Editorial30 Mars 2023, 12:22

Ambasadore, duan të “vrasin” Altin Dumanin!

Shkruar nga Sokol Pepushaj
Ambasadore, duan të “vrasin” Altin Dumanin!
Altin Dumani

Ky “teatër” rruge, ky rrethim i SPAK-ut, nuk është lëvizje shoqërore, as idealizëm, por strategji e Mafies në fund të udhës, afër greminës...

Që kreu i SPAK-ut, Altin Dumanin, është nën trysni, nuk është as abstraksion, as “korsi” pa sinjale për ata që i njohin mafiozët prej kur ishin “kothere” e deri sa u bënë sheikë. Shkak ngjan humbja e lidhjeve të “Shtëpisë së Lirisë” që vret lirinë dhe “Rilindjes” që rigjeneron krimin, për ndonjë arrestim VIP të befasishëm, që mund të ndodhë edhe gjatë fushatës elektorale.

Si presion të parë për të nënshtruar drejtësinë, u maskuan ca “Peshq” dhe u shfaqën si “fshatarë” të “armatosur” me pankarta, flamuj dhe mikrofonë, që rrethuan SPAK-n, me mesazhin:

Hajdutë, dorëzoni hajdutët!

Ambasadore, duan të “vrasin” Altin Dumanin!

Po cila është metafora?!

Hajdutët vërtetë janë ngujuar aty, në Godinën e Drejtësisë. Aty nuk preken. Në aparencë, sipas “Kanunit” të Lekë Dukagjinit, ngjante se të dy palët kanë të drejtë; edhe ata që kërkojnë “gjaksorët” e tyre, hajdutët që nuk i durojnë më, edhe Altin Dumani, që si zot shtëpie u jep besë.

Lajmi përcillet sikur një përfaqësi e shoqërisë civile, i kanë vënë kusht Kështjellës së Drejtësisë, të lëshojë hajdutët, ose aty, mbi altoparlantë,  do rrinë e nuk do shkoqen.

Edhe hajdutët e shkretë fshatarët tanët janë, e prokurori nuk mund  të “shkelë” i pari zakonet, t’i lëshojë në duar të turmave.

Po e keqja nuk është kjo.

Fshatarët i njohin nga turinjtë dhelprat, edhe kur kakarisin si pula. Kësaj  shoqërie “civile” i printe burri i një ish-ministreje të ish LSI-së dikur. Ish ministrja e ndjerë të na ndjejë, por “grushti” i zyrtarëve të gjallë është ende i rëndë për shoqërinë.

“Grushti” i drejtohet kreut të SPAK-ut!

Dosjet e krimit ekonomik dhe shoqëror i ka stivë, po nuk është as ai që i hap, as ai që i mbyll...

Të dorëzojë hajdutët, Mafia e “vret” duke e rrahur, t’i mbrojë, e rreh deri sa ta “vrasë”.

Kështu kanë vepruar edhe me paraardhësin e tij. E rrethuan në një vilë në Gji të Lalzit. “Qëlloje” njëri e “qëlloje” tjetri, deri sa e bënë kufomë.

-Guxo preki mafiozët!- thanë pasi ja bënë kokën daulle.

Dhe këtë histori e di gjithë fshati, se edhe vila edhe “kufoma” këtu janë.

Këta të hurit e litarit, kanë “vrarë” jo vetëm prokurorë të veçantë, por mediat, shpresën, kundërshtarët, shoqërinë civile, opozitën, të djeshmen e të sotmen dhe po frikësojnë edhe të nesërmen.

Po ç’do ndodhë?!

E keqja as gjykohet as zgjidhet fshatçe, pa ndihmën e miqve tanë amerikanë, e veçmas diplomates Yuri Kim, mburojës së vetme të fjalës së lirë, që gjithë shqiptarët e shohin si Diellin që mund të futet në labirinthet e mafies. Këtë shqetësim, e kemi detyrim jo vetëm moral, ta diskutojmë me audiencën tonë.

Ambasadore, duan të “vrasin” Altin Dumanin!
Yuri Kim dhe Altin Dumani

Është pikërisht kjo, dilema e fshehur në skutat e padijes njerëzore, se si “vampirët” përkunden në djep si fëmijë, e askush nuk e di ç’po bën.

Sa janë të vegjël rriten me ninulla; Sa të mirë nana e ka djalin/ Lum për Zotin që na e fali/ Kur të rritesh mor zamak/ Tash gzon nanën në konak...

Kur rriten, blejnë doktoratura, bëhen zyrtarë, pasanikë, pastaj nuk u nxihet surrati as kur u këndohet kënga; Në lëndinë në bar të butë/ hedhin valle tre hajdutë... 

Po, ku janë hajdutët sot?!

Po, për t’ju fshehur drejtësisë, mjaft “Djaj” janë nëpër listat e partive, kandidatë për kryetar Bashkie. Shumë nga ata kanë dosje kriminale për abuzime me fondet publike. Në vend të rrinë me veshët dhe sytë hapur kur do ju trokasë prokuroria në portë, kanë shpartalluar portat e drejtësisë dhe ekraneve e janë shpërndarë rrugëve të Shqipërisë duke blerë vota me para të vjedhura.

Ky “teatër” rruge, ky rrethim i SPAK-ut, nuk është lëvizje shoqërore, as idealizëm, por strategji e Mafies në fund të udhës, afër greminës, prandaj e ngremë zërin sot; Ambasadore, duan të “vrasin” Altin Dumanin!/Pamfleti

 

ambasadorja altin dumani spak rrethimi