Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Zjarr në lagjen “15 Tetori” të Vlorës/ Rrezikohen banesat pranë
Një vatër zjarri është përhapur mëngjesin e kësaj të marte në lagjen “15 Tetori” të Vlorës. Zjarri ka rënë në një hapësirë me pemë të llojit pishë dhe shkurre që gjenden në disa prej shtëpive të banuara në zonën në fjalë.
Dyshohet se kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme për të pastruar atë pjesë të territorit nga barishtet dhe shkurret, por flakët po përhapen si rrjedhojë e erës.
Ndërkohë kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat po mundohen të shuajnë zjarrin. Kjo është vatra e dytë aktive e zjarrit që bie në këtë zonë ditët e fundit.
Drejtësia në pazar me krimin/ Trifoni i ‘Bana King’ dhe arkave me kokainë ia hedh pa u lagur!
Ndonëse reforma në drejtësi u bë për t’i dhënë fund aferave, skandaleve dhe dallavereve në gjykata e prokurori, në fakt jo vetëm që kjo nuk ka marrë fund, por situata është bërë akoma edhe më keq. Gjyqtarët dhe prokurorët jo vetëm që shohin nga xhepat, por tani një pjesë e madhe (padiskutim ka edhe njerëz të ndershëm) janë duke bërë pazare me krimin.
Rasti më flagrant vjen nga Durrësi, pasi Prokuroria ka pushuar hetimet ndaj Trifon Muratajt të Bana King, i njohur edhe si “Mbreti i Kokainës”.
Në portin e Durrësit, policia zhvilloi disa aksione, pasi në kontejnerët e bananeve të kompanisë “Zico” të Trifon Muratajt u kapën sasi të mëdha kokaine. Dosja më pas u mor nga SPAK, por, si duket, në prapaskenë dosja ka shkuar në Prokurorinë e Durrësit, e cila ka pushuar hetimet dhe këtë e ka vulosur në gjykatë.
Nëse shihet vendimi, i cili mban datën 23 qershor 2026, justifikimi është skandaloz. Sipas Prokurorisë, “Bana King” ishte viktimë e pastër e një tentative “kontaminimi” nga grupe kriminale ndërkombëtare dhe, për këtë arsye, gjykata ka vendosur pushimin e hetimeve.
Por shembujt nga terreni tregojnë të kundërtën.
Salianji akuza Berishës/ Po bën pazare me Ramën për reformën zgjedhore dhe territorial
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar publikisht lidhur me bojkotin e fundit të seancës parlamentare, duke deklaruar se deputetët e grupit parlamentar të PD-së kanë qenë kundër këtij vendimi dhe kanë kërkuar të përballen politikisht me kryeministrin Edi Rama në Kuvend.
Sipas Salianjit, deputetëve nuk iu është lejuar pjesëmarrja në seancë nga Sali Berisha, i cili, sipas tij, është justifikuar me pretendimin se kishte shqetësime për protestuesit dhe hedhjen e vezëve, ndërsa arsyeja e vërtetë është tjetër.
“Nëse do të kishte vullnet për opozitë, deputetët do të ishin në sallë për tu përballur me qeverinë. Frika e vërtetë është nga kërkesa gjithnjë e më e fortë e qytetarëve që Sali Berisha të largohet, pasi është shndërruar në patericën politike që e mban Edi Ramën në pushtet. Nën trysnine qytetare te presionit per largim Berisha po ben marreveshjet e reja me Ramen”, u shpreh ai.
Në reagimin e tij, Salianji pretendon se aktualisht po zhvillohen “dy pazare” në dëm të opozitës dhe qytetarëve, të cilat lidhen me reformën zgjedhore dhe reformën territoriale.
Ai u shpreh se, sipas vlerësimit të tij, Berisha nuk ka paraqitur asnjë propozim konkret për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, si dhe nuk ka ofruar një alternativë për mënyrën se si opozita duhet ta konceptojë ndarjen e re administrative të vendit.
Salianji theksoi gjithashtu se, sipas tij, kur opozita heq dorë nga përballja me qeverinë dhe angazhohet në marrëveshje për reformat, ajo humbet rolin e saj opozitar dhe kalon në një formë bashkëjetese politike me mazhorancën.
Mbyllja e 3 kapitujve për Shqipërinë/ Marta Kos: Sot është një “Super e Martë” për zgjerimin e BE
Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos ka vlerësuar progresin e bërë nga Shqipëria pasi do të mbyllë kapitujt e parë të negociatave.
Kos deklaroi se Shqipëria, së bashku me Ukrainën, Moldavinë dhe Malin e Zi, po shënojnë përparim të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian.
Ajo ka pohuar vazhdimisht se zgjerimi mbetet një nga prioritetet strategjike të Bashkimit Evropian dhe se vendet kandidate që vijojnë reformat dhe përmbushin kriteret do të avancojnë më tej në procesin e anëtarësimit.
“Sot është një “Super e Martë” për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Për herë të parë në më shumë se dy dekada, po zhvillojmë katër konferenca të anëtarësimit në të njëjtën ditë. Katër vendet që kryesojnë procesin Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi, po hedhin të gjitha hapa të mëdhenj përpara në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE. Me Ukrainën dhe Moldavinë po hapim Klasterin 6, i cili mbulon fusha si mbrojtja dhe siguria, ku argumentet për anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian janë veçanërisht të forta. Shqipëria do të mbyllë kapitujt e saj të parë të negociatave. Ndërsa Mali i Zi ndodhet tashmë në fazën përfundimtare të negociatave formale, pasi ka mbyllur 18 nga 33 kapituj. Tani, ky moment pozitiv duhet të shndërrohet në rezultate konkrete në terren“, shkruan komisionerja Marta Kos në “X”.
Delegacioni i Shqipërisë në Bruksel, i cili kryesohet nga kryeministri Edi Rama do të ulet sot në Konferencën e Nëntë Ndërqeveritare me Brukselin për të mbyllur kapitujt 25, 26 dhe 30, të cilët përkojnë me shkencën dhe kërkimin, arsimin dhe Kulturën si dhe Marrëdhëniet me Jashtë.
Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje