TAGS-AT E JAVËS

Editorial30 Prill 2026, 12:03

Po sikur përplasja në PS të jetë një lojë me regji?

Shkruar nga Pamfleti
Po sikur përplasja në PS të jetë një lojë me
Ilustruese /

Pas 14 vitesh pushtet absolut, çdo ‘kundërshti’ brenda PS-së duket më shumë si skenar i kontrolluar sesa si betejë reale për pasardhjen...

Në vitin e 14-të të qeverisjes së mazhorancës, në një situatë konvencionale, në Partinë Socialiste duhet të kishte nisur me kohë lëvizja për përgatitjen e pasardhësit të Edi Ramas.

Në këto raste, fraksionet, klanet dhe grupet e brendshme duhet të organizohen dhe të përgatiten për një përballje, garë dhe dalje në skenë të riorganizimit politik.

Në mandatin e fundit, kur Angela Merkel kishte shpallur se do të largohej, fraksioni oponent i CDU-së, i drejtuar nga kancelari aktual Friedrich Merz, kishte përgatitur gjithçka për të marrë në dorë partinë. Madje edhe hapat konkretë se si do të arrihej deri aty, përfshirë zgjedhjen e një kryetari tranzitor.

Mirëpo në Partinë Socialiste, gjërat as nuk mund të mendohen të ecin në mënyrë konvencionale. Kjo jo vetëm pas ardhjes në krye të Edi Ramës, por edhe më herët.

Dy grupet e forta kundërshtare në PS ishin në kulm në kohën kur Ilir Meta ishte ende brenda partisë, para krijimit të LSI-së. Në fund të vitit 2003, kur Fatos Nano e largoi, ai kishte një strategji të qartë: nëse do të fitonte zgjedhjet e vitit 2005, do të hynte në histori dhe do ta kontrollonte plotësisht partinë, sipas modelit Papandreu në PASOK; nëse do të humbte, do të largohej, pasi nuk kishte më as mundësi dhe as dëshirë të vazhdonte.

Por Fatos Nano nuk donte që partinë t’ia linte Edi Ramës, sepse e dinte se ai do ta pushtonte atë. Nanos i interesonte një kontroll përmes fraksioneve, për të matur influencën reale.

Dhe në të vërtetë, deri në mesnatën e kongresit të tetorit, Nano ia arriti qëllimit. Në media kishte deklaruar se partia nuk duhet t’i jepej Edi Ramës, pasi sipas tij ai do ta shkatërronte. Rezistenca ishte e fortë, por me ndihmën e Gramoz Ruçit dhe lobeve të nëndheshme në mazhorancë, Edi Rama arriti ta marrë drejtimin.

Që të nesërmen e uljes në zyrën e kryetarit të PS-së, thuajse gjithçka ndryshoi: partia e majtë, nga një strukturë poroze me grupe, u kthye në një piramidë komanduese, ku grupimet nuk lejoheshin.

Të vetëdijshëm për situatën, të gjithë u përshtatën me këtë model, duke përfituar nga indulgjenca e kryetarit. Sidomos pas ardhjes në pushtet, Rama tregoi përmes rasteve të Tahirit, Bushatit, Fatmir Xhafës etj., se “kokat e divanit të sulltanit” mund të priten lehtësisht nga shpata e tij.

Nuk ka pasur asnjë mundësi reale për të organizuar një rebelim, qoftë edhe minimal. Sipas një modeli thelbësisht osman, Edi Rama ka prerë në rrënjë jo vetëm çdo grupim ekzistues, por edhe çdo përpjekje potenciale për krijimin e tij. Madje, kryeministri ka ngritur një sistem të fortë ndjekjeje dhe informimi për të kontrolluar çdo lëvizje në pushtet dhe përtej tij.

Këtë e dinin edhe ndërkombëtarët që kanë mbështetur ndër vite Edi Ramën dhe qeverisjen e tij. Pikërisht për këtë, amerikanët, përkatësisht Sekretari i Shtetit Antony Blinken, i kërkuan në vitin 2024 të përgatitej për largimin dhe të gjente një pasardhës.

Takimi i tij me Erion Veliajn, si i vetmi politikan i konsideruar pas Ramës, ishte sinjali se pasardhësi ishte identifikuar.

Por këtë përpjekje Edi Rama e preu në rrënjë, duke përkeqësuar imazhin e tij demokratik dhe duke marrë mbi vete, edhe në sytë e Perëndimit, vulën e një autokrati lindor.

Në këto kushte, situata është e qartë: një rrymë që mund ta rrëzojë Edi Ramën apo t’i marrë partinë jashtë vullnetit të tij mund të lindë vetëm nëse ai dobësohet rëndë ose nëse shpërthen një përplasje e brendshme e fortë.

Realisht, nuk jemi ende në këto kushte.

Megjithatë, Edi Ramës i duhet krijimi i një mjedisi, një mizanskene, për t’i dhënë Perëndimit mesazhin se po përgatit largimin, madje sipas standardeve perëndimore. Pikërisht në këtë kontekst duhen parë daljet e Erion Braçes si një zë “i pavarur”, dhe më pas ajo e Spiropalit si oponente e hapur.

Edi Rama mbetet politikani i vetëm në Shqipëri që vepron me një plan të qartë dhe të detajuar në kohë, duke mos i lënë zhvillimet në dorë të kaosit, edhe kur duket në fund të ciklit të tij politik. Përkundrazi, çdo hap duket i kalkuluar.

Shembull është edhe mënyra si veproi me prishjet në Tiranë, për të prerë çdo lidhje jashtë oborrit të tij, veçanërisht me grupin e Erion Veliajt. Në këtë mënyrë, ai rrëzoi edhe imazhin e kryebashkiakut të Tiranës, i cili kishte fituar tre mandate radhazi, duke e zbehur ndjeshëm figurën e tij.

Sot, gjithnjë e më shpesh rikthehet në narrativë epoka e Edi Ramës në krye të Bashkisë së Tiranës, duke e “zeruar” 12-vjeçarin e Erion Veliajt.

Nuk është aspak çudi që e gjithë kjo të jetë një plan i kalkuluar për të krijuar një “rilindje demokratike” brenda PS-së, ku figura të pakënaqura do të përplasen mes tyre, ndërsa në fund “populli socialist” do të kërkojë me ngulm vazhdimin e qëndrimit të liderit.

Një skenar që ngjan me atë të Rexhep Taip Erdoganit, i cili pasi bëri katër mandate si kryeministër, largoi Ahmet Davutoglun dhe më pas mori edhe tre mandate si president me fuqi ekzekutive.

A mund ta bëjë këtë edhe Edi Rama?

Ndoshta jo në mënyrë identike. Por si logjikë për të mbajtur kontrollin mbi PS-në, qoftë edhe duke katapultuar figura të reja nga jashtë sistemit, është një skenar që nuk përjashtohet./Pamfleti

 

po sikur përplasja në ps të jetë një lojë me regji

3 Komente

  1. B
    BP

    Papaxhanit nganjëherë i duhen viktima që turma të vihet e të rrijë në rresht. Jetëgjatësi politike në baxhen e tij nuk ka asnjë. Veç vetes.

    1. N
      NDËRGJEGJJA

      Tërë mediave vizive e të shkruara dhe anal-istëve të mjeruar ju doli si përralla e Dhelprës me koqet.e dashit......dhe si të tilla mbushin garuzhdet nga kazani politikës duke i zbrazur në pjatën e një populli që flet me vehten.....

      1. F
        Feti Dema

        "Nuk kam nevojë për leksionet dhe mësimdhëniet e Pamfletit". "E di vetë kur do iki, kur dua unë, jo kur thoni ju". "I juaj SHPATI".

        Lini një Përgjigje

        Editorial