Seanca plenare e kësaj të enjteje u shoqërua me debate të forta mes mazhorancës dhe paritive të vogla opozitare.
Deputeti i Partisë Mundesia Erald Kapri, është përplasur me Kreun e Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla.
Nga foltorja e Kuvendit, Kapri akuzoi socialistët se në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit në Strasburg kanë votuar amendamentet e propozuara nga eurodeputeti Fredi Beleri. Ai kritikoi gjithashtu deklaratat e Ballës ndaj protestës së të rinjve, duke i cilësuar të papranueshme.
"Deklaratat që mbahen në këtë Parlament janë në kufijtë e papranueshmes dhe deputeti parafolës ka fyer protestën duke thënë se udhëhiqet nga Fredi Beleri. Ndërkohë në Strasburg nuk ju pashë të ishit kundër tij. Dolët në foto me të. Votuat me Fredi Belerin në Strasburg dhe akuzoni të rinjtë që paguhen nga ai. Së dyti, zoti Kryetar, e kam ndjekur gjatë politikën, por nuk kam parë kurrë nga zoti Ruçi dhe zoti Balla që të dalë dhe të thotë këtu që PS do të dalë dhe do të na shtypë. Kjo është e papranueshme. Respektoni protestën e të rinjve shqiptarë. Është e habitshme që deputetët me thinja në PS mbajnë gojën dhe rinjoshët lëshohen", deklaroi Kapri.
Në kundërpërgjigje, Taulant Balla i hodhi poshtë akuzat dhe tha se përfaqësuesit socialistë kanë votuar kundër të gjitha amendamenteve të propozuara nga Beleri. Kreu i grupit parlamentar të PS-së e cilësoi Kaprin "gënjeshtar profesionist" dhe e akuzoi se po përsërit pretendime të pavërteta.
Balla e shtriu më tej replikën duke sulmuar edhe kreun e Partisë Mundësia, Agron Shehaj. Ai iu referua shitjes së një prone prej 251 metrash katrorë për 15 milionë euro, duke deklaruar se rasti po hetohet dhe se skema financiare po zbardhet.
"Deputeti parafolës, një gënjeshtar profesionist, sapo keqinformoi me dashje opinionin publik lidhur me procesin e votimit për rekomandimet e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit. 7 anëtarët e këtij komiteti, përfaqësues të PS kanë votuar për të gjitha amendamentet e propozuara nga Beleri kundër. Të gjitha kundër! Gënjeshtar! Grupi parlamentar i PD ka votuar për një pjesë të amendamenteve pro. Sa i përket votimit në fund të dokumentit integral, unë isha dakordësuar me bashkëkryetarin. Unë s’mund ta ndaloja dot një anëtar të PE të votonte pro. Ti ke marrë për model modelin më të keq. Nuk ka model më të keq në politikë sesa të vish këtu dhe të bësh suflerin e Gones. Ti, bashkë me atë personin tjetër që nuk është këtu sepse e nise karrierën politike me pagesë nga paratë e Gones, tani paguhesh me paratë e shqiptarëve si asistent i Gones, ky është ndryshimi. Edhe ti, ndërsa po zbardhet gjithë skema e parave të Agron Shehajt, rast unik në botë që brenda 4 vitesh pesëfishon vlerën e një prone. Do të vijë Gonia këtu, ia kam bërë gati dosjen. Nga paratë e vilës së Gones je paguar ti deri në shtator 2025", tha Balla.
Lini një Përgjigje