Dokumentet dhe karriera tregojnë se Bashari nuk plotësonte kriterin 15-vjeçar të vjetërsisë si juriste, të kërkuar me ligj, kur u zgjodh Inspektore e Përgjithshme në dhjetor 2020.
Evgjeni Bashari, sot Inspektore e Përgjithshme e ILDKPKI, ka bërë deklarim të rremë para Kuvendit të Shqipërisë se plotësonte kushtet dhe kriteret ligjore për këtë post, konkretisht vjetërsinë 15-vjeçare si juriste të parashikuar nga neni 12, germa “b” e ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive…”, i ndryshuar.
Sipas të dhënave zyrtare dhe biografisë së publikuar, Bashari ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në vitin 2004 dhe një master në Rumani në vitin 2007. Karriera e saj deri në dhjetor 2020 tregon qartë se nuk ka 15 vite të plota pune si juriste. Në vitin 2005 ka punuar sekretare në Shkollën e Magjistraturës, një pozicion që nuk kërkon profil juridik dhe nuk mund të llogaritet si përvojë juristi. Në vitin 2006 ka qenë specialiste arkiviste-bibliotekë në Gjykatën e Lartë, gjithashtu një pozicion jo-juridik.
Nga viti 2007 deri në fund të vitit 2012 nuk ka të dhëna të sakta për punësimin e saj, përveçse fakti se ka qenë e angazhuar në sektorin e bibliotekës dhe publikimeve në Gjykatën e Lartë. Vetëm në dhjetor 2012 ajo u emërua ndihmëse ligjore pranë gjyqtares Mirela Fana, ku punoi deri në vitin 2015. Nga viti 2015 deri në vitin 2020 ka qenë në ILDKPKI, por duhen saktësuar funksionet konkrete gjatë kësaj periudhe për të konfirmuar nëse të gjitha lidhen me ushtrimin e profesionit të juristit.
Edhe nëse llogariten këto periudha, në dhjetor 2020, kur u zgjodh në krye të ILDKPKI, Bashari kishte jo më shumë se 8 vite të qarta pune si juriste, shumë larg 15 viteve që kërkon ligji. Ligji bën dallim të qartë mes vjetërsisë së punës në profesionin e kërkuar dhe vjetërsisë së përgjithshme të punës ku merren parasysh vetëm kontributet shoqërore.
Ky nuk është rasti i parë kur kritere të tilla ligjore anashkalohen.
Në vitin 2014, Kuvendi shkarkoi nga detyra Zana Xhukën për mungesë vjetërsie në profesion.
Rasti i Luan Dacit për deklarim të rremë përfundoi me ndjekje penale.
Po ashtu, kandidatura e Helena Papës për Gjykatën Kushtetuese u rrëzua nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe Gjykata Administrative e Apelit, pikërisht për këtë kriter.
Fakti që Kuvendi i Shqipërisë pranoi një kandidaturë që nuk plotësonte kriterin bazë ligjor ngre dyshime për procesin e përzgjedhjes dhe për kontrollin formal mbi të dhënat e kandidatëve. /Pamfleti
Lini një Përgjigje