Votat për Tabakun dhe Alimehmetin ishin rebelimi i heshtur ndaj Berishës: një mesazh i qartë nga demokratët për një opozitë të re, të arsyeshme dhe të çliruar nga trashëgimia...
Në zgjedhjet e 11 majit, Partia Demokratike dhe aleatët e saj, së bashku me pjesëmarrjen nga diaspora kanë arritur në mbi 530 mijë vota. Nëse kësaj shifre i shtohen edhe votat e partive të tjera opozitare, kemi përpara një masë të konsiderueshme, që përfaqëson Shqipërinë që nuk e do më Edi Ramën. Një shumicë e heshtur që e di se nuk fiton dot, por që ka vendosur të mos dorëzohet.
Kjo nuk është një masë tifozësh të verbër, por njerëz që, edhe pse të zhgënjyer, vazhdojnë të kërkojnë një alternativë. E ndërkohë që Sali Berisha fiton mandate mbi pazare dhe lista të mbyllura, të njëjtët votues i dërguan një mesazh të qartë përmes votës preferenciale: më shumë vota për Jorida Tabakun dhe Ilir Alimehmetin: dy figura që përfaqësojnë normalitetin politik dhe jo ekstremizmin e polarizuar.
Kjo është një votë sfiduese, brenda listës, për t’i treguar Berishës dhe klanit të tij se PD-ja nuk është më pronë personale. Militantët dhe aktivistët e saj janë të lodhur, jo vetëm nga humbjet, por nga hijet e së shkuarës. Ata nuk duan më të jenë pjesë e një lufte mes dy “liderëve të përjetshëm” që kanë bërë pazare me njëri-tjetrin për drejtësinë, për zgjedhjet, për kullat dhe për gjithçka tjetër.
Votuesit opozitarë e kanë kuptuar se urrejtja që Berisha e Rama mbjellin kundër njëri-tjetrit është strategji për të kontrolluar pushtetin, dhe jo për ta ndarë atë. Kjo urrejtje nuk sjell ndryshim, por ngërç dhe vota e 11 majit e ka thyer këtë formulë.
Faktet flasin vetë: Berisha nuk ka më me vete as drejtuesit teknikë të dikurshëm, as intelektualët demokratë, as figurat e moderuara. Asnjë drejtor me eksperiencë nga qeverisja e kaluar nuk e mbështeti publikisht këtë fushatë. Nuk e bëri asnjë mjek i njohur, asnjë profesor universitar, asnjë ekspert real, përveç zëdhënësve të sherrit dhe nostalgjisë.
Votuesit demokratë i kanë braktisur edhe protestat, edhe mitingjet, edhe sulmet personale. Ata nuk duan më polarizim. Duan politikë të arsyes, të modelit qytetar, të argumentit. Vota për Alimehmetin dhe Tabakun është një referendum i brendshëm për të larguar Berishën dhe për të hapur rrugë një opozite të re.
Kjo opozitë nuk mund të ndërtohet mbi figura të konsumuara si Flamur Noka, Tritan Shehu, Gjin Gjoni, Albana Vokshi apo kandidatë që janë perceptuar si arketipë të degradimit politik. Këto fytyra janë “të paprezantueshme” dhe këtë e tregoi vota.
E ardhmja e opozitës kërkon diçka krejt tjetër: një lidership të ri, një model të ri, një pakt social të ri. Një hapje reale për figura të reja, me kredibilitet dhe profesionalizëm. Jo djem të baballarëve, jo trashëgimtarë politikë, jo “pronarë” të kauzës opozitare.
Dhe, më e rëndësishmja, kjo opozitë e re duhet të lindë me një sinjal të qartë për votuesit gri dhe për Perëndimin: një divorc i pakthyeshëm me Sali Berishën, si në formë, ashtu edhe në përmbajtje.
Kjo është kërkesa e heshtur e qindra mijëra votuesve që nuk duan më të zgjohen çdo mëngjes me zhurmën e një lufte që nuk sjell fitore. Është koha për një opozitë që ndërton, jo që djeg; që bind, jo që ulëret; që fiton me model, jo me mit./Pamfleti
Lini një Përgjigje