TAGS-AT E JAVËS

Editorial20 Qershor 2026, 10:50

Donald Trump dhe amnezia e perandorëve

Shkruar nga Gjergj Zefi
Donald Trump dhe amnezia e perandorëve
Donald Trump /

Sjellja me Giorgia Melonin nuk ishte një gafë diplomatike, por simptoma e një politike që e ngatërron forcën me arrogancën dhe aleancën me nënshtrimin...

Donald Trump vazhdon të sillet me aleatët e Amerikës sikur të ishte pronari i një kazinoje në falimentim dhe jo presidenti i shtetit më të fuqishëm në botë.

Çdo dalje e tij publike ngjan me një shfaqje ku diplomacia zëvendësohet nga batuta, historia nga narcizmi dhe respekti institucional nga nevoja e pangopur për të qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes.

Kur ai tallet me kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe pretendon se ajo i është lutur për një fotografi, problemi nuk qëndron tek e vërteta mbi fotografinë. Problemi qëndron tek mendësia. Trumpi nuk njeh shtete, nuk njeh institucione, nuk njeh histori. Ai njeh vetëm veten. Në universin e tij politik, aleatët nuk janë partnerë, por spektatorë të detyruar të duartrokasin. Kush nuk duartroket mjaftueshëm, poshtërohet publikisht.

Evropa ka arsye t'i kujtojë Trumpit disa gjëra që ai duket se i ka harruar, ose nuk I ka ditur kurrë. Amerika nuk lindi nga asgjëja. Qytetërimi që e frymëzoi, ligjet që e formësuan, filozofia që e udhëhoqi dhe kultura politike që e bëri të madhe erdhën nga kontinenti që ai sot e trajton me përçmim. Roma, Athina, Londra, Parisi dhe Berlini ishin qendra të historisë kur Amerika ende nuk ekzistonte si shtet. Asnjë president amerikan, sado i fuqishëm të jetë, nuk mund ta reduktojë Evropën në rolin e një klienti që pret me ankth vëmendjen e tij.

Trumpi shfaqet para botës ashtu siç është në të vërtetë: një djalë rruge që ka hyrë aksidentalisht në sallonet e diplomacisë. Ai e mat politikën me instinktet e një tregtari të pasurive të patundshme. Ai e sheh respektin si nënshtrim dhe aleancën si marrëdhënie force.

Si pasanik megaloman i betonit, të cilit një Amerikë e lodhur, e zemëruar dhe e polarizuar i hapi për herë të dytë dyert e Shtëpisë së Bardhë, Trumpi po e transformon presidencën në një "trumpodrom" vulgar. Çdo konferencë shtypi bëhet spektakël. Çdo krizë ndërkombëtare bëhet skenografi. Çdo aleat kthehet figurant.

Historia ka njohur shumë liderë që kanë ngatërruar pushtetin me madhështinë personale. Asnjëri nuk ka dalë fitues nga kjo përplasje. Fuqia e Amerikës nuk u ndërtua mbi talljen e aleatëve, por mbi aftësinë për t'i bashkuar ata. Nuk u ndërtua mbi poshtërimin e partnerëve, por mbi respektin që frymëzonte. Nuk u ndërtua mbi egon e një njeriu, por mbi forcën e institucioneve.

Trumpi mund të besojë se Evropa ka nevojë për të. Ndoshta në disa çështje ka të drejtë. Por ai harron se edhe Amerika ka nevojë për Evropën. Dhe kur një president fillon të ngatërrojë aleancat me marrëdhënie vasaliteti, ai nuk po e dobëson Evropën. Ai po gërryen themelet e botës që Amerika vetë i ndërtoi pas Luftës së Dytë Botërore.

Perandoritë zakonisht nuk rrëzohen kur u mbaron fuqia. Rrëzohen kur i kap amnezia. Dhe amnezia e Trumpit po bëhet çdo ditë e më e dukshme./Pamfleti

 

donald trump amnezia e perandorëve gjergj zefi

Lini një Përgjigje

Editorial