TAGS-AT E JAVËS

Editorial20 Maj 2025, 10:58

Giorgia Meloni dhe identiteti i humbur i Italisë

Shkruar nga Ezio Mauro
Giorgia Meloni dhe identiteti i humbur i Italisë
Giorgia Meloni /

Po dobësohet një element tjetër themelor, përkatësia evropiane, e cila ishte i garantuar. Qeveria aktuale po i jep peshë euroskepticizmit të saj, duke harruar rolin historik të Italisë në ndërtimin politik të kontinentit, si një vend themelues i bllokut...

Gjatë Republikës së Parë, midis premtimeve të pa mbajtura, progresit të synuar dhe të arritur, lirisë së garantuar, Italia e dinte se çfarë ishte, ose të paktën çfarë donte të ishte: një vend evropian, perëndimor, demokratik dhe antifashist.

Ai katërkëndësh i ndërtuar nga historia dhe përgjegjësia e qytetarëve në 80 vitet që kemi lënë pas, u përkthye në një kulturë të përbashkët, ku ato referenca dhe vlera u kombinuan dhe u garantuan së bashku, duke u bërë një natyrë e kombit, një formë shprehjeje, një zgjedhje e ripërtërirë në kalimin e brezave.

Grumbullimi i kontradiktave, pabesive dhe dështimeve të asaj periudhe historike, ishte padyshim domethënës dhe madje mbresëlënës, por nuk e pengoi asnjëherë rritjen ekonomike dhe të mirëqenies. Dhe mbi të gjitha, nuk i vuri kurrë në dyshim ato 4 elementë përbërës të identitetit tonë, të cilët kanë mbijetuar deri më sot, kur gjithçka duket se po ndryshon.

Askush nuk e ka shpallur me anë të një proklamate qëllimin për ta përmbysur atë, për të ndryshuar themelet dhe për të zëvendësuar idhujt republikanë me hyjni post-moderne dhe teknokratike, edhe sepse askush nuk ka forcën.

Por pikërisht nga dobësia lindin tundime dhe mundësi, të cilat rrezikojnë të ndryshojnë kornizën që na përcakton si vend, pa ditur saktësisht se me çfarë ta zëvendësojnë atë. Nuk ka asnjë dyshim se Giorgia Meloni vjen nga një botë tjetër, me vlera alternative nga ato në të cilat u rrit Republika, edhe pse ka qenë pjesë prej vitesh e shoqërisë politike dhe parlamentare.

Por, pasi u ngjit në pushtet me fitoren në zgjedhje, zgjodhi të institucionalizohej pa u konformuar, duke jetuar në Palazzo Chigi, por duke e mbajtur njërën këmbë jashtë sistemit.

Nuk është vetëm retorika e saj legjendare e të “dobëtit” që e çan vetë rrugën e tij, dhe që më në fund del në zemër të pallatit të pushteti. Por më tepër vullneti për të ruajtur identitetin e asaj, të lindur nga udhëkryqi midis neofashizmit dhe post-fashizmit, për ta përfaqësuar atë edhe nga selia e institucioneve kushtetuese, dhe pikërisht për këtë arsye për ta sjellë atë në qeveri të paprekur, ndërkohë që distancohet me ngurrim nga fashizmi historik, ose të paktën nga krimet e tij më të dukshme.

Prandaj, ekziston një praktikë republikane, e cila është domosdoshmërisht kushtetuese, një formë demokratike. Por ekziston dhe në të njëjtën kohë i reziston, një kulturë alternative origjinale ndaj këtij sistemi. Antagoniste sepse ka lindur jashtë demokracisë, dhe anti-sistem sepse është e huaj ndaj vlerave të Kushtetutës.

Deri më sot, Meloni e ka shmangur përplasjen midis dy kulturave, megjithatë ajo nuk e ka zgjidhur dot kontradiktën dhe paqartësinë, duke e kufizuar veten në mbivendosjen e tyre, në një mospërputhje të dukshme. Duke refuzuar të zgjedhë dhe ta zgjidhë atë nyjë, kryeministrja nuk po kryen aspak një operacion nostalgjik, por më tepër një gjest futurist.

