TAGS-AT E JAVËS

Editorial11 Shtator 2025, 13:48

Më në fund edhe një ministre katolike: Diella!

Shkruar nga Gjergj Zefi

Më në fund edhe një ministre katolike: Diella!

Kur nuk gjen më njerëz për të përfaqësuar qytetarët, shpik ministra virtualë; një kukull dixhitale për t’u tallur me Brukselin dhe me shqiptarët...

Pas më shumë se një dekade në pushtet, Edi Rama vendosi të zgjidhë njëherë e mirë çështjen e përfaqësimit fetar në qeveri. Jo duke emëruar një politikan të ri, jo duke promovuar ndonjë figurë të shquar nga komuniteti katolik, por duke shpikur një ministre dixhitale. Quhet Diella. Një emër i ngrohtë, i butë, që tingëllon si shpresë, por në fakt nuk është gjë tjetër veçse një algoritëm i programuar. Dhe me këtë, Kryeministri i mbyll gojën Europës: “Ja, kemi edhe ministre katolike”.

Diella është ministrja ideale për një pushtet që nuk do të rrezikojë asgjë. Nuk ka histori, nuk ka bindje politike, nuk ka personalitet, nuk ka gojë. Nuk proteston, nuk grevon, nuk kërkon llogari. Është e gatshme 24 orë në ditë, punon pa paga, nuk i ngre zërin kurrë kryeministrit dhe nuk ka gjasa të tradhtojë. Një ministre perfekte për një republikë të aferave, ku ministrat e vërtetë nuk shërbejnë për qytetarët, por për liderin.

Me këtë shpikje, Rama e shfaq veten si “vizionar modern”, por në fakt nuk bën gjë tjetër veçse tall bythën me qytetarët e tij. Në një vend ku njerëzit ikin masivisht nga varfëria, ku korrupsioni është kthyer në sistem, ku shërbimet publike janë shkatërruar, ai prezanton një ministre virtuale. Një kukull teknologjike për të mbuluar realitetin politik. Dhe kur dikush të guxojë të pyesë për mungesën e përfaqësimit real, përgjigjja është gati: kemi Diellën, ministren katolike.

Në këtë farsë të re, qeveria shqiptare e ka kaluar çdo limit. Në vend që të përfaqësojë qytetarët, ka filluar të përfaqësojë algoritme. Dhe kjo nuk është më as cinike, është qesharake. Nëse deri dje ministrat ishin puthadorë të kryeministrit, sot kemi edhe një puthadorë virtuale. Një ministre dixhitale, që nuk i duhet as vend në tryezë, as karrige në sallë, por që shërben si fasadë për të mashtruar Brukselin e për të tallur shqiptarët.

Dhe kështu, pas të gjitha aferave, skandaleve dhe dështimeve, Edi Rama i bën historisë një “dhuratë” të re: Shqipëria është i vetmi vend në Europë që ka një ministre imagjinare. Më në fund, edhe një ministre katolike: Diella!/Pamfleti

diella ministrja katolike e edi ramës

Lini një Përgjigje

Editorial