Editorial29 Shkurt 2024, 10:46

Edi Rama e di që kuajt nuk ndërrohen në luftë

Shkruar nga Gjergj Zefi
Edi Rama e di që kuajt nuk ndërrohen në luftë
Edi Rama /

Çfarë po gatuhet realisht në këtë tenxhere me presion që mund të shpërthejë nga çasti në çast?

Një skenë deja-vu ishte tapeti i kuq i bollshëm përpara Pallatit të Kongreseve, këndi majtas i ndarë për gazetarët dhe Edi Rama që ngrohej në diell mbi të, ndërsa priste lider të tjerë politik të mbërrinin në Samitin e quajtur, "Ukrahinë- Europa Juglindore", ditën e djeshme. Ndryshimi ishte që kësaj here, Rama nuk ishte i vetëm, por bashkë me Presidentin e Ukrainës, një vend prej 2 vitesh në luftë me Rusinë, Volodymyr Zelensky.

Përpjekja e protokollit zyrtar shqiptar, kuptohet nën drejtimin e plotë të atyre që kanë autorësinë e vërtetë të këtij spektakli, nuk ka shkuar kot deri diku. Po ta shohësh nga larg, kjo duket një sipërmarrje pozitive, edhe pse e njëanshme, pro Ukrainës, një kah natyral i Shqipërisë për nga Perëndimi.

Por çfarë po gatuhet realisht në këtë tenxhere me presion që mund të shpërthejë nga çasti në çast? A do të ketë, dhe nëse po, cilat janë pasojat për Shqipërinë që ka hapur portat pa pyetur për asgjë?

A po e përdor Edi Rama këtë luftë dhe kërkesat e amerikanëve për interesat e veta?

Pse Aleks Soros ishte pjesë e delegacionit shqiptar, çfarë roli ka ai?

Dhe mbi të gjitha, pse Edi Rama vazhdon me kokëfortësi të injorojë instancat, ligjërisht vendimmarrëse për raste të tilla, Presidentin dhe Kuvendin e Shqipërisë?

Bota po zien dhe ky është lajm i vjetër tashmë. E ardhmja duket e zymtë për Ukrainën e lodhur nga lufta. Aktualisht raportohet për mungesë ushtarësh dhe municionesh për të mos folur për zallamahinë e ndihmës së Perëndimit, që herë ia ka hedhur ditën, ndihmën Ukrainës, e herë natën. Herë hapur e herë fshehurazi. Gjithsesi me zhurmë për veshët e Rusisë dhe Kinës që fshihet pas saj, dhe të gjithë aktorëve të tjerë botërore të përfshirë, ku Shqipëria as bën pjesë e as ka fuqi.

Nga përtej Atlantikut, Dekreti i Presidentit Biden për të financuar luftën në Ukrainë nuk ka kaluar akoma në Kongres. Çka nuk do të thotë se ndihma amerikane ka munguar. Përkundrazi! Pozicioni amerikan është i qartë dhe logoja amerikane në këtë luftë është ashiqare e dukshme. Gjithashtu Perëndimi.  Pavarësisht pozitave fluide të Rumanisë, Bullgarisë dhe Polonisë, vendet e Evropës e kanë të qartë pozicionin dhe deklarata e Macron për futjen e forcave të NATO-s në Ukrainë do të thotë shumë.

Por luftërat nuk janë përballje qe fitohen me fjalë dhe sjellja e Rusisë është ende dominante. Fushëpamja nuk është e plotë dhe loja nën rrogoz është bërë e dukshme për aq kohë sa Shqipëria u vu sërish në qendër të një spektakli që po mundohet të çojë mesazhe ne lindjen e afërt dhe të largët.

Vizita e para pak ditëve e Blinken, ishte mesazhi i parë i përcjellë që Edi Rama është vënë plotësisht në shërbim të Perëndimit. Deri këtu mund ta kuptojmë Kryeministrin e Shqipërisë. Për hir të adhurimit, detyrimit apo edhe për interesat e veta personale politike dhe të pushtetit, Rama është dorëzuar pa kushte: Shqipëria do të nisë (në mos ka nisur) të prodhojë armë për Ukrainën. Deklarata e Zelenskit dhe Ramës dje e vërtetoi këtë.

