Imazhi i tij në monedha (dhe tani në pasaporta), postime me kurorën e artë: është stili i një monarku
Donald Trump ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur pretendimet se synon të ushtrojë pushtet absolut, duke theksuar se kufizimet politike dëshmojnë të kundërtën. Në qershor të vitit të kaluar, ai deklaroi se nuk ndihet si mbret, duke shtuar se për miratimin e vendimeve përballet me vështirësi të vazhdueshme. Të njëjtin qëndrim ai e përsëriti edhe në një intervistë për gazetaren Norah O’Donnell në emisionin “60 Minutes” të CBS News, ku tha se, nëse do të ishte mbret, nuk do të kishte nevojë të përballej me sfida të tilla.
Një sondazh i publikuar nga YouGov në vitin 2025 tregon se 52% e amerikanëve besojnë se Trump do të dëshironte të ishte mbret. Megjithatë, rezultatet pasqyrojnë një ndarje të thellë politike: 84% e votuesve demokratë ndajnë këtë bindje, ndërsa vetëm 29% e republikanëve mendojnë njësoj.
Këto deklarata vijnë në një klimë tensionesh politike, mes akuzave se presidenti ka zgjeruar kompetencat e ekzekutivit dhe protestave të organizuara në disa qytete amerikane nën sloganin “No Kings”. Nga ana tjetër, Trump dhe aleatët e tij kanë akuzuar Partinë Demokratike dhe disa media se, duke e paraqitur atë si kërcënim për demokracinë, nxisin armiqësi dhe rrezikojnë sigurinë e tij personale. Zëdhënësja Karoline Leavitt i përsëriti këto shqetësime pas një atentati të fundit, gjatë darkës së korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.
Reagime të forta shkaktuan edhe disa postime në rrjetet sociale nga Shtëpia e Bardhë. Një prej tyre përfshinte një foto të Trump me Mbretin Charles III, shoqëruar me mbishkrimin “Dy mbretër”. Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, reagoi duke ironizuar se njëri është mbret i Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa tjetri “mbret i budallallëqeve”.
Postime të tjera përfshinin një imazh që paraqiste Groenlandën përballë zgjedhjes mes ndikimit amerikan dhe atij të Kinës apo Rusisë, si dhe një kopertinë të sajuar reviste ku Trump shfaqej me kurorë, pas një deklarate të tij në rrjetin Truth Social ku shkruante “Rroftë mbreti”.
Ndërkohë, një pjesë e elektoratit demokrat shpreh shqetësim për atë që e konsideron si përqendrim të pushtetit dhe dobësim të mekanizmave kushtetues të kontrollit dhe balancës. Në të kundërt, mbështetësit e presidentit i cilësojnë këto postime si forma komunikimi simbolike dhe ironike ndaj kundërshtarëve politikë.
Në të njëjtën linjë, Trump shpërndau edhe një artikull të Daily Mail që sugjeronte një lidhje të largët familjare me Mbretin Charles, duke reaguar me humor për mundësinë e jetesës në Buckingham Palace.
Prania e imazhit të presidentit në hapësirat publike dhe në iniciativa të ndryshme institucionale mbetet e dukshme. Ai është shfaqur në ndërtesa qeveritare, në materiale promocionale dhe në projekte që përfshijnë edhe kartëmonedha, monedha përkujtimore dhe edicione të posaçme të pasaportave amerikane në kuadër të 250-vjetorit të pavarësisë./Përshtati "Pamfleti", nga "Corriere della Serra"
Lini një Përgjigje