TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota2026-04-30 08:30:00

“Plotësuese” e NATO-s/ Britania injoron Trump, krijon flotë të përbashkët me 9 vende të Europës kundër Putin

Shkruar nga Pamfleti

Shefi i Marinës Mbretërore thotë se forca e bashkuar detare do të pengojë kërcënimet e ardhshme ruse nga "kufiri i hapur detar" në veri.

“Plotësuese” e NATO-s/ Britania injoron Trump, krijon
Britania krijon flotë të përbashkët me 9 vende të Europës

Britania e Madhe ka rënë dakord të krijojë një forcë të përbashkët detare me nëntë vende evropiane, me synimin për të penguar kërcënimet e ardhshme ruse nga “kufiri i hapur detar” në veri, ka njoftuar kreu i Marinës Mbretërore, Gwyn Jenkins.

Gjenerali Sir Gwyn Jenkins tha se, pavarësisht krizës së vazhdueshme në Lindjen e Mesme, ku Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur pas luftës SHBA-Izrael në Iran, “Rusia mbetet kërcënimi më i madh për sigurinë tonë”.

Në një fjalim, ai theksoi se 10 anëtarët e Joint Expeditionary Force (Forca e Përbashkët Ekspeditare) kishin nënshkruar javën e kaluar një deklaratë qëllimi për krijimin e një “force detare shumëkombëshe”, e cila do të shërbejë si një “plotësuese e NATO-s”, raporton The Guardian.

Kjo forcë nuk do të përfshijë Shtetet e Bashkuara, ku presidenti Donald Trump ka kritikuar vazhdimisht Mbretërinë e Bashkuar për mungesë mbështetjeje aktive në bombardimet ndaj Iranit, duke i quajtur në një moment aeroplanmbajtëset britanike “lodra”.

Bashkëpunimi ushtarak mes SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar ndodhet në një pikë të ulët, pasi dy vendet kanë mosmarrëveshje lidhur me Ngushticën e Hormuzit. SHBA ka deklaruar se kërkon ndihmë për të hapur ngushticën, ndërsa ka kritikuar diskutimet britanike dhe franceze për patrullime mbrojtëse pas përfundimit të luftës, duke i cilësuar ato si “të kota”.

Forca e Përbashkët Ekspeditare përfshin Holandën, pesë vendet nordike dhe tre shtetet baltike, me Mbretërinë e Bashkuar si anëtarin më të madh ushtarak. Edhe Kanadaja po shqyrton mundësinë e anëtarësimit, ndërsa disa vende të NATO-s po rishikojnë përgjigjen e tyre ndaj agresionit në rritje të Rusisë.

Më herët këtë muaj, Mbretëria e Bashkuar deklaroi se nëndetëset spiune ruse ishin ndjekur teksa kryenin atë që dukej si survejim i fshehtë i infrastrukturës nënujore rreth Britanisë.

“Ndërhyrjet ruse në ujërat tona janë rritur me pothuajse një të tretën në dy vitet e fundit”, tha Gwyn Jenkins, duke shtuar se Britania ka një “kufi të hapur detar me Rusinë në veri”.

Qëllimi i forcës së re detare, e cila mund të komandohet nga selia ushtarake britanike në Northwood, në veri-perëndim të Londrës, është që të trajnohet dhe të përgatitet në mënyrë të përbashkët.

Ajo gjithashtu do të jetë “e projektuar për të luftuar menjëherë nëse është e nevojshme, me kapacitete reale, plane reale lufte dhe integrim të plotë”, tha Jenkins, megjithëse marina pati vështirësi të vërë në dispozicion një anije luftarake në fillim të luftës në Iran.

U deshën më shumë se tre javë pas një sulmi me dron ndaj bazës britanike në Akrotiri, në Qipro, për të dërguar anijen luftarake HMS Dragon në Mesdheun lindor, ndërsa më pas shkatërruesja u detyrua të ankorohej për shkak të problemeve me sistemin e ujit dhe tualetet.

Jenkins tha se kriza në Lindjen e Mesme e ka vënë marinën në qendër të vëmendjes. “A ishim mjaftueshëm të përgatitur? A mund të luftojmë sot dhe, nëse po, me çfarë?” u shpreh ai, duke shtuar se ekziston një plan i përgjithshëm veprimi.

Burime detare kanë thënë se kriza e mungesës së gatishmërisë në fillim të luftës lidhet me mungesën e investimeve të mëparshme dhe ndikimin e shkurtimeve në ndërtimin e anijeve nga qeveritë e mëparshme.

Gwyn Jenkins, ish-komandant i marinsave mbretërorë dhe forcave speciale, deklaroi se “anije shoqëruese pa ekuipazh”, dronë të mëdhenj detarë do të lundrojnë krah anijeve luftarake britanike brenda dy viteve të ardhshme, si pjesë e përpjekjeve për të rritur kapacitetet ushtarake me kosto më të ulët.

Megjithatë, edhe pse Mbretëria e Bashkuar ka kërcënuar të konfiskojë cisternat e ashtuquajtura të “flotës fantazmë” të lidhura me Rusinë që eksportojnë naftë nën sanksione, ajo nuk e ka bërë këtë, ndërsa vende të tjera evropiane kanë pasur sukses në veprime të tilla.

Rusia ka angazhuar fregata për të shoqëruar anije nën sanksione përmes Ngushticës së Doverit, në sfidë të paralajmërimeve britanike të bëra publikisht nga Keir Starmer më 25 mars. Që atëherë, 98 cisterna të sanksionuara kanë kaluar në ujërat britanike.

britania injoron trump krijon flotë të përbashkët

2 Komente

  1. T
    Tony

    Europa e bashkuar u ha gurmazin te gjitheve sepse, qendron shume me lart se te tjeret ne qyterim, fisnikeri, teknologji, dinjitet, force ushtarake. Mos harrojma se ish kolonite e Europes u ngriten e u fuqizuan me teknologjine e Europes. Lufta e pare dhe e dyte boterore u krijuan nga te tjeret matane oqeanit. Pasi u shkaterrua dy here Europen e futen ne borxhe e sakatuan e kur Europa e ngriti koken filluan prapa luftra. Por me e keqja eshte se Europa po denigrohet nga harbuteria e xhunglave e shkretetirave te botes permes dyndjeve barbare. Qytetet Europiane jane zhgarravitur poshtersisht nga llumi i llumit qe vjen cdo dite e stimulohet nga ata qe krijuan luftrat e Europes. Perderisa ligesi do sundoje boten rreziku i luftrave e vuajtjeve nuk do te kete fund.

    1. T
      Tony

      Keto jane brockulla te dementias apo idiotesi burokratesh. Anijet tregtare te Kines lundruan gati dy dekada me flamurin Shqiptar e nuk i gjeti gje kur e dinin te gjithe. Ka ligje nderkombetare qe rregullohen nga OKB. Ah, nese nuk gjihet me OKB ose eshte degjeneruar ne nje ndertese me hunj gardhi ku "valeviten" flamujte e kombeve, ne rregul.

      Lini një Përgjigje