Editorial22 Prill 2024, 13:16

“Shpronësimi” moral dhe politik i Milan Radojçiçit

Shkruar nga Fadil Lepaja
“Shpronësimi” moral dhe politik i Milan
Aleksandar Vuçiç dhe Milan Radojçiç /

Pasi nuk arriti të bëjë atë që bëri “Hamas” në Bregun Perëndimor, Radojçiç mbeti nën juridiksionin e askujt. As Serbia nuk e dorëzon dot, dhe as ai vetë nuk dorëzohet dot...

Edhe mund të pranohet ideja se shteti serb nuk e ka ditur se çfarë po kurdiste Radojçiç. Ai mund të ketë punuar në konspiracion. Mund të ketë pasur ndihmën dhe logjistikën dhe mbështetjen operative të armatës apo shërbimit sekret serb, apo ndonjë shërbimi tjetër të jashtëm të interesuar për të krijuar krizë në veri të Kosovës. Krejt kjo, teorikisht, mund të jetë bërë pa dijeninë e qendrës politike, ushtarake apo të sigurisë në Beograd. Ajo që nuk pranohet, sipas vetë qytetarëve serb, është përse Beogradi zyrtar vazhdon ta mbështesë.

Kujtesa historike serbe, njeh rastin e Austro-Hungarisë, e cila kishte kërkuar nga qeveria e atëhershme e Serbisë të dorëzojë atentatorët e dyshuar ndaj trashëgimtarit të fronit Franc Ferdinand, të cilën e kishte marrë përsipër organizata militante, nacionaliste serbe “Mlada Bosna”(“Bosna rinore”). 

Serbia nuk kishte pranuar të dorëzojë atentatorët, as nuk kishte lejuar që drejtësia austro-hungareze të zhvillonte hetime në tokën serbe. Kjo kishte qenë e mjaftueshme për të shpallur luftë. Për serbët ky kishte qenë momenti i fillimit të një epopeje historike, të cilën e konsiderojnë më të lavdishmen në historinë e tyre, e cila u mbyll me rreshtimin e Serbisë në radhën e fituesve të luftës së parë botërore. Kështu kishte filluar historia i ikjes së shtetit serb nga territori dhe kthimi triumfal në fund të luftës.

Ka që mendojnë se ky ka qenë skenar. Dalja nga negociatat, fillimi i një konflikti të ri, me pushtimin e rrufeshëm të veriut dhe rikthimi i tij në kuadër të Serbisë, pastaj, sipas modelit të Krimesë, vazhdimi i luftës politike apo ushtarake për enklavat serbe, sidomos ato me rëndësi strategjike si në Anamoravë, Sharr dhe Grçanicë. Por, diku kishte marrë tatëpjetën ky skenar. Ndoshta atëherë kur shërbimet sekrete gjermane dhe ato perëndimore kishin kapur urdhrin e koduar të Vulin (Shef i BIA) për sulm në veri, i cili më vonë u tërhoq nga detyra.

Atëherë, përse nuk dorëzohet Radojçiç?

Padyshim se e vetmja zgjidhje është që ai të vetë-dorëzohet, sepse dorëzimi i tij nga Beogradi zyrtar do të thoshte pranim se në Kosovë nuk ka sovranitet. Gjykimi i tij në Beograd, sjell probleme të tjera, po aq të mëdha me ligjet serbe dhe ato ndërkombëtare. Sjell edhe probleme politike.

Ka që mendojnë se arsyet janë krejt të tjera, dhe nuk kanë të bëjnë fare me integritetin apo sovranitetin, janë thjesht çështje parash. Askush nuk e di saktë se sa përfitonte struktura rreth Radojçiç, nga ndërmjetësimi politik në mes Beogradit dhe Prishtinës që nga negociatat e para, për zhbllokimin e Urës mbi Ibër, ku edhe u promovuan si “paqe-krijues”. Kjo i shndërroi ata në pushtet në tokën e askujt, në mes Kosovës dhe Serbisë, një marrëveshje e heshtur biznesi miliarda dollarësh e cila u bë shtylla e paqes, “pa status” në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe që i shkonte për shtat edhe konjukturës evropiane të kohës, të cilët preferonin më tepër një paqe tampon në zonë sesa një vatër krizash që mund të ndezte jo vetëm rajonin.

Kështu Radojçiç dhe shoqëria e tij u bënë pronarë jo vetëm të gjithçkaje që mund të monetizohej, fondeve shtetërore të Kosovës, Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare të ndara për veriun e Kosovës, por u bënë faktikisht edhe pronarë të territorit dhe popullit, të cilët ndiqnin pa diskutim kërkesat e grupit. Kushdo që kundërshtonte, që prekte në paqe (biznesin) e ndërtuar në Veri,... merrte fund.

Tani, kur nën ndikimin e zhvillimeve në frontin e lindjes, grupi e pa me interes të lidhej me projekte më të gjera dhe të merrte rëndësi rajonale e mbase edhe më gjerë, si kontrollues të frontit të dytë, Rusi-Perëndim, doli nga kontrolli edhe i Beogradit edhe i Prishtinës, si pjesë e një projekti më të gjerë të hapjes së fronteve ndaj perëndimit, ku Serbisë i ishte ndarë roli i ngjashëm, i cili është ndarë edhe për Iranin.

Pasi nuk arriti të bëjë atë që bëri “Hamas” në Bregun Perëndimor, Radojçiç mbeti nën juridiksionin e askujt. As Serbia nuk e dorëzon dot, dhe as ai vetë nuk dorëzohet dot.

Sidoqoftë, “Shpronësimi” i tij në Veri, ka ndodhur. Veriu i Kosovës, politikisht dhe ushtarakisht nuk është më nën kontrollin e këtij grupi, siç nuk janë as negociatat mes Kosovës dhe Serbisë. Vendimi për Dinarin, ishte goditja e fundit e madhe ndaj këtij grupi dhe kontrollit të tij absolut në Veri të Kosovës, dhe ndërhyrja ndërkombëtare rreth dinarit kishte vetëm një kuptim, të mbrojë qytetarët serb të Kosovës nga pasojat e këtyre zhvillimeve.

Periudha tranzitore, do të krijojë rrugën legale të qarkullimit të parasë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nga e cila do të përfitojnë më së shumti vetë qytetarët.

Rasti Radojçiç, nuk është mbyllur ende. Ai e posedonte një territor, një komunitet dhe negocionte me dy shtete lidhur me këto prona të tij. Tani është de faktorizuar. Asnjë zgjidhje nuk duket në horizont. Sidoqoftë, tradita bizantine në politikën serbe di të befasojë./Pamfleti

'shpronësimi' moral dhe politik i radojçiç