
Tensionet në Ngushticën e Hormuzit janë përshkallëzuar sërish, pasi tre anije cisternë u goditën brenda pak orësh në një nga korridoret detare më të rëndësishme për transportin e naftës dhe gazit në botë.
Qendra e Operacioneve Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO) bëri të ditur se dy incidente u regjistruan brenda më pak se një ore. Sipas agjencisë, një prej anijeve u godit nga një dron, duke pësuar "dëme të vogla strukturore", ndërsa një tjetër u godit nga një "predhë e paidentifikuar", e cila shkaktoi dëmtime në strukturën e saj.
UKMTO theksoi se "deri më tani nuk janë raportuar viktima apo ndikime në mjedis", ndërsa shtoi se anija e goditur nga droni "po vazhdon për në portin e saj të radhës".
Më herët gjatë së martës, një cisternë e tretë raportoi se ishte goditur nga një "predhë e panjohur" në anën e majtë të anijes, duke shkaktuar një zjarr. Edhe në këtë rast, sipas UKMTO-së, nuk pati viktima dhe as pasoja mjedisore.
Ndërkohë, agjencia shtetërore iraniane Fars identifikoi një nga anijet e goditura si Al-Ruqayat, duke pretenduar se ajo ishte shënjestruar pasi kishte shpërfillur paralajmërimet e marinës së Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) gjatë kalimit nëpër rrugën detare.
Sipas agjencisë, Teherani konsideron se "vetëm rruga e miratuar prej tij përmes Ngushticës është e sigurt".
Sulmi është dënuar edhe nga Katari. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Majed Al Ansari, e cilësoi incidentin si "një sulm të papranueshëm ndaj sigurisë dhe mbrojtjes së lundrimit detar ndërkombëtar".
Ai shtoi se "Doha e mban Iranin plotësisht ligjërisht përgjegjës për këtë sulm dhe për çdo dëm e pasojë që rezulton prej tij".
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga zonat më të ndjeshme gjeopolitike në botë dhe ka qenë në qendër të tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit. Teherani e kishte mbyllur de facto këtë korridor detar pas operacioneve ushtarake amerikane kundër Iranit, duke shkaktuar tronditje në tregjet globale të energjisë.
Më pas, të dyja palët arritën një memorandum mirëkuptimi që parashikonte armëpushim, rihapjen e Ngushticës nga Irani dhe angazhimin e Teheranit se "nuk do të sigurojë ose zhvillojë armë bërthamore", ndërsa SHBA-të do të lehtësonin bllokadën detare. Megjithatë, bisedimet për zbatimin e marrëveshjes kanë mbetur të pezulluara gjatë ceremonive mortore të ish-udhëheqësit suprem iranian, Ali Khamenei.
Lini një Përgjigje