
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka reaguar lidhur me deklaratën e Presidentit amerikan Donald Trump, i cili kërcënoi me ndërprerjen e tregtisë me Spanjën për shkak të qëndrimit të Madridit ndaj konfliktit me Iranin.
Në një video të publikuar nga zyra e tij, Sanchez theksoi se qëndrimi i Spanjës për konfliktin aktual ka qenë “i qartë dhe konsistent”, duke shtuar se ai është në linjë me pozicionet që vendi ka mbajtur edhe për luftërat në Ukrainë dhe në Gaza.
“Pozicioni i qeverisë spanjolle mund të përmblidhet në këto fjalë: jo luftës”, deklaroi Sanchez.
Ai shtoi se Spanja kundërshton çdo përpjekje për të cenuar rendin ndërkombëtar. Sipas tij, ky rend mbron të gjitha vendet, veçanërisht popullsinë civile dhe grupet më të prekshme.
“Ne jemi kundër prishjes së rendit ndërkombëtar që na mbron të gjithëve. Problemet e botës nuk mund të zgjidhen përmes konfliktit dhe bombardimeve”, u shpreh kryeministri spanjoll.
Deklarata e Sanchez vjen një ditë pasi Donald Trump, gjatë një takimi në Zyrën Ovale me kancelarin gjerman Friedrich Merz, kritikoi ashpër qëndrimin e Spanjës ndaj konfliktit, duke e cilësuar atë “të tmerrshëm”.
“Ne do të ndërpresim të gjithë tregtinë me Spanjën”, paralajmëroi Trump gjatë takimit.
Ndërkohë, Franca ka shprehur mbështetje për Spanjën. Sipas Pallatit Elize, presidenti francez Emmanuel Macron ka zhvilluar një telefonatë me Sanchez për të theksuar “solidaritetin evropian të Francës” ndaj asaj që Parisi e cilësoi si kërcënime të fundit për shtrëngim ekonomik.
Lini një Përgjigje