Vetëm tre javë pas shpërndarjes së Bordit të Transparencës, çmimet e karburanteve në vend kanë pësuar një rritje të ndjeshme.
Aktualisht, një litër naftë tregtohet deri në 188 lekë, nga 176 lekë për litër që ishte në momentin kur Bordi i Transparencës u shpërnda, më 19 qershor. Kjo përkthehet në një rritje prej 12 lekësh për litër.
Edhe benzina ka shënuar një rritje të konsiderueshme. Çmimi i saj ka arritur deri në 184 lekë për litër, krahasuar me 166 lekë për litër, që ishte çmimi i vendosur në mbledhjen e fundit të Bordit të Transparencës. Në këtë rast, rritja arrin në 18 lekë për litër.
Qeveria e riktheu Bordin e Transparencës në fund të muajit mars, duke argumentuar se masa synonte stabilizimin e tregut të karburanteve dhe mbrojtjen e konsumatorëve nga luhatjet e forta të çmimeve, të shkaktuara nga konflikti në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, vetëm pak javë pas shpërndarjes së tij, çmimet e karburanteve kanë nisur një trajektore të re rritëse në tregun vendas.
Lini një Përgjigje