TAGS-AT E JAVËS

Editorial29 Janar 2026, 10:40

Hije lufte në Lindjen e Mesme

Shkruar nga Gjergj Zefi
Hije lufte në Lindjen e Mesme
Gazetat sot në Iran! /

Trump shtrëngon Iranin, jo regjimin: Presidenti amerikan kërkon lëshime strategjike nga Teherani, ndërsa dhuna ndaj opozitës nuk hyn në axhendë...

Presidenti Donald Trump, i rikthyer në Shtëpinë e Bardhë me premtimin për ta bërë Amerikën “të fortë dhe të respektuar sërish”, ka rihapur frontin më të rrezikshëm të politikës së jashtme: përballjen me Iranin.

Nëpërmjet një deklarate të shpërndarë në rrjetet e tij sociale, Trump paralajmëroi se një “armatë amerikane e jashtëzakonshme” është tashmë në lëvizje drejt Gjirit Persik. Dhek jo jo për të luftuar, por për të imponuar kushte.

Në thelb, kjo nuk është një thirrje për luftë, por një përpjekje për ta detyruar Iranin të ulet në tryezë. Dhe ndryshe nga ç’pritën disa qarqe, kërkesat nuk përfshijnë ndryshim regjimi apo ndërhyrje ushtarake për të mbështetur opozitën e brendshme.

Përkundrazi, Presidenti Trump ka artikuluar tre kushte të qarta ndaj Teheranit, të cilat, sipas tij, janë të negociueshme nëse Irani vepron shpejt.

Së pari, ndërprerja totale e programit të pasurimit të uraniumit për qëllime ushtarake dhe verifikimi ndërkombëtar i të gjitha objekteve bërthamore.

Së dyti, tërheqja graduale e ndikimit iranian nga konfliktet rajonale, veçanërisht në Jemen, Siri dhe Liban, ku Garda Revolucionare ka qenë e pranishme përmes aleatëve lokalë.

Dhe së treti, lirimi i menjëhershëm i të burgosurve amerikanë dhe evropianë që mbahen nën akuza politike ose spiunazhi, një temë që ka përkeqësuar raportet me Perëndimin gjatë viteve të fundit.

Përtej këtyre kërkesave, ajo që bie në sy është mungesa e ndonjë reference për ndryshimin e regjimit apo për “masakrën ndaj forcave opozitare” në Iran; një linjë që e ndan Trumpin nga shumë zëra neokonservatorë në Uashington. Ai nuk po përpiqet të përmbysë regjimin iranian, por të detyrojë Teheranin të bëjë lëshime strategjike pa përplasje të drejtpërdrejtë.

Duket si një lojë force dhe diplomaci në të njëjtën kohë, por situata është e rrezikshme.

Irani, siç pritej, ka refuzuar çdo formë negociate nën presion. Retorika e Teheranit ka kaluar në mode mbrojtjeje ushtarake, duke kërcënuar se do të mbyllë ngushticën e Hormuzit në rast agresioni dhe se do të “reagojë me të gjithë arsenalin në dispozicion” ndaj çdo sulmi amerikan. Kjo nuk është vetëm një betejë për centrifugat bërthamore, por një përballje e drejtpërdrejtë për dominimin strategjik në Lindjen e Mesme, ku çdo lëvizje e SHBA-së ndaj Iranit ndikon në Irak, Siri, Liban, Jemen dhe më tej.

Teherani paralajmëron se çdo tentativë për të shkelur sovranitetin e tij do të çojë në një kundërpërgjigje të ashpër jo vetëm në territorin e vet, por në gjithë aksin ku ka ndikim: nga Gjiri i Adenit deri në kufirin me Izraelin.

Në këtë kontekst, çdo goditje, edhe minimale, mund të jetë shkëndija e një konflikti që përfshin më shumë se dy shtete. Europa nuk ka as qëndrim të unifikuar, as mjete për ta ndaluar një përshkallëzim. Rusia dhe Kina e shohin këtë si një mundësi për të dobësuar pozicionin amerikan në Lindjen e Mesme, ndërsa vendet më të ekspozuara, përfshirë dhe Shqipërinë, janë në rolin e spektatorëve të pafuqishëm, por gjithsesi të ekspozuar ndaj valëve të krizës.

Çmimet e karburanteve, pasiguria ekonomike, ndikimi i shërbimeve të huaja dhe mungesa e stabilitetit në rajon janë pasoja të drejtpërdrejta edhe për një vend si i yni. Ndaj, politika e jashtme e Shqipërisë nuk mund të heshtë. Ajo duhet të artikulojë qartë pozicionin e saj në aleancat euro-atlantike dhe të angazhohet më shumë për ruajtjen e paqes përmes diplomacisë, e jo përmes rreshtimeve të verbra ushtarake.

Trump po e vendos Iranin me ‘shpatulla pas muri’. Por pyetja që shtrohet është: a do zgjedhë Irani të ulet në tryezë, apo do të qëllojë i pari?/Pamfleti

 

hije lufte mbi lindjen e mesme gjergj zefi

Lini një Përgjigje

Editorial