TAGS-AT E JAVËS

Kronike2026-07-10 11:02:00

SPAK mbyll hetimet për vrasjen e Besnik Hidës, dërgon në gjykatë Ardjan Ahmetajn; kërkon pushimin e çështjes për Laert Haxhiun

Shkruar nga Pamfleti
SPAK mbyll hetimet për vrasjen e Besnik Hidës, dërgon në
Viktima Besnik Hida

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet për vrasjen e tregtarit të makinave Besnik Hida në Lushnjë dhe ka dërguar çështjen për gjykim.

SPAK ka kërkuar gjykimin e Ardjan Ahmetajt si bashkëpunëtor në vrasjen e 40-vjeçarit, ndërsa për Laert Haxhiun dhe Orgest Bilbilin ka kërkuar pushimin e çështjes për shkak të pamjaftueshmërisë së provave.

Ardjan Ahmetaj u arrestua vitin e kaluar në Greqi, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Më herët, në vitin 2023, Gjykata e Fierit kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë "arrest në burg" për veprat penale "vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim" dhe "mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve".

Sipas hetimeve, Ahmetaj dyshohet se, në bashkëpunim me Laert Haxhiun, i konsideruar si kreu i një organizate kriminale, dhe Orgest Bilbilin, organizuan dhe kryen vrasjen me armë zjarri të Besnik Hidës.

Tregtari i makinave u ekzekutua mëngjesin e 1 tetorit 2019, teksa po pinte kafe në një lokal në lagjen "Skënder Libohova" në Lushnjë. Autorët ishin të maskuar dhe, për të kryer atentatin, përdorën një automjet që më parë ua kishin grabitur një çifti në Tiranë.

Besnik Hida ishte daja i Zamir Latifit, i riut që humbi jetën aksidentalisht më 11 tetor 2017 gjatë ngjarjes së njohur si "masakra e Lushnjës", ku objektiv i atentatit ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares. Për tre vite me radhë, Hida kishte kërkuar drejtësi për vrasjen e nipit të tij, por në vitin 2019 u vra edhe vetë.

Lini një Përgjigje