Editorial31 Mars 2023, 12:09

Ku e blen bukën ministrja shqiptare e Financave?

Shkruar nga Pamfleti
Ku e blen bukën ministrja shqiptare e Financave?
Delina Ibrahimaj, ministrja e Financave

Delinës nuk i rezulton se janë rritur çmimet...Na trego edhe ne moj Delina, ku e ble bukën ti? Ku e blen orizin, sheqerin, miellin, djathin, vajin? Këto të paktën se, si njerëz pa shumë pretendime që jemi, fruta e gjëra të tjera as nuk i mendojmë më...

Pa iu dridhur qerpiku, por me siguri edhe e pavetëdijshme për realitetin e vendit të saj, ministresha e Edi Ramës, Delina Ibrahimaj, doli sot para mediave dhe e paraqiti Shqipërinë, kopshtin shkëmbor të Evropës Juglindore. Me sigurinë që karakterizon vetëm njerëzit që e pinë ekstazinë me grushte, Delina doli e tha se, ndryshe nga vendet e botës që pandemia i kryqëzoi dhe ekonomitë, edhe të vendeve më të zhvilluara të Botës i futi ne recension, Shqipëria vazhdon të ketë rritje ekonomike.

Shqiptarët notojnë në mirëqenie d.m.th.

Dhe nuk u mjaftua me kaq!

Sipas saj, bilanci nëse ka pasur rritje çmimesh në vendin tonë, do të bëhet pasi te dalin shifrat zyrtare, por shtoi se deri tani qeverisë nuk i rezulton se ka pasur rritje. Këtu futi edhe produktin bazë dhe kryesor të tryezës së shqiptarëve, bukën.

Sipas Delinës, qeverisë nuk i rezulton të ketë rritje të çmimit.

Për ta shpjeguar ndryshe, Rama me të vetët po pret shifrat e INSTAT - këto 30 vjet i përdorur sipas qejfit nga çdo qeveri që ka hyrë e ka dalë nga godina e kryeministrisë, për të thënë se ka apo jo rritje të çmimit.

Ramës, Delinës dhe pjeshkave të tjera, të kuruara deri në detaj të kësaj qeverie, nuk u bëjnë përshtypje as paralajmërimet e vetë bizneseve për rritjen dhe vështirësive në të cilat ndodhen, as studimet e organizatave të tjera dhe në fund, dhe më e thjeshta, as realitetit që mund të vihet re lehtësisht me një pazar fundjave.

Zor se gjen një shqiptar që jeton në Shqipëri e që të mos e ketë vënë re se çmimet jo vetëm që kanë fluturuar në stratosferë, por edhe se po jetojmë në një situatë që nuk i  duket fundi si është.

Por Delina, e njëjta që ca muaj të shkuar doli e tha se "familjet me 130 euro te ardhura, nuk quhen të varfër", sot del e thotë se nuk ka vënë re gjë, nuk e di nëse janë rritur a jo çmimet.

A thua ku e blen bukën kjo Delina? Na trego edhe ne moj Delina, ku e ble bukën ti? Ku e blen orizin, sheqerin, miellin, djathin, vajin? Këto të paktën se, si njerëz pa shumë pretendime që jemi, fruta e gjëra të tjera as nuk i mendojmë më.

Të kemi rixha na ndriço edhe ne ku e ble bukën e orizin, o Delina, të vijmë edhe ne të mbajmë radhën. Se kush e di, bën vaki di ndonjë dyqan a market që ty ti shet ushqimet me çmim tjetër.

Se kështu u katandis Shqipëria, me Delina e Belina që kur ia hypin pushtetit, iu duket fushë me lule. Zbriti ndonjëherë o Delina.../Pamfleti

delina ibrahimaj buka çmimet