosperiteti të ligjshëm që në fakt mbështetet tërësisht në aktivitetin kriminal. Financojnë gjithashtu partitë politike dhe mbajnë në pushtet kriminelët.
Nëse më parë pastrimi i parave lidhej kryesisht me kokainën dhe trafikun e lëndëve narkotike, sot bastet ilegale ofrojnë një burim po aq të fuqishëm dhe shumë më të vështirë për t'u gjurmuar, pasi transaksionet në dorë dhe platformat online pa identifikim krijojnë një mjegull që e bën pothuajse të pamundur ndjekjen e parasë. Kjo ka bërë që paraja e pistë nga bastet të përzihet me atë të drogës në të njëjtat prona, duke forcuar një ekosistem ku krimi i organizuar nuk varet më vetëm nga një burim i vetëm, por ka diversifikuar të ardhurat dhe i ka bërë ato më rezistente ndaj goditjeve të shtetit.
Dosja për bastet ilegale i është dorëzuar SPAK-ut, por duket se ka përfunduar në sirtarin e Klodian Brahos dhe Altin Dumanit, ndërsa operacionet kundër trafikantëve dhe mashtruesve vijojnë pa u ndalur. Goditja e kartelit të drogës dhe e call center-ave tregon se kapaciteti hetimor ekziston, por mungesa e të njëjtit vendosmëri ndaj basteve ilegale nuk shpjegohet me mungesë mjetesh. Mund të jetë çështje prioriteti, mund të jetë mungesë e një kuadri ligjor që e bën goditjen operative, ose mund të jetë diçka më shqetësuese, por cilado qoftë përgjigjja, ajo i takon institucioneve që sot mburren me sekuestrime të bujshme. /Pamfleti
Lini një Përgjigje