TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet2026-01-08 12:20:00

Moti i keq në Durrës, urdhërohet evakuim i menjëhershëm për banorët e Sukthit dhe Katundit të Ri

Shkruar nga Pamfleti
Moti i keq në Durrës, urdhërohet evakuim i menjëhershëm
Evakuim i menjëhershëm për banorët e Sukthit dhe Katundit të Ri në Durrës

Pas Novoselës në Vlorë, autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e menjëhershëm edhe për banorët në Durrës, konkretisht në njësitë administrative Sukth dhe Katund i Ri për shkak të situatës së rënduar nga përmbytjet dhe rrezikut të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Procesi i evakuimit po realizohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, prefekturën dhe strukturat vendore të emergjencave.

Sipas njoftimit të shpërndarë nga Ministria e Mbrojtjes, evakuimi po kryhet me prioritet për fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në zona të izoluara, ndërsa transporti sigurohet nga mjetet e bashkisë, shërbimi zjarrfikës dhe Forcat e Armatosura.

Bashkia, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe shërbimet shëndetësore e sociale, do të kujdeset për strehimin e përkohshëm, regjistrimin e të evakuuarve dhe plotësimin e nevojave bazë. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet në terren dhe të kontaktojnë numrin e emergjencave në rast nevoje.

Ndërkohë një viktimë është regjistruar nga moti. 54-vjeçari në Durrës humb jetën pasi e mori rrjedha e motit. 

"Vendimi është marrë në zbatim të Ligjit nr. 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile”, Planit Kombëtar të Emergjencave Civile dhe planeve vendore të emergjencave, ndërsa evakuimi do të realizohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefektin e Qarkut dhe strukturat vendore të emergjencave civile.

Sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin administrativ. Autoritetet bëjnë thirrje që çdo komunikim dhe kërkesë për ndihmë t’u drejtohet strukturave publike në terren.

Në procesin e evakuimit, prioritet do të kenë:

fëmijët,
të moshuarit,
personat me aftësi të kufizuara,
familjet që ndodhen në zona të izoluara.
Transporti i banorëve do të sigurohet nga mjetet e bashkisë, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH) si dhe Forcat e Armatosura.

Sa i përket strehimit të të evakuuarve, ai do të menaxhohet nga Bashkia, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, njësitë e kujdesit shëndetësor dhe strukturat e shërbimeve sociale. Do të kryhet regjistrimi i qytetarëve në momentin e mbërritjes, si dhe do të sigurohen ushqimi, veshmbathja dhe ndihma mjekësore, sipas nevojës.", thuhet një njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Situata në qarqet e tjera:

VLORË-FIER

Lumi Vjosa ka dalë nga shtrati në zonën e Urës së Mifolit dhe ka arritur në nivelin 8 metra mbi nivelin e detit. Në Novoselë dhe në fshatin Ferras ka nisur evakuuimi i banorëve. 

Policia largoi tregtarët nga Ura e Mifolit. Raportohet për 100 ha tokë bujqësore të përmbytur dhe 14 banesa nën ujë. Prurje të shumta ka pasur edhe në Memaliaj, ku niveli ka shkuar 7.5 metra. Në Vlorë, u ndalua edhe lundrimi i peshkarexhave.  

Dalja e lumit Vjosa ka shkaktuar përmbytje të 200 ha tokë bujqësore në fshatin Ferras dhe 27 banesa janë nën ujë. Në Lushnjë dhe Divjake 280 hektarë toka janë në ujë pas daljes nga shtrati të lumit Seman.

DURRËS

Në Durrës u shënua viktima e parë nga moti i keq. Një 54-vjeçar ka humbur jetën pasi e ka marrë rrjedha e kanalit në zonën e ish-repartit ushtarak. Trupi i pajetë u gjet nga polumbarët e Reneas. Lumi Erzen ka dalë nga fshati duke përmbytur dhjetëra hektarë toke dhe duke rrethuar banesat në Katund të Ri.Në këtë zonë, si edhe në Sukth ka nisur evakuuimi i banorëve. 

Si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit Droje ka vërshime uji në dy fshatra të Krujës: Dukagjin i Ri dhe Miliska. Në fshatin Miliska uji ka hyrë në banesa, ku janë prekur 50 familje. Në Shijak ka prani uji në 15 banesa.

LEZHË

Rreth 3000 ha tokë bujqësore janë nën ujë në Lezhë; është bërë evakuimi i dy familjeve; rreth 100 banesa janë të rrethuara nga uji. Po punohet për mbylljen e çarjes së argjinaturës në lumin Droje, fshati Dukagjin.

SHKODËR

Rritje të nivelit të ujit në fshatin Obot, me rreth 60 cm ujë mbi rrugën kryesore. Qarkullimi bëhet vetëm për mjete të tonazhit të lartë. 15 banesa të rrethuara nga uji në Vaun e Dejës; në disa fshatra të Malësisë së Madhe ka rugë të bllokuara dhe prezencë uji; në bashkinë Fushë-Arrëz janë evidentuar shkarje dherash dhe rënie gurësh, prezencë e shtuar e ujit në rrugët autorurale, që kanë shkaktuar dëmtime.

 

moti i keq në durrës urdhërohet evakuim i menjëhershëm

Lini një Përgjigje