Editorial30 Mars 2023, 13:43

Pse Edi Rama po josh dhe kërcënon administratën e lartë?

Shkruar nga Pamfleti
Pse Edi Rama po josh dhe kërcënon administratën e lartë?
Me punonjës të Kryeministrës

Siç duket, gjërat janë më dramatike se ç’thuhen. E buzëqeshja e Ramës që e shpërndau live në rrjetet sociale duket qartë se ishte një lloj zgërdhirje nga zori…

Edi Rama doli sot live me nëpunësit e kryeministrisë, ku i ka bërë të ditur se do t’u rritet rroga, duke joshur në këtë rast ata që janë më të vjetër në atë godinë. Të cilët me marifet Rama i paraqiste si me mbi 30-40 vjet punë.

Parë në aparencë dhe thelb, shfaqja e shëmtuar e Edi Ramës me nëpunësit e kryeministrisë është një skandal i përmasave të mëdha dhe shkelje e hapur e Kushtetutës dhe ligjeve. Pasi administrata është e depolitizuar dhe u ndalohet pjesëmarrja e aktiviteteve politike. Nëse një qeveri merr një vendim për rritje pagash, thjesht e fut atë në zbatim. Nuk ka ndodhur as në kohën e Enver Hoxhës që të përdoren nëpunësit e lartë të institucioneve kryesore të shtetit në luftën politike të përditshme.

Siç dihet, një pjesë e mirë e këtyre nëpunësve janë aty që nga koha e Ramiz Alisë, Sali Berishës, Fatos Nanos etj. Pasi sado që të emërosh njerëz të rinj, praktikat ligjore e proceduriale në lidhje me punën e qeverisë nuk mund t’ia besosh dikujt që nuk i ka kaluar nëpër duar.

E kështu, kjo situatë e krijuar në vite ka bërë që shumë nga këto zyrtarë të administratës të jenë në vija të trasha më të pavarur se të tjerët, e ndër vite ata nuk kanë qenë të lidhur me një apo me një tjetër parti.

Gjithsesi, duke qenë fare pranë folesë së pushtetit, ata e ndjenin më shpejt se të tjerët lëvizjen apo lëkundjen e tij. Në fundin e komunizmit, ishte pikërisht administrata që informonte pjesën tjetër të shoqërisë si dhe opozitën e asaj kohe se komunistët nuk duan ta mbajnë më, se nuk kanë më këllqe. Siç ndodhi edhe në 2013, kur administrata e lartë e braktisi Sali Berishën ngaqë ishte bërë zullumi kapicë.

Pikërisht për këtë, Edi Rama, për të mos lënë që gjërat të rrëshqasin më shumë se duhet, ka joshur nëpunësit e kryeministrisë, se as mos ta çojnë ndërmend një ndryshim pushteti, por ata do të kenë Bablokun, i cili do t’u rrisë rrogat.

Por më shumë se një joshje, i gjithë ai takim, ku ishte prezent edhe Engjëll Agaçi, duket se ishte një shantazh i hapur në mënyrë që asnjëri të mos e çojë ndërmend që të rrëfejë në organe të posaçme, si SPAK, detaje nga puna në kryeministri, për punë VKM-sh meqë ra fjala. Ndryshe nuk do të përfitojë as rritje, e mund ta përsojë edhe më keq. Pasi një pjesë e tyre kanë firmosur në shumë dokumente apo shkresa përcjellëse, si p.sh për çështjen e inceneratorëve, e cila po hetohet me bujë nga SPAK.

E për të cilën Arben Ahmetaj, që po hidhet si ‘kokë turku’ nga Rama, deklaroi në Opinion se “unë nuk kam forcë që të gjeneroj brenda ditësh gjithë ata VKM”.

Për shumë vëzhgues të politikës u duk krejt e pakuptueshme sesi mund të bëhet fushatë me punonjësit e kryeministrisë, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë, të paktën në 30 vitet e fundit. Por siç duket, gjërat janë më dramatike se ç’thuhen. E buzëqeshja e Ramës që e shpërndau live në rrjetet sociale duket qartë se ishte një lloj zgërdhirje nga zori./Pamfleti

edi rama administrata e lartë