TAGS-AT E JAVËS

Editorial28 Janar 2026, 12:46

Kadare, shkrimtari që kurrë nuk desha ta takoja

Shkruar nga Gjergj Zefi
Kadare, shkrimtari që kurrë nuk desha ta takoja
Ismail Kadare /

Një rrëfim personal mbi librin si formë lirie dhe mbi distancën e nevojshme mes gjenialitetit dhe njeriut, në universin e Ismail Kadare...

Në rininë time të hershme, librat e tij ishin e vetmja dritë në fund të tunelit. Jo si ngushëllim, por si provë se mendimi i lirë mund të ekzistojë edhe kur liria mungon.

Në një botë të mbyllur, ai hapi një hapësirë të brendshme. Aty pushteti humbiste përmasat mitike. Frika bëhej e lexueshme. Absurdi merrte emër. Kjo mjaftonte për të mbijetuar mendërisht.

Në një galaktikë errësire, Kadare ishte i vetmi yll. I vetmi orientim. I vetmi vend ku mendimi mund të merrte frymë pa leje. Ai nuk më mësoi vetëm të lexoj letërsi. Ai më mësoi të imagjinoj lirinë, kur liria nuk ekzistonte.

Kadare nuk predikoi revoltë të drejtpërdrejtë. Ai ndërtoi një univers paralel ku frika zbulohej, pushteti çmitizohej dhe tirania zbërthehej me gjuhë, simbol dhe ironi. Ai e bëri këtë në mënyrën më të rrezikshme për çdo regjim. Duke menduar…

Në fëmijërinë dhe rininë time të parë, unë nuk besoja te ideologjitë. Nuk besoja te pupacët e pushtetit. Kadare ishte i vetmi “zot” që besoja. Ai nuk kërkonte adhurim, më tregonte se njeriu mund të mbetet i lirë edhe kur çdo gjë përreth është e burgosur.

Nga ai mësova se liria nuk fillon nga rruga. Fillon nga fjalia. Nga metafora. Nga refuzimi për të pranuar absurditetin si normalitet. Kadare më dha një imazh të qartë të intelektualit. Jo si një qënie që flet me zë të lartë, por si mendje që reziston gjatë.

Sot, kur Shqipëria jeton një tjetër formë errësire, më të sofistikuar dhe më cinike, Kadare mbetet po aq i domosdoshëm. Jo si monument, por si busull. Jo si ikonë, por si ndërgjegje.

Ai na mëson se kombet nuk mbijetojnë vetëm me bukë dhe pushtet. Ato mbijetojnë me gjuhë, kujtesë dhe dinjitet. Dhe se shkrimtari, në kohë të errëta, nuk e ka luksin të jetë neutral.

Në këtë ditë përvjetori, unë nuk e kujtoj Kadarenë me nostalgji. E kujtoj me mirënjohje. Sepse pa librat e tij, shumë prej nesh do të kishin mbijetuar fizikisht, por do të ishin thyer mendërisht.

Kadare nuk na dha përgjigje të gatshme. Na dha guximin të mendojmë. Dhe kjo ishte forma më e pastër e lirisë që mund të na jepej.

Ismail Kadarenë nuk e takova kurrë. Jo se nuk pata mundësi ta takoj, por sepse nuk doja ta ngatërroja gjeniun me njeriun. Disa emblema kanë nevojë të mbeten në distancë, jo nga frika, por nga respekti. Doja ta ruaja Kadarenë ashtu siç më kishte ardhur përmes librave, të pastër nga rrethanat, nga dobësitë njerëzore, nga banaliteti i së përditshmes. Për mua, ai ishte një mendje, jo një mik. Një ide, jo një përvojë sociale. Dhe ndoshta kjo distancë ishte mënyra ime për ta mbrojtur atë që ai kishte ndërtuar brenda meje.

Për këtë arsye, për mua, ai nuk ishte thjesht shkrimtar. Ishte ideja ime për lirinë./Pamfleti

 

kadare shkrimtari që kurrë nuk doja ta takoja gjergj zefi

15 Komente

  1. M
    M

    Gjergj Zefi, ne kete shkrim ka shume llogjiike dhe shume te vertete qe shume prej shqiptareve e ndjejne brenda vehtes. Faleminderit.

    1. M
      Mustafa Ajdinaj

      Bravo Gjergj.

      1. S
        Sateri

        Te lumte zoti Gjergj. Ne dhjetra shkrime qe lexova sot, asnjeri nuk hynte kaq thjeshte ne esencen e krijimtarise se Kadarese. Fjale e lire mund te bucase edhe aty ku liria mungon. Respekt per ju!

        1. P
          Pyetje

          Shkrimtari “ ne kohe te ereta nuk e ka luksin te jete neutral” Kte ja paska mesuar Kadareja. Po pse , mos valle qe disident Kadareja? Mos qe kundershtar i rregjimit, apo i perkedheluri i pushtetit?

          1. M
            Malo

            Gjergjit!! Eshte e veshtire te leshe nje pergjigje midis dy klasave te jetuara ne ate periudhe,njera e shtypur tjetra e privilegjuar,pra per ne qe skishim te drejte studimi ata qe perfitonin edhe pse ishin nul ne shkolle,keshtu Gjergj megjith respektin njerezore nuk e shofe te njejte me Syrin tuaj.

            1. B
              Bravo

              Perfekt, realist, domethenes!

              1. T
                Tironsi

                Ismaili qe talent ne letersi, dhe hipokrit rrufian i komunizmit ne anen tjeter.

                1. L
                  Lako

                  Nje percaktim, si dokument historik. Mendoj se ata qe si deshire kane te mos kuptojne ate qe Kadareja dhuron per breza te tere, deshire kane gjithashtu te humbasin edhe aftesine e te menduarit.

                  1. X
                    Xxx

                    Ah i dashur Gjergj ! Shkuan bukur por me pak hipokrizi.Kadare ishte shkrimtar qe pershtatej situatave,por hapur nuk dilte kurre.Prandaj ishte n/kryetar i frontit demokratik te Shqiperise,i bente lavde Partise dhe Enverit.Kure ndrroj sistemi ai zgjodhi te arratisej ne France e jo te luftonte ketu.Megjitheate ai mbetet shkrimtar i madh,dredharak.

                    1. K
                      KM Blendi Gonxhja

                      Shkrim brilant! Bravo Gjergj Zefi!

                      1. B
                        BP

                        Fjalë me peshë.

                        1. Kadare mbetet shkrimtar i madh, madje me shume se kaq. Artist sic jane shume pak shkrimtare, James Joyce, Celine, George Bernanos, William Faulkner, Louis Ferdinand Celine apo Kafka mirepo si njeri nuk ishte as i drejte dhe as i sinqerte. Kur u nderrua sistemi, nderroi edhe Kadare ideologji. Librat komuniste i ktheu ne anti-komuniste.

                          1. T
                            Tom Therçaj

                            Nje shkrim brilant qe e ben edhe me terheqes titulli intrigues

                            1. M
                              Mehmeti

                              Me pelqeve, ndonjehere edhe ti je si Kadareja ; )

                              1. D
                                Disidenti

                                Ku ti kërkoj rrënjët e tua Parti Si një rrap madhështor.........,Këto janë vargjet që më kujtohen nga shkrimtari komunist "disident"shqiptarë.Kur sistemit komunist po i binin thojtë shkrimtari "disident"vrapoj ti heq patkojtë??!!!i

                                Lini një Përgjigje

                                Editorial