Sepse duke ruajtur në personin dhe në përgjegjësinë e saj përfaqësimin e asaj kundër-bote ndërsa është në krye të qeverisë, ajo dëshiron të vendosë mendimin post-fashist në rrjedhën e kulturave përbërëse të Republikës së re, me legjitimitet të barabartë: jashtë historisë, por me miratimin e votuesve të saj.

Kjo është arsyeja pse duhet të theksojmë se ka mbaruar antifashizmi institucional, përveç pedagogjisë koherente të Presidentit të Republikës, i cili megjithatë është një përjashtim pavarësisht se është garantuesi suprem i ligjit themeltar: dhe ky është tashmë një çekuilibër  i dukshëm, shenjë e një ndryshimi të vazhdueshëm.

Kjo shpjegon vëmendjen dhe tërheqjen e kryeministres ndaj udhëheqësve politikë neo-autoritarë si Viktor Orbán dhe reaksionarëve si “legjionari” rumun George Simion. Por ndërkohë, po dobësohet një element tjetër themelor i identitetit politik italian: përkatësia ndaj Evropës, e cila deri dje ishte e mirëqenë, veçanërisht midis brezave të rinj.

Sot qeveria po i jep substancë euroskepticizmit të saj, duke e harruar rolin historik të Italisë në ndërtimin politik të kontinentit, si një vend themelues i bllokut. Ndërsa po fillon të marrë formë një Evropë me dy shpejtësi, me “të gatshmit” e Francës, Gjermanisë dhe Polonisë, madje të Britaninë e Madhe pas Brexit-it, që janë të bashkuar mbi nevojën për t’i dhënë një hov të mëtejshëm mbështetjes politike dhe ushtarake për Ukrainën, dh teksa Italia zgjedh një lloj shkëputjeje nga grupi kryesor, pa qenë në gjendje ta shpjegojë ose justifikojë atë, dhe po e zbeh mbështetjen e saj për Kievin, duke ndjekur hapat e Donald Trumpit, por pa e ditur se ku do të çojnë ato.

Shtylla e tretë e kulturës sonë politike kombëtare - ndërgjegjja perëndimore - ka kohë që po luhatet, pikërisht sepse mbështetet në vlera, të cilat e djathta ekstreme nuk është në gjendje t'i bëjë të vetat, siç është sundimi i ligjit.

Për Giorgia Melonin, është më e lehtë të bëjë një zgjedhje atlantike se sa perëndimore: por për fat të mirë Perëndimi nuk është një kazermë, dhe NATO mund ta mbrojë por jo ta zëvendësojë atë. Mbetet elementi i katërt, që në fakt është i pari: demokracia, test i vërtetë i ndryshimit “patriotik” të identitetit italian.

Jo sepse në vendin tonë ka shenja antidemokratike: por më tepër sepse tendenca e dukshme e të gjithë të djathtës ekstreme në pushtet, është të sulmojë institucionet, rregullat dhe procedurat liberal-demokratike, të cilat demokracia i ka shpikur përgjatë viteve për të mbrojtur veten dhe për rrjedhojë lirinë e qytetarëve, duke i mësuar ata që janë në pushtet që të zhvillojnë një vetëdije për kufijtë e pushtetit të tyre.

Sot tundimi kryesor në botë, është të uzurpohen pjesë shtesë të pushtetit, përmes mekanizmave jashtë kushtetuese, me qëllim krijimin e asaj “vertikaleje të pushtetit”, që i vendos të zgjedhurit dhe votuesit në kontakt të drejtpërdrejtë, pra pa asnjë subjekt të ndërmjetëm.

Donald Trump e përmbledh idenë e këtij përparimi me prishjen e sistemit aktual për krijimin e një rendi të ri. Mbetet të presim dhe të shohim nëse Giorgia Meloni, pasi ka arritur në pikën vendimtare, do të zgjedhë qytetërimin politik të Italisë evropiane dhe perëndimore, apo do t'i nënshtrohet “thirrjes së pyllit ideologjik”, nga i cili nuk po mundet që të dalë./Pamfleti nga “La Repubblica”

giorgia meloni idenditeti i humbur i italisë

Lini një Përgjigje