Ju ftojmë të ndiqni një bllok lajmesh me zhvillimet kryesore nga kronika e zezë, ku ndër të tjera veçojmë:
GJKKO dënon me mbi 31 vite burg pesë anëtarë të grupit kriminal “Revanshi”, mes tyre edhe vëllai i ish-deputetit socialist Eduard Ndreca. Ata u shpallën fajtorë për drogë, armë dhe sigurim kushtesh për vrasje.
Zbardhet atentati në Kurbin ku Ilir Lika u ekzekutua me 7 plumba. Policia ka identifikuar autorin e dyshuar, ndërsa pista kryesore e hetimit lidhet me konfliktet e mëparshme mes tyre.
Prokuroria mbyll hetimet për vrasjen e Egli Progës në Pogradec dhe dërgon për gjykim 5 persona. Denis Meçe dhe Leonidha Guçe akuzohen për vrasje me dashje, ndërsa të tjerë për moskallëzim dhe pengim të drejtësisë.
SPAK dërgon në gjykatë dosjen për vrasjen e tregtarit Besnik Hida në Lushnjë, duke kërkuar gjykimin e Ardjan Ahmetajt dhe pushimin e çështjes për Laert Haxhiun e Orgest Bilbilin.
Në Durrës arrestohen dy persona të kërkuar ndërkombëtarisht nga Maqedonia e Veriut për vrasje e plagosje, ndërsa një i tretë akuzohet për sigurimin e dokumenteve false.
Në Durrës vijon goditja e skemave të pronave të falsifikuara, ku 12 persona morën masa sigurie dhe mbi 53 mijë metra katrorë tokë u vendosën nën sekuestro.
Në Berat, Prokuroria godet aktivitetin financiar pa licencë, duke kërkuar masa për 11 persona dhe sekuestruar miliona lekë, euro e valuta të tjera.
Në Shkodër zbardhen detaje të vrasjes së Bardhe Ziçit nga bashkëshorti i saj, ku hetuesit dyshojnë për konflikt të lidhur me xhelozinë dhe celularin. Në Durrës, një tjetër rast dhune familjare: një 40-vjeçar plagosi me thikë bashkëshorten dhe u shpall në kërkim.
AMP pezullon disa efektivë në Sarandë pas një videoje ku dëgjohen komente jo etike ndaj dy turisteve.
Antimafia italiane godet një grup shqiptaro-italian të trafikut të drogës, me 23 arrestime dhe sekuestrime narkotikësh, ndërsa në Ekuador arrestohen 18 persona për një rrjet kokainë që dyshohet se lidhej me organizata shqiptare në Europë.
Në Itali, një 80-vjeçar dënohet për dhunë sistematike ndaj bashkëshortes shqiptare dhe dy fëmijëve të saj. Ndërkohë, një fluturim Ryanair nga Selaniku drejt Mynihut përfundon me ulje emergjente pas një defekti teknik dhe plagosjen e një pasagjeri.
Në Spanjë, një zjarr masiv pyjor lë 11 viktima dhe 23 persona të zhdukur, ndërsa vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit.
Lini një Përgjigje