Takimi i pazakontë në Kryeministri nuk dukej si një vizitë protokollare. Pas gjuhës së ftohtë diplomatike fshihen sinjale për një marrëdhënie Rama–Erdoğan që duket më e ftohta që nga viti 2009...
Takimi i një dite më parë mes ambasadorit të Turqisë, Ceyhun Erciyes, dhe Edi Ramës ishte një takim disi i pazakontë.
Kur një ambasador takohet me kryeministrin e vendit ku është akredituar, zakonisht nuk kemi të bëjmë thjesht me një procedurë protokollare apo me dorëzimin e një note diplomatike.
Sipas praktikës diplomatike, ambasadorët komunikojnë me Ministrinë e Jashtme, me sekretarin e përgjithshëm apo me vetë ministrin.
Ndërsa takimi me kreun e qeverisë ka gjithmonë peshë politike, sepse nënkupton përcjelljen e një mesazhi të drejtpërdrejtë nga drejtuesit e shtetit që ambasadori përfaqëson.
Deklaratat zyrtare të publikuara pas takimit, si nga qeveria shqiptare, ashtu edhe nga ambasada turke, janë shkruar me një gjuhë tepër të kujdesshme dhe burokratike.
Prandaj mesazhet duhen kërkuar më shumë mes rreshtave sesa në tekstin e tyre.
Sipas burimeve diplomatike, takimi është kërkuar nga vetë Edi Rama.
Qëllimi i tij ka qenë t’i përcillte, përmes ambasadorit, një mesazh të drejtpërdrejtë Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
Vetë ky fakt tregon se marrëdhëniet mes dy liderëve ndodhen në pikën më të ulët të gjithë periudhës së bashkëpunimit të tyre.
Në vitet e mëparshme telefonatat mes tyre ishin të shpeshta.
Rama vizitonte rregullisht rezidencën presidenciale në Pallatin Dolmabahçe në Stamboll, shpesh edhe në mënyrë informale, madje në disa raste i shoqëruar nga bashkëshortja Linda dhe djali Zaho.
Aty zhvilloheshin biseda të gjata, batuta dhe një marrëdhënie që të dy e shfaqnin publikisht si miqësi personale.
Sot ajo periudhë duket shumë larg.
Jo vetëm që kontaktet kanë pushuar, por në disa raste nuk kanë munguar as deklarata të forta nga vetë Presidenti turk.
Më e njohura ishte ajo ku e quajti Edi Ramën “katil dost” — “mik i vrasësit”, duke iu referuar marrëdhënies së tij me Benjamin Netanyahu.
Përtej kësaj përplasjeje, marrëdhëniet politike mes Ankarasë dhe Tiranës kanë hyrë në një fazë të re.
Dhe qarqe të afërta me Turqinë janë përfshirë hapur në kundërshtimin ndaj Edi Ramës.
Megjithatë, sipas burimeve, tensioni është shfaqur edhe në prag të Samitit të NATO-s që zhvillohet në Ankara.
Flitet se pala turke kishte dërguar fillimisht një ftesë për Presidentin Bajram Begaj.
Por Presidenca shqiptare është përgjigjur se në samitet ndërkombëtare Shqipëria përfaqësohet nga kryeministri, përveç rasteve të veçanta.
Kjo ka sjellë disa ditë komunikime burokratike mes dy palëve.
Madje, sipas burimeve, ka pasur edhe një telefonatë mes Edi Ramës dhe ministrit të Jashtëm turk, Hakan Fidan, ku pala shqiptare ka kundërshtuar çdo përpjekje që Ankara të diktojë se kush do ta përfaqësojë Shqipërinë në samitin e NATO-s.
Pas kësaj telefonate, çështja është zgjidhur dhe ambasadori turk ka shkuar në Kryeministri për të formalizuar komunikimin zyrtar.
Në këtë takim, sipas të njëjtave burime, Edi Rama ka kërkuar që Turqia të mbyllë zyrën iraniane që funksionon pranë ambasadës së saj në Tiranë.
Kjo strukturë u krijua pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit, si rezultat i një ndërmjetësimi të Ankarasë për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të krizës.
Irani e ka justifikuar praninë e saj me nevojën për të monitoruar aktivitetin e muxhahedinëve iranianë që ndodhen në Shqipëri.
Në praktikë, sipas kritikëve, pikërisht pas krijimit të kësaj strukture është shtuar ndjeshëm aktiviteti propagandistik dhe digjital me përmbajtje anti-izraelite në hapësirën shqiptare.
Nuk dihet ende se si do t’i përgjigjet Ankara kësaj kërkese.
Por fakti mbetet se vetë Edi Rama ishte ai që pranoi krijimin e kësaj formule disa vite më parë.
Dhe kjo është një kartë që Turqia mund t’ia kujtojë lehtësisht.
Po të lexohet me kujdes deklarata e ambasadorit turk, aty gjenden disa sinjale interesante.
Në të thuhet:
“Gjatë takimit u vlerësua niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve dypalëshe dhe ecuria e bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Palët riafirmuan vullnetin për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve, veçanërisht në fushën ekonomike. Ambasadori Erciyes shprehu gjithashtu kënaqësinë për vizitën e ardhshme të Kryeministrit Rama në Ankara me rastin e Samitit të NATO-s.”
Në kaq pak rreshta lexohet një mesazh i qartë.
Shpresa për thellimin e marrëdhënieve është zhvendosur pothuajse tërësisht te bashkëpunimi ekonomik.
Ndërsa partneriteti strategjik, ai i sigurisë dhe afërsia politike që karakterizoi për shumë vite marrëdhënien Rama–Erdoğan, duket se i përket tashmë së kaluarës./Pamfleti
Lini një Përgjigje