TAGS-AT E JAVËS

Politike2023-12-20 16:06:00

Gjykata Kushtetuese rrëzon deputetët e PD, i lë rrugë të lirë SPAK-ut të arrestojë Sali Berishën

Shkruar nga Pamfleti

Gjykata Kushtetuese rrëzon deputetët e PD, i lë rrugë

Kushtetuesja, me një vendim të marrë një ditë para se të bëhet votimi në Kuvend për t’i hequr imunitetin Berishës, shprehet se deputetët nuk legjitimohen të bëjnë një padi të tillë.

Gjykata Kushtetuese i ka lënë rrugë të lirë Prokurorisë së Posaçme që të vendosë një masë arresti ndaj Sali Berishës.

Deputetët e rreshtuar krah ish-kryeministrit bënë një padi në Kushtetuese, duke kërkuar të pezullohet kërkesa e bërë nga SPAK në Kuvend për t'i hequr imunitetin Berishës, por padia e tyre nuk është marrë parasysh.

Deputetët kërkuan interpretim nëse SPAK duhej t’i drejtohej Kuvendit apo jo kur vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj Berishës dhe po ashtu ata kërkuan pezullim të kërkesës për ndryshim mase derisa të merret vendimi final.

Mirëpo Kushtetuesja, me një vendim të marrë një ditë para se të bëhet votimi në Kuvend për t’i hequr imunitetin Berishës, shprehet se deputetët nuk legjitimohen të kërkojnë një gjë të tillë. Sipas gjykatës, nuk rezulton që deputetëve t’u jetë marrë ndonjë kompetencë, prandaj në këtë rast nuk ka se çfarë të shqyrtohet.

Kushtetuesja e bën të qartë se Berisha ka të drejtë që të bëjë ankimim kur të jenë ezauruar të gjitha shkallët gjyqësore.

Kjo do të thotë se pasi Kuvendi të votojë nesër por kërkesës së SPAK, prokurorisë i lind e drejta të kërkojë një masë arresti ndaj ish-kryeministrit.

Vendimi paraprak i Kushtetueses

Mbledhja e Giyqtarëve, e mbledhur sot, në datën 20 dhjetor 2023, bazuar në nenin 54, pika 3 te ligjit nr. 8877/2000 të ndryshuar, me shumicë votash, vlerësoi se kërkesa nuk plotëson kriteret ligjore paraprake për pranimin e saj për shqyrtim në seancë plenare, për këto arsye:

-Neni 124 i Kushtetutës parashikon se Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të saj.

-Kurse bazuar në nenin 131, pika 1, shkronja “g”, të Kushtetutës, Gjykata vendos për mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve, e cila në rastin konkret pretendohet se është midis Kuvendit nga njëra anë dhe SPAK dhe GJKKO nga ana tjetër.

Kushtetuta ka mirëpërcaktuar rastet kur grupeve të deputetëve, u janë njohur të drejta si entitete dhe në këtë drejtim, një e pesta e deputeteve dhe Kuvendi janë subjekte kushtetuese të ndryshme që nuk mund të barazohen me njeri – tjetrin.

Për rrjedhoje, kërkuesi, grupi i deputeteve nuk legjitimohet t’i drejtohet Gjykatës pasi referuar mosmarrëveshjes së pretenduar të kompetencave, ai nuk është subjekt në konflikt, pra nuk rezulton t’i jetë marrë ndonjë kompetencë apo të jetë cenuar drejtpërdrejt në ndonjë kompetence. Grupi i një të pestës së deputetëve, pavarësisht se është pjese e ushtrimit të veprimtarisë legjislative të Kuvendit, nuk nënkupton që ai është subjekti kushtetues për te cilin bën fjalë neni 73, pika 2, i Kushtetutës, pra ai nuk mund të veprojë në emër dhe me tagrat e Kuvendit.

Lini një Përgjigje