TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet2026-06-30 18:37:00

Moti i keq përfshin jugun e vendit, erë e fortë dhe reshje shiu në Vlorë; turistët braktisin bregdetin

Shkruar nga Pamfleti

Moti i keq përfshin jugun e vendit, erë e fortë dhe reshje shiu

Paqëndrueshmëria atmosferike ka përfshirë jugun e vendit, duke sjellë erë të fortë dhe reshje shiu në disa zona bregdetare, ndërsa moti i keq ka ndikuar edhe në aktivitetin turistik. Në zonën e Rradhimës, pushuesit janë detyruar të lënë plazhet për shkak të erës së fortë, e cila ka vështirësuar qëndrimin në bregdet dhe ka ndryshuar ndjeshëm kushtet atmosferike.

Pas një periudhe të gjatë me temperatura të larta dhe mot të kthjellët, reshjet e shiut, të shoqëruara me erë të fortë, kanë përfshirë qytetin e Vlorës dhe disa fshatra të qarkut.

Situata më problematike është regjistruar në zonën e Lumit të Vlorës, veçanërisht në fshatin Vranisht, ku moti i keq është shndërruar në furtunë. Sipas të dhënave paraprake, era e fortë ka shkaktuar dëme në pemëtari, ndërsa janë dëmtuar edhe tenda dhe çatitë e disa ambienteve të restoranteve.

Ndërkohë, reshje intensive shiu kanë përfshirë edhe Himarën, duke bërë që shumë pushues të largohen nga plazhet dhe të ndërpresin aktivitetet e tyre në bregdet. Deri më tani nuk raportohen persona të lënduar, ndërsa autoritetet pritet të vlerësojnë dëmet e shkaktuara nga kushtet e pafavorshme atmosferike.

shi vlorë

Lini një Përgjigje