Por, si u mor ky vendim? Nuk është e vështirë të kuptohet se bazat e reja amerikane e kthejnë Shqipërinë në një vend shënjestër për çdo gjë, çka do të thotë se Edi Rama duhej të këshillohej përpara se të bënte rolin e heroit. Pse nuk i begenis Kryeministri institucionet? Afërmendsh kjo do të thotë që, ai jo vetëm i injoron të vetët,  por me të drejtë të lë të besosh se deliri i tij shkon shumë lart: Rama nuk ka hallin e Ukrainës, por përfitimin e vet politik. Në mënyrë të veçantë, këto kohë kur të gjithë bashkëpunëtorët e tij po shkojnë në burg, Rama ka nevojë për aleatë shumë të fortë. Me këtë ai shpreson se kur lufta të ndryshojë kah të kërkojë shpërblimin e vet.

Akoma më shumë vërtetohet kjo, kur lexon përfundimet e spektaklit të djeshëm të quajtur "Samit".

Në aktivitetin e djeshëm, përtej mesazhit që amerikanët donin t'i jepnin botës, sytë ishin ngulur mbi Serbinë, Shpatën ruse të Demokleut në Ballkan. Nuk është më sekret qe Rusia kërcënon me Serbinë, që provokon dhe e ka gati t’i vërë flakën, si fuçisë së barutit që mund të shkrumbojë themelet e Evropës.

Presidenti serb erdhi dhe bëri çfarë deshi dje në Tiranë. Fundja siç ka bërë gjithmonë, me miratimin me dy duar të Edi Ramës, mikut të vet që bën sikur fshihet pas fustanit të grisur të Evropës, por flirton sa herë mundet edhe me Lindjen.

Për ta përmbledhur me shumë pak fjalë, deklarata e djeshme e Samitit të Ukrainës ishte as mish, as peshk, nuk ishte as pro, por as kundër agresorit me emrin Rusi.

I dërguari i Rusisë, Vuçiç, kërkoi heqjen e flamujve për inat të Kosovës, flamujt u hoqën; kërkoi heqjen e nënshkrimeve personale për inat të Kosovës, kështu u bë; kërkoi heqjen e fjalës "keqdashës" për ndikimin e Rusisë në Ballkan, kështu ndodhi, fjala u hoq; nuk deshi as të flitej për sanksione kundër Rusisë, dhe kërkesa e tij u plotësua; i dha formën që deshi deklaratës së përbashkët dhe ashtu u bë, askush nuk bëri as gëk, as mëk.

Kjo është politika e madhe, mund të thotë dikush! Me të drejtë! Kjo është politika e madhe dhe të vegjlit si Shqipëria nuk i pyet kush. Por në rastin konkret ka një mjegull që përveçse pengon fushëpamjen, mban erë. Sepse Edi Rama ka krijuar aq shumë precedentë me Vuçiçin dhe Sorosin, ka punuar aq shumë herë kundër interesave të Kosovës dhe Shqipërisë, sa nuk i zihet më besë.

Kësaj radhe ai e ka rreshtuar Shqipërinë në llogoren e parë të luftës me Rusinë e Kinën. E ka bërë duke marrë një vendim personal, pa pyetur Kuvendin, Presidentin, këshilltarët ushtarakë të Shqipërisë e aq më pak popullin e vet. Pse? Si duhet ta lexojmë kthesën e tij në Samitin e djeshëm dhe atë deklaratën e njëanshme të nënshkruar?

Ne jemi pro lirisë së Ukrainës dhe afërmendsh kundër agresionit rus. Qeveria mund ta dëshmojë këtë në qindra mënyra, pa pasur nevojë të hyjë në një tunel që nuk i duket drita, pse Kryeministrin e ka narcist dhe të etur për pushtet./Pamfleti

edi rama kuajt luftë