A është e vërtetë fabula se Sali Berisha- presidenti i parë postkomunist, ishte njeri i Jugosllavëve dhe Aleksandër Meksi-kryeministri i parë postkomunist ishte njeri i grekëve?
Pas 32 vitesh ka një mendim të përgjithshëm se pushteti i ardhur në Shqipëri pas rrëzimit të komunizmit dhe komuistëve të Ramiz Alisë, nuk solli atë që të gjithë prisnim, nuk solli begatinë apo zhvillimin që të gjithë besonim, e mbi të gjitha nuk solli pajtimin aq të nevojshëm nga trauma që shkaktoi diktatura 45 vjeçare.
Edhe pse është folur e diskutuar në anë të ndara për çfarë u bë keq e çfarë u bë mirë nga pushteti që erdhi në Shqipëri pas rrëzimit të komunizmit, nuk se janë analizuar arsyet se pse shkoi aq keq, pse e quajtura demokraci nuk qe realisht e tillë, e pse i quajturi kapitalizëm nuk i dha vendit atë zhvillim ose të paktën një hendek jo kaq traumatik mes shumë të pasurve dhe shumë të varfërve.
Polarizimi është tipari dallues i kapitalizmit si sistem, por në botën perëndimore, ka qenë shteti; Parlamenti, qeveria, që ka krijuar mekanizma për ta zbutur këtë hendek.
Problemi më i madh që krijoi pushteti që erdhi pas 22 marsit e që natyrisht është sot mbizotërues në shoqërinë shqiptare, është rrënimi i demokracisë si një sistem vlerash. Madje në standarde më të ulëta të përvojës dy vjeçare 1990-1991 kur vendin e menaxhonte Ramiz Alia.
Partia Demokratike mori më 22 mars 1992, 1,7 milionë vota shqiptarësh, që i bie mbi 60% e numrit të përgjithshëm të votuesve në vend.
Pas atyre zgjedhjeve, numri i votuesve ka ardhur gjithnjë e më shumë duke u tkurrur prej largimit masiv të shqiptarëve jashtë vendit. Të paktën deri në vitin 1999 apo 2000 kjo ikje ishte një kalvar i tmerrshëm i gomoneve dhe skafeve, ku shumë, po shumë shqiptarë, u mbytën në ujrat e Otrantos. Apo shumë të tjerë që mbërritën në “Tokën e Premtuar” jetuan e jetojnë me traumat e tmerrshme të “udhëtimit të Odisesë”.
Pra me pak fjalë: shqiptarët ikën masivisht në Greqi, u turrën detit për të përfunduar në Itali me mjete lundrimi të frikshme dhe vendi u bë shumë shpejt, që në verën e vitit 1992, një parajsë e kriminelëve nga më të rrezikshmit të Shqipërisë. Që sapo kishin lënë burgjet, apo ishin kontigjent i Sigurimit të Shtetit e nisën me vrull trafikun e heroinës në përmasa të frikshme.
Në verën e vitit 1992, Shqipëria ishte më keq sesa Europa e viteve 80 të shekullit të shkuar, ku fëmijët e familjeve të mira u kthyen në viktima të heroinës. Kështu ndodhi në Tiranë: ku djemtë e vajzat e profesorëve, artistëve dhe politikanëve të njohur u kthyen në skllevër të
heroinës dhe këtë plagë e vuajtën familjet e tyre por dhe vetë viktimat për vite e vite me rradhë.
E së bashku me drogën u shfaq edhe prostitucioni, trafiku masiv i qënive njerëzore që traumatizoi e shkatërroi mijëra familje shqiptare. Që ndodhi herët, pikërisht pas 22 marsit, ku vajza me shumicë u dërguan në trotuarët e Europës.
Duket sikur u zbatua “profecia” e Ramiz Alisë që u tha shqiptarëve që demokracia është drogë e prostitucion.
Në realitet ishte e pritshme që fenomene të tilla të ndodhnin në një shoqëri të hapur e të shqyer, që është e prirur vetëm nga fitimi. Shumë persona mund të thonë se kjo erdhi nga skamja e madhe dhe mjerimi që la komunizmi. E që është shumë e vërtetë, pasi ishte mjerimi e varfëria që ndikon në dramat njerëzore.
Po a nuk duhet të ndërhynte shteti që të paktën të ndalonte shfrytëzimin dhe trafiqet në shkallë të lartë?
