Editorial 4 Dhjetor 2023, 13:42

Konsensusi Rama-Berisha për të aktivizuar planin serb në Tiranë

Shkruar nga Gjergj Zefi

 

Konsensusi Rama-Berisha për të aktivizuar planin serb në
Pamje nga parlamenti i sotëm /

Gjithçka që po zhvillohet në këto orë, nuk është veçse një cirk, për të cilin askush nuk blen biletë…

Cirku i njerëzve të Sali Berishës në Kuvend që kërcënojnë se do t’i vënë flakën parlamentin, e që përsëritet vazhdimisht prej më shumë se një muaji, ngjan si një skenar i estradës së Ballshit.

Në çdo vend të botës, nëse një deputet djeg Parlamentin, arrestohet në flagrancë me akuzën e rëndë të prishjes së rendit kushtetues.

Lënia e lirë nga Edi Rama që Sali Berisha të mbajë me zjarr Parlamentin, dhe që Kuvendi nuk arrin dot të zhvillojë një seancë normale, duket se është thjesht një skenar i paracaktuar.

Një skenar që ka dy anë, atë gjyqësore dhe atë politike. Gjyqësore, duket qartë se SPAK është tashmë nën një shantazh të fortë dhe se akuzat ndaj njerëzve të rëndësishëm të Shqipërisë trazojnë rendin kushtetues. E këtu, kemi një ndarje rolesh ose më mirë, një akord të palëve, për t’i treguar prokurorisë speciale, se nuk mund të firmosë lehtësisht mandatet e arrestit, apo prokurat e shpalljes së të pandehurve.

Sali Berisha, po tenton që përveçse të arrijë atë që do, pra të mos ketë asnjë njeri të familjes në burg, edhe të ndalojë ç’është e mundur avancimin e çështjeve që SPAK ka në dosjet e tij.

Nga ana tjetër, mazhoranca, pra Rama, i bën të ditur SPAK-ut me lejimin e zjarrvënies së Parlamentit, se nëse shpallin të pandehur Sali Berishën, e digjet Parlamenti; me avancimin e dosjeve në sërat e larta të qeverisë, mund të digjet vendi, dhe  këtu nuk ka garanci edhe për SPAK-n më pas.

Loja megjithatë nuk duket se mbaron këtu. Siç po shohim, jemi në një situatë ku nëse deri në janar të vitit të ardhshëm nuk zhvillohen seanca normale në Kuvend, gjasat janë që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme.

E siç mësohet, Edi Rama ka menduar gjatë për skenarin serb të Aleksandar Vuçiç. Pra provokimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare por edhe vendore në shumicën e bashkive në fund të pranverës.

Kjo arrihet shumë thjesht me dorëheqjen e një numri kryebashkiakësh, ndërkohë që disa të tillë janë në hetim nga SPAK-u.

E kështu zhvillohen zgjedhje mes Edi Ramës e Sali Berishës. Normalisht do të përsëritet një 14 maj, me një ndryshim që në këtë rast Sali Berisha mund të marrë më shumë bashki, si dhe një numër më të madh deputetësh si opozita kryesore në vend.

Mbajtja peng nga Lindita Nikolla e përcaktimit se kush është grupi parlamentar i opozitës dhe kryetari i saj, mban ngrehur Gaz Bardhin dhe depuetët që të jenë gati për zgjedhje nga momenti në moment.

Po me cilën sigël do të garojë Sali Berisha në zgjedhje të parakohshme që po provokon Edi Rama?

Ky duket telashi më i vogël. Pasi në këtë rast i ka ndihmuar edhe Lulzim Basha që po vonon aksionin e tij politik, me shpresën se situata do të zvarritet deri në majin e 2025-s. Nuk është ndonjë çudi që në momentin e fundit, Berisha të marrë edhe vulën e PD-së, por edhe po nuk e mori, aty e ka Ilir Metën, nëse i jep pazarin e duhur.

Dhe meqë jemi te pazari, heshtja e Ilir Metës është një epope në vete. Këtu ja vlen të qëndrohet, pasi po flitet për një negociatë frenetike që ka të bëjë me shitjen e të gjitha pronave të tij. Ku gjithçka po zhvillohet për të shmangur konfiskimet e pritshme nga SPAK.

Me pak fjalë, jemi para një skenari, ku në maj të kemi zgjedhje, e përveç Edi Ramës që do ta kemi më të fuqishëm se sot, të kemi edhe Sali Berishën, opozitë kryesore.

Siç pritet edhe në Serbi, që ndërsa Vuçiç të dalë i fituar, Sheshel të jetë njeriu që të përfaqësojë “rrezikun rus”.

Gjithçka që po zhvillohet në këto orë, nuk është tjetër veçse një cirk, për të cilin askush nuk blen biletë…/Pamfleti 

konsensusi rama berisha plani serb tirana

Editorial