Ekonomi31 Tetor 2023, 17:44

Koncesionet gërryejnë buxhetin e shtetit, Rama rrit me 1 mld lekë shpenzimet për klientët e qeverisë

Shkruar nga Pamfleti

Koncesionet gërryejnë buxhetin e shtetit, Rama rrit me 1 mld lekë

Ndonëse FMN ka kërkuar të bëhet kujdes me koncesionet, qeveria ka rritur fondet për PPP-të...

Koncesionet vijojnë të gërryejnë buxhetin e shtetit. Sot ka shkuar në Kuvend buxheti për vitin 2024 dhe një pjesë e madhe e të ardhurave do të shkojnë për të financuar PPP-të e famshme.

Sipas relacionit të buxhetit, janë 11 kontrata koncesionare aktive dhe buxheti që do të shkojë për to është 14.298.346.000 lekë. Një rritje e lartë krahasuar me një vit më parë, ku për PPP-të shkuan 13,084,651.000 lekë. Pra kemi një rritje me afro 1 miliardë lekë të reja.

Për sa i përket respektimit të nenit 4/2 të Ligjit nr.9936 datë 26.06.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor, ku përcaktohet se: "...shuma e përgjithshme e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat  (PPP), si rregull, nuk duhet të tejkalojnë kufirin prej 5 për qind të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor...", rezulton se: Për vitin 2024, kufiri i lejuar i pagesave neto për kontratat konçesionare/PPP, prej 5% i të ardhurave tatimore faktike të pritshme të vitit 2023, është rreth 29.8 miliardë lekë.  Për vitin 2024, pagesat vjetore neto që parashikohet të kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme për kontratat koncesionare/PPP, kapin vlerën rreth 14.3 miliardë lekë. Rrjedhimisht, në buxhetin 2024 respektohet kufizimi ligjor i sipërcituar në zbatim të rregullit fiskal respektiv, pasi vlera e parashikuar prej rreth 14.3 miliardë lekë për pagesat vjetore neto të kontratave koncesionare apo PPP për vitin 2024, përbën vetëm 2.4% të totalit të të ardhurave tatimore faktike të pritshme për vitin 2023 prej rreth 595.8 miliardë lekë”, theksohet në buxhet.

Koncesionet gërryejnë buxhetin e shtetit, Rama rrit me 1 mld lekë

Më tej theksohet se Fondet buxhetore të alokuara sipas planit me ndryshime për vitin 2023 të raportuar nga Autoritetet Kontraktore përkatëse, me destinacion mbështetjen buxhetore për kontratat koncesionare/PPP, rezultojnë në total rreth 13.08 miliardë lekë. Nga këto, rreth 5.11 miliardë lekë investime dhe rreth 7.97 miliardë lekë shpenzime korente.

Sipas relacionit, krahasuar me pagesat faktike të vitit 2022, të cilat arritën vlerën rreth 12.64 miliardë lekë, pagesat e planifikuara për vitin 2023 janë rreth 3.5% më të larta ose rreth 443.7 milionë lekë më shumë.

Pagesat faktike për periudhën 9 mujore 2023 rezultojnë në masën rreth 7.98 miliardë lekë ose 61% e planit vjetor me ndryshime të vitit 2023. Nga këto, niveli më i lartë i pagesave është realizuar në muajin Mars me rreth 1.54 miliardë lekë ose 19.3% të pagesave faktike 9 mujore: Pagesa më e lartë e realizuar në muajin Mars është pagesa prej rreth 510 milionë lekë për kontratën “Përmirësimi, Ndërtimi, Operimi dhe Mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit”, pagesë e cila përbën 33% të totalit të pagesave faktike të realizuara në muajin Mars.

Sipas Ministrisë së Financave, për disa kontrata koncesionare/PPP me mbështetje buxhetore, për periudhën 9 mujore të vitit 2023 ka patur rritje të pagesave buxhetore krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku veçojmë kontratat:

-“Përmirësim, Ndërtim, Operim, Mirëmbajte e Rrugës Porti i Jahteve-By Pass Orikum-Dukat”, ku pagesat faktike për 9 mujorin 2023 rezultojnë rreth 367.8 milionë lekë më të larta se 9 mujori 2022.

Sipas Autoritetit Kontraktor (MIE), kjo diferencë argumentohet me ndryshimin e modelit financiar të kontratës në fjalë, ku edhe në terma vjetorë totali i planit të pagesave për vitin 2023 është rreth 606.3 milionë lekë më i lartë se totali i pagesave faktike të vitit 2022.

-“Për Përmirësimin e Infrastrukturës Arsimore në Bashkinë e Tiranës ‘Për Projektimin, Financimin, Ndërtimin, Mobilimin, Mirëmbajtjen, Mbikqyrjen dhe Kolaudimin e pesë objekteve arsimore në Zonën Tirana 1 dhe për 4 objektet arsimore në zonën Tirana 4”, ku pagesat faktike për 9 mujorin 2023 rezultojnë rreth 302.6 milionë lekë më të larta se 9 mujori 2022.

Pak ditë më parë ishte FMN që kërkonte kujdes me koncesionet, pasi po gërryejnë buxhetin, por qeveria vijon me qefinë saj dhe at që e pësojnë janë gjithmonë qytetarët. /Pamfleti