Momente tensioni janë regjistruar paraditen e sotme në protestën që po zhvillohet prej më shumë se tre javësh para godinës së Kryeministrisë.
Situata u tensionua pasi protestuesit vendosën një çadër në bulevard për t’u mbrojtur nga temperaturat e larta dhe rrezet e forta të diellit. Menjëherë pas vendosjes së saj, efektivët e Policisë ndërhynë duke kërkuar largimin e çadrës, çka solli reagimin e qytetarëve të pranishëm.
Pas disa minutash diskutimesh dhe kundërshtimesh nga protestuesit, forcat e rendit u tërhoqën nga zona, ndërsa çadra mbeti e vendosur. Në vijim, qytetarët shpërthyen në thirrje kundër qeverisë, duke përsëritur sloganin që është bërë simbol i protestës: "Rama, jep dorëheqjen!"
Protestuesit kanë deklaruar se do të vijojnë qëndrimin e tyre përpara Kryeministrisë deri në plotësimin e kërkesave, ndërsa prej 22 ditësh kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.
Pavarësisht episodeve të tensionit dhe paralajmërimeve të herëpashershme të Policisë për lirimin e hapësirave publike, protesta ka vijuar pa incidente të rënda, ndërsa një grup qytetarësh vazhdojnë të qëndrojnë në bulevard edhe gjatë orëve me temperatura të larta.
Lini një Përgjigje