TAGS-AT E JAVËS

Forum27 Shkurt 2023, 10:43

Kosova dhe Ukraina, dy histori të një drame të njëjtë planetare

Shkruar nga Fadil Lepaja
Kosova dhe Ukraina, dy histori të një drame të njëjtë
Parlamenti i Kosovës

Sjellja e Rusisë ndaj Ukrainës dhe e Serbisë ndaj Kosovës ndjek të njëjtën logjikë: kërko privilegje për pakicat dhe anekso territore, rigrupo popullsinë, aty ku nuk përshtatet struktura etnike, dëbo/shfaros komunitetet e tjera. Me një fjalë të vizatonin me forcë kufijtë, sipas përkatësisë etnike.

Kosova dhe Ukraina, janë sulmuar me të njëjtin motiv, me të cilin dikur Hitleri i sulmonte vendet  fqinje, pra për të mbrojtur Volksdeutsche-rët . Pakica gjermane, kudo që ndodhej, sipas tij duhej të trajtohej veçantë, duhej të bashkohej me Gjermaninë.

Luftërat e nisura me këtë motiv, me aneksime, ishin vetëm fillimi i luftës së dytë botërore, pas së cilës bota nuk ishte më e njëjtë.

Kështu, ngjashëm thoshte edhe memorandumi i parë i ASHAS (Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë), në prag të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Natyrisht, këtu bëhej fjalë për serbët, të cilët sipas tyre nuk mund të ishin pakicë në shtetet përreth si Kroacia, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia Veriore dhe Kosova, shtete këto të cilat po formoheshin nga shpërbërja e ish Jugosllavisë. Ata udhëzoheshin të formonin republikat e tyre kudo që ishin. Një e tillë, u shpartallua pas operacionit kroat “Stuhia”. Tjetra ende mbahet në Bosnjë e Hercegovinë, me shpresën se do të vijë në ndihmë Rusia. E treta synohet të formohet në Kosovë dhe të jetë “Jerusalemi serb”.

Në rastet kur ata nuk ishin kompaktë, si në Bosnjë dhe Kosovë, por të shkapërderdhur, atëherë hynte në lojë “rregullimi i terrenit”, pra përshtatja e strukturës etnike me nevojat e shtetit serb, që  të përfshinte të gjithë serbët në një shtet.

Harta demografike e Bosnjës dhe Hercegovinës, pas luftës shpërfaqi në formën më morbide përmasat e gjenocidit të këtij programi i cili i kushtoi vetëm Bosnjë e Hercegovinës  disa qindra mijëra civil të vrarë.

Ashtu si pas sulmeve naziste në vitet 40-ta të shekullit të kaluar, edhe pas sulmit rus mbi Ukrainën, para një viti dhe aneksimit të pjesëve të territoreve duke u thirrur në pakicën ruse, bota më nuk është e njëjta. Pas kësaj lufte asgjë nuk do të jetë si më parë. Nën shpresën e fuqizimit të Rusisë dhe shpërbërjes së BE, të gjithë udhëheqësit politik dhe fetar serb luajtën lojën e njëjtë: duke blerë kohë dhe duke kërcënuar me luftë, gjoja për të mbrojtur serbët në Kosovë.

Sjellja e Rusisë ndaj Ukrainës dhe e Serbisë ndaj Kosovës ndjek të njëjtën logjikë: kërko privilegje për pakicat dhe anekso territore, rigrupo popullsinë, aty ku nuk përshtatet struktura etnike, dëbo/shfaros komunitetet e tjera etj. Me një fjalë të vizatonin me forcë kufijtë, sipas përkatësisë etnike. Rusët në Ukrainë po përpiqen ta zgjidhin këtë çështje me luftë, ndërsa Serbia, për fat të mirë, pavarësisht okupimit të kamufluar të veriut të Kosovës, megjithatë u orientua nga negociatat, ndoshta pikërisht për shkak se ka më pak fuqi dhe për shkak të pozitës më të pavolitshme gjeopolitike se Rusia. Prezenca e NATO-s në Kosovë gjithsesi e bëri Serbinë të vishet me lëkurën e qengjit.

E parë në këtë këndvështrim, situata e Ukrainës dhe Kosovës janë të ngjashme dhe ndërhyrja ushtarake e perëndimit po ashtu ka motiv pak a shumë të njëjtë qoftë humanitar apo gjeopolitik..

Sigurisht, Kosova nuk është çliruar vetëm për faktin se dikur ka qenë e pushtuar, jo vetëm për shkak se ka respektuar vullnetin e shprehur dhe angazhimin  e jashtëzakonshëm dhe plotë sakrifica  të popullit të saj për të jetuar të lirë. Kosova asnjëherë nuk e kishte ndalur rezistencën. Mbi të gjitha vendimtare, për ndërhyrjen ushtarake ishin abuzimet e planifikuara dhe të organizuara të shtetit serb të cilat u shoqëruan me dhunë të paparë ndaj civilëve, lëvizjes paqësore dhe me spastrime etnike ndaj popullatës shqiptare në territorin e Kosovës.

Sidoqoftë, bota nuk është më e njëjtë pas sulmit të Rusisë mbi Ukrainën dhe aneksimin e territoreve me pretekst se po formonte shtet për pakicat ruse. As Serbia më nuk është e njëjtë, ose shpresojmë të mos jetë, pas thyerjes së strukturave paralele në Kosovë dhe idesë së ekzistimit të dy shteteve paralele.

Lidhjet shpirtërore dhe politike të Serbisë me Rusinë nuk ndjekin interesin serb në plan afatgjatë, por ndjekin interesat e Kishës së pa reformuar serbe e cila jeton në mesjetën e saj të hershme dhe synon ta mbaj rolin e saj jo vetëm në shtetin dhe shoqërinë serbe, por edhe në tërë rajonin. Rikthimi i Serbisë në Evropë është i pamundur pa reformimin e plotë të Kishës Serbe dhe  rolit të saj në shtetin serb dhe në rajon.

Padyshim, Evropa nuk ka asnjë problem me popullin, kulturën ruse apo serbe, sikurse nuk ka problem as me shtetin turk dhe popullin apo kulturën e tij, por ka probleme të patejkalueshme me ideologjitë zyrtare të tyre që mbështeten në fundamentalizmin fetar dhe në autoritarizëm, që bie  ndesh me demokracinë evropiane.

Shtetet ku dominon ideologjia dhe morali zyrtar, ku ligji nuk e kufizon pushtetin e tyre, nuk mund të pretendojnë për integrim në bashkësinë e popujve të lirë.

Sot në përmasa planetare demokracia është e sfiduar nga autoritarizmi, qytetaria nga fanatizmi fetar dhe paqja nga interesat e lobit global të naftës e luftës./Pamfleti

kosova ukraina histori të një drame fadil lepaja

Lini një Përgjigje