Pasi një pjesë e madhe e drejtuesve ishin njerëz të lidhur ose të mbrojtur nga pushteti.
Kush e mban mend Tiranën e pas 1992 e di që të gjithë horrat që trafikuan vajzat e reja nga qyteti ‘Studenti’ apo nga fshatrat e Shqipërisë, hanin e pinin me truprojet e Presidentit, kryeministrit, kryetarit të Kuvendit e të gjithë Gardës së Republikës. Të cilët u bënë së bashku me oficerët e antidrogës- alias repartit 77, trafikantët më të mëdhenj të Republikës.
Pra në thelb, drejtuesit e rinj të Republikës postkomuniste të Shqipërisë po e kthenin vendin në një Tajlandë europiane apo në një Republikë Bananesh. Por natyrisht kjo është vetëm një pjesë e traumës së rëndë që solli pushteti i 22 marsit 1992.
Një nga gazetat më të shitura në vitin 1992 ishte gazeta “Eros” që në logjikë duhet të ishte një media që i jep rrugë lirisë të dashurisë shpirtërore dhe trupore.
Por cilët ishin tregimet që sillte kjo gazetë në atë kohë? Vetëm histori të ish-ushtarakëve që shisni banane e rroba të përdorur nga halli sepse qeveria i nxori në rrugë, e gratë e tyre bënin dashuri me të fortët e rinj që nuk ishin tjetër veçse horrat që dikur këta ushtarakë ua kishin treguar vendin.
Por ka edhe më keq, e këtu hyn shkatërrimi thuajse total i ushtrisë shqiptare, që në komunizëm keq apo mirë, u kthye në një fuqi konvencionale.
Pushteti i ri, përveç largimit të udhëheqjes ushtarake, shkriu totalisht të gjitha njësitë e mbrojtjes së vendit, jo vetëm njerëzore, por edhe instalimet e infrastrukturës së rëndësishme ushtarake.
Pse u ç’instaluan të gjitha bateritë e artilerisë së rëndë me topa obuz në drejtim të Jugosllavisë dhe Greqisë?
Kush e dha urdhrin për t’i hequr dhe shkrirë për skrap kur ato nuk kërkonin as bukë e as ujë si ushtarët e oficerët por vetëm graso që Shqipëria kishte pa fund?
E këtu gërshetohet edhe pyetja tjetër? Përse u kthyen në shkretëtira pemtoret e agrumeve, mollëve e frutorëve, përse u shkatërruan pyjet e mrekullushëm të zonës bregdetare shqiptare? Ku sipas të gjitha gjasave Shqipëria hynte me një plus të madh në logjikën e zhvillimit të industrisë turistike?
Ndodhi rastësisht apo me një plan të caktuar nga fqinjët, që e donin “Shqipninë me krye në hi” siç shkruan Pashko Vasa?
A është e vërtetë fabula se Sali Berisha- presidenti i parë postkomunist, ishte njeri i Jugosllavëve dhe Aleksandër Meksi-kryeministri i parë postkomunist ishte njeri i grekëve?
A erdhi indikacioni për Berishën nga Beogradi, dhe për Meksin nga Kostandin Micotaqis? I cili ja tha troç Berishës që do ishte mirë që ta bënte kryeministër Meksin…
Zbardhja ose përgjigja e këtyre pikëpyetjeve do të nxjerrë realisht të vërtetën e madhe të fshehur të 32 vjeçarit më zhgënjyes të historisë së Shqipërisë. Të cilët morën besimin për ta pajtuar e zhvilluar vendin, por e rrënuan dhe e lanë të fundit, kur gjasat dhe indikatorët ishin të mos ndodhte kjo. Po ligji i pronave? Si ka mundësi që Shqipëria është vendi i vetëm në Ballkan që nuk e ka zgjidhur këtë ngërç, kur të paktën në letra Enver Hoxha e kishte ruajtur të gjithë dokumentacionin në kadastër dhe pronat nuk ja kishte ndarë Spahinjve të vet si çdo pushtet në Shqipëri, por i kishte shtetëzuar?
Kush i zotëron sot pronat më të mira të Shqipërisë? Përgjigja e kësaj pyetje është realisht çelësi i zgjidhjes së kush e fundosi këtë vend. E ku natyrisht kushdo shqiptar mund të shkojë lirisht e tua marrë këtyre zaptuesve, që flirtuan me armiqtë e vendit!/Pamfleti
Lini një Përgjigje