Nga “udhëheqës i botës së lirë” në përçmues të gjakut të aleatëve; Trump e zhvesh veten nga çdo vlerë konservatore...
Deklaratat e fundit të Donald Trump, të bëra në një takim elektoral në New Hampshire, ku ironizoi pjesëmarrjen dhe sakrificat e ushtarëve italianë në Afganistan, kanë shkaktuar jo vetëm indinjatë në Itali, por kanë trazuar një pjesë të madhe të spektrit të djathtë në të gjithë Evropën.
“Italianët ishin atje vetëm për të bërë foto. Nuk di nëse ndonjë prej tyre gjuajti ndonjëherë një plumb”, citohet të ketë thënë Trump sipas ‘The New York Times’ (23 janar 2026), duke hedhur baltë jo vetëm mbi reputacionin e Forcave të Armatosura Italiane, por mbi vetë etikën e aleancës euro-atlantike. Kjo deklaratë ngre një pyetje shumë më të thellë se ajo që mund të zgjidhet me një reagim diplomatik: kush është në të vërtetë ky njeri që pretendon të përfaqësojë Perëndimin, ndërkohë që shkel mbi gjakun e aleatëve të vet?
Italia nuk është një fuqi që shfaqet në skenat ndërkombëtare për protagonizëm ushtarak. Por përballë angazhimeve të NATO-s, ajo ka qenë një nga vendet më të përkushtuara, duke kontribuar me 53 ushtarë të vrarë dhe mbi 700 të plagosur në fushatat e vështira në Afganistan, veçanërisht në rajonin perëndimor të Heratit, ku operacionet italiane janë vlerësuar edhe nga vetë Pentagon-i për profesionalizmin dhe ndikimin pozitiv mbi popullatën civile (burim: U.S. Department of Defense Report on ISAF, 2012).
Por Italia nuk ishte vetëm. Në kuadër të Forcës Ndërkombëtare për Sigurinë dhe Ndihmë (ISAF), shtetet evropiane kanë paguar një çmim të lartë. Sipas Brookings Institution dhe të dhënave të NATO-s:
Mbretëria e Bashkuar humbi 457 ushtarë;
Gjermania humbi 59 ushtarë;
Franca humbi 89 ushtarë;
Polonia humbi 44 ushtarë;
Danimarka humbi 43 ushtarë (për një vend me 5.8 milion banorë, kjo ishte humbja më e madhe për frymë në Evropë);
Kanadaja (edhe pse jo evropiane, aleate kyçe) humbi 158 ushtarë.
Në total, mbi 1,150 ushtarë jo-amerikanë u vranë në Afganistan, shumica dërrmuese nga vendet evropiane. Të poshtërosh këtë angazhim me një batutë poshtëruese, nuk është vetëm një shpërfillje e një kontributi ushtarak, por është një akt politikisht i papërgjegjshëm, që minon një nga shtyllat e NATO-s: respektin reciprok dhe besimin mes aleatëve.
Ajo që bën deklaratën e Trump edhe më të papranueshme është fakti se ajo vjen nga një figurë që pretendon të jetë përfaqësues i së djathtës tradicionale amerikane; një linjë politike që historikisht ka qenë e lidhur ngushtësisht me nderimin e forcave të armatosura, kultivimin e patriotizmit dhe besnikërinë ndaj partnerëve ndërkombëtarë.
Që nga epoka e Ronald Reaganit e deri tek George W. Bush, e djathta amerikane ka ruajtur një etikë të hekurt për mbrojtjen e ushtarakëve dhe përkujtimin solemn të sakrificave të tyre. Të gjithë këta presidentë e kanë bërë të qartë se, nëse dikush ka derdhur gjak përkrah ushtarëve amerikanë në ndonjë fushëbetejë, ai ka fituar respektin dhe mirënjohjen e përhershme të Shteteve të Bashkuara. Dhe tani, një njeri që vetëpretendon se është trashëgimtar i kësaj tradite, sillet me një mungesë thelbësore empatie dhe respekti që i shkon për shtat më shumë një ciniku populist sesa një lideri konservator.
Në këtë kontekst, reagimi që po vjen nga e djathta evropiane është më shumë se i justifikuar: është një krizë identiteti. Si është e mundur që një figurë e së djathtës, që flet për “shtet të fortë” dhe “rend”, të flakë poshtë nderin e ushtarëve të rënë?
A mundet vallë e djathta evropiane; në Itali, Poloni, Hungari apo gjetkë, të pranojë që lideri simbolik i linjës sovraniste globale të jetë një njeri që tallet me të rënët dhe minon vetë konceptin e sovranitetit kombëtar që ata thonë se mbrojnë?
Le të jemi të qartë: përtej karakterit vetjak të Trump, kjo ngjarje është një sinjal më i gjerë për krizën morale të liderëve politikë që e trajtojnë diplomacinë si spektakël dhe sakrificën si statistikë. Të përqeshësh ushtarët e një aleati nuk është thjesht një gafë; është një akt që vë në pikëpyetje vetë kohezionin e Perëndimit përballë sfidave globale. Në një kohë kur Rusia po teston kufijtë e NATO-s dhe Kina po ndërton aleanca të reja strategjike, sulmet e brendshme kundër aleatëve janë një luks që asnjë demokraci nuk mund ta përballojë.
Trump e ka reduktuar moralin e Perëndimit në një pazarllëk elektoral. Por ajo që ka ndodhur me ushtarët italianë është më shumë se një incident diplomatik; është një shenjë se, nëse liderët e së djathtës globale nuk i rikthehen vlerave të qëndrueshme si respekti, sakrifica dhe ndershmëria, atëherë nuk kemi të bëjmë më me një të djathtë konservatore, por me një farsë populiste që s’ka më lidhje me asnjë traditë politike serioze.
Në fund, ne që i përkasim një bote që ende beson te vlerat, kemi të drejtën të pyesim: Kush dreqin je ti që flet në emër të Perëndimit, dhe poshtëron ata që dhanë jetën për të?/Pamfleti
Gangua i fshatit me corape leshi nuk ka faj. Kjo do te thote qe ne USA po dominonojne zhulsat injorante qe i zgjedhin keta bufone me mendje 10 vjecari. E keqja me e madhe eshte se ky problem eshte ne te gjithe boten e qyteteruar e lere me boten e zhabulaneve. Kush i krijoi keto situata!? Ja "zhvillimi" i mbikqyrjes e spiunllekut permes elektronikes, internetit, AI, si dhe mediave e portaleve sociale qe kane degjeneruar e shketerruar moralin e njerezimit. Pergjimi i njerezve te thjeshte ka mberritur kulmin ku i numurohen edhe karrotat qe ble me carta banke, ndersa oligarkeve nuk u dihen sa hotele, fabrika e kompani kane. Ne te gjitha supermaketet e botes qe jane marramendese te shumellojshmerive te produkteve 75% jane brumera e sheqerna qe helmojne njerezit e 75 e veshjeve jane plastike kanceroze per njerezit e thjeshte. Duan te shkojne ne Mars, c'duan atje, eh qe te ikin pasi ta kete bere boten pershesh e te kethehen kur te qetesohet? Vetem ne kete pike jate te mencur kodoshet e dhjamur me para qe, bejne sikur grinden e kur te vije ora bashko do fluturojne ne Mars.
Pas zgjedhjeve presidenciale ne Amerike nje analist i nje gazete te madhe e serioze amerikane deklaronte se bazen e votuesve Trumpist e perbenin nga pjesa me pak e arsimuar Amerikane . Konkluzioni dihet .