TAGS-AT E JAVËS

Editorial 2 Prill 2023, 10:49

Pse ky gëzim se po ikën Yuri Kim?!

Shkruar nga Sokol Pepushaj
Pse ky gëzim se po ikën Yuri Kim?!
Yuri Kim

Edi Rama ka hyrë në pyll pa sëpatë...

Edi Rama ka hyrë në pyll pa sëpatë, thonë gjysma e shqiptarëve. Kaq është edhe asgjë edhe gjithçka. Është asgjë një “gërvishtje”, një rrëshqitje këmbe në hendek, por është gjithçka kur nuk del dot nga aty. Fshatarët tanë njohin mirë edhe “pyllin” edhe sëpatën, prandaj vendosin pikëpyetje pas çdo dyshimi?!

Ka hyrë në pyllin e fshatit apo në xhunglën e mafies?

Pse ky gëzim se po ikën Yuri Kim?!
Edi Rama

Peizazhet  e ngatërruara, ku ndërthuren agjentët e FBI-së, diplomatët, kriminelët,  bizneset e pista shqiptare, kineze e ruse, që kanë luajtur “bixhoz” me parat e taksave të një fshati të vogël, nuk janë pyll, por xhungël nga ku nuk ka shanse të dalë “shëndosh” asnjëri që futet andej.

Por, a do shpëtojë kryeministri ynë?!

Dyshimi dhe shpresa mund të shihen edhe si forcë e dobësuar edhe si dobësi e fortë.

Të fortët dyshojnë.

Edhe Shenjtëresha Nënë Tereza ka një poezi dyshimi. Dhe ku ka dyshuar?! Aty ku besonte, tek ekzistenca e Zotit.

Po Babloku a dyshon tek rruga e tij, sot që të gjithë e shohin në xhunglën e korrupsionit?!

Ç’është kjo pyetje, ai nuk ka synim të bëhet Shenjt, por Shejtan?!

Ëndrra platonike për jetëgjatësi historike, nuk ju prish as ditën që fshati u bind se është Djalli me brirë, as ditën që ambasadorja Yuri Kim e mbylli gojën për të mos e hapur për të gjallë për prapësitë e tij, as kur Shtëpia e Bardhë ja lidhi duart me pranga ish shefit të FBI-së për New Yorkun.

Ka bërë nervat kaçurrel dhe është ngujuar në një “shpellë”, në Surrel.

Nuk del mes njerëzve dhe ka nisur të hajë “djaj” të vegjël. Katër Djaj të mëdhenj që ambasadori Donal Lu i ka shënuar në regjistrin “kishtar” të drejtësisë si 4 Klanet Mafioze, nuk takohen me Bablokun, por kanë rënë në gjunjë para ngjarjeve që lëshohen si rreze Dielli mbi borën që po shkrin e po mbush “rezervuarin” e drejtësisë.

Këmbët e skenës kriminale ku rrinë djajtë janë thyer. Juria e Madhe në Gjykatën e Distriktit Jugor të New Yorkut do të sekuestrojë pronat dhe paratë e dyshimta të Charls McGonigal dhe xhindeve rreth tij.

E ndërsa ne vazhdojmë të artikulojmë se miqtë e Edi Ramës McGonigal dhe Shestakov kanë ndikuar në lejet e naftës sonë, kanë përdorur nga New Jersey metoda të kamufluara për të transferuar paratë e Deripaskës në llogari të tjera bankare, këta fshatarët tanë ende janë në pyllin pa sëpatë për veten.

Sa kohë Djajtë janë në Xhungël, fshatarët kanë nisur festën në pyll.

Me pak bukë e djathë që u ka ngelur qerasin njëri-tjetrin. Urojnë që gjithë Djajtë të mos dalin kurrë nga xhungla dhe ambasadoren Yuri Kim që është ende në lëndinë mes deleve të ‘thyejë qafën’ e të largohet.

Ti që sjell vetëm zërin e viktimave, i pyet; mirë me këta se ju kanë vjedhur, po me ambasadoren çfarë keni aman, ajo nuk di asgjë ç’bëhet këtej?

-Si ç’kemi, i përgjigjet pyetjes me pyetje njëri që bën ca llogari në celular?!

Pasi merr shifrat e ambasadës, ku për një vit janë pajisur me vizë amerikane 10 vjeçare 22 000 shqiptarë dhe i pjesëton me 3 milion e 600 000 votues dhe të del se duhen 163 vjet që çdo i rritur të vejë një herë në Amerikë, je i detyruar ti thuash fshatarit, vazhdo festo figurë, edhe ke të drejtë.

-Kam edhe më, -thotë fshatari, -po mediat e krimit nuk janë me ne.

Eshka që ndez debatin është marrë nga një pishë në rrugën e Elbasanit. Aty, tek plaga që i dhëmb, e vë “alkoolin” fshatari.

-Shkruaje pash Perëndinë, ambasada ka kufizuar shërbimet për shkak të votimeve, se Bablokut i duhen kosharet plot që të vjedhë vota me grushte.

A ke ankesa të tjera?

-Unë kam shumë, por për sot bëj një provë, apliko ti që shkruan 40 vjet dhe një gazetaruc gjobëvënës i “prerjes” mafioze. Do shohësh se atij ja afrojnë intervistën dhe kalon “pyllin” këtej e niset drejt “xhunglës”, kurse ty të thonë, na vjen keq, jemi me ngarkesa, ose fshatçe, ke sëpatën pa pyll.

Ti, megjithëse e merr me rezerva e të qeshur, fshatari prapë rri serioz dhe nuk i luan asnjë dell në fytyrë, edhe kur i përsëritë pyetjen; More, Djajtë janë në xhungël dhe mirë e kanë, po pse kaq gëzim se po ikën Yuri Kim?!/Pamfleti

yuri kim largimi edi rama

Lini një Përgjigje