Procesi gjyqësor për vdekjen e legjendës së futbollit botëror, Diego Maradona, ka vijuar në Gjykatën e San Isidro në Argjentinë, ku dëshmitë e reja kanë nxjerrë në pah detaje të tjera mbi rrethanat e ndarjes së tij nga jeta.
Maradona ndërroi jetë më 25 nëntor 2020, në moshën 60-vjeçare, si pasojë e një edeme pulmonare. Në bankën e të akuzuarve ndodhen shtatë anëtarë të ekipit mjekësor që kujdeseshin për të në banesë, të cilët përballen me akuza për neglizhencë kriminale. Nëse shpallen fajtorë, ata rrezikojnë dënime deri në 25 vite burg.
Gjatë seancës, Karlos Kotaro, një prej kujdestarëve të afërt të Maradonës, deklaroi se stafi mjekësor kishte kontroll të plotë mbi komunikimet e ish-futbollistit, duke kufizuar kontaktet e tij edhe me vajzat. Sipas dëshmisë së tij, sekretari personal i Maradonës, Maksimiliano Pomargo, vendoste se kush mund ta vizitonte atë.
Kotaro pretendoi gjithashtu se telefonatat e Maradonës shpesh mbeteshin pa përgjigje dhe se kushtet në shtëpinë ku ai po trajtohej nuk ishin të përshtatshme për gjendjen e tij shëndetësore. Ai shtoi se ishte larguar nga puna vetëm disa javë para vdekjes së ish-kampionit të botës.
Në gjykatë dëshmoi edhe nefrologu Pedro Di Spanja, i cili tha se kishte vizituar dy herë rezidencën e Maradonës dhe kishte konstatuar një situatë të vështirë për pacientin. Sipas tij, mjeku përgjegjës për trajtimin e kishte penguar të kryente vizita të tjera mjekësore. Di Spanja vlerësoi gjithashtu përpjekjet e vajzave të Maradonës për t'u kujdesur për të gjatë muajve të fundit të jetës.
Një nga momentet më emocionuese të procesit ishte dëshmia e vajzës së madhe të futbollistit, Dalma Maradona. Ajo drejtoi akuza të forta ndaj neurokirurgut Leopoldo Luke, psikiatres Agustina Kosaçov dhe psikologut Karlos Diaz, duke i konsideruar përgjegjës për dështimin e trajtimit të të atit.
Dalma deklaroi se familja kishte pranuar trajtimin në shtëpi vetëm pasi mjekët kishin garantuar monitorim 24-orësh, pajisje të specializuara dhe një ambulancë në gatishmëri të përhershme. Sipas saj, asnjë prej këtyre premtimeve nuk u mbajt.
“Askush nuk e mori situatën nën kontroll”, deklaroi ajo para trupit gjykues.
Nga ana tjetër, mbrojtja argumenton se vdekja e Maradonës erdhi si pasojë e gjendjes së rënduar shëndetësore dhe sëmundjeve kronike nga të cilat ai vuante prej vitesh. Prokuroria, ndërkaq, këmbëngul se trajtimi në banesë nuk ishte në përputhje me gjendjen e tij dhe se neglizhenca e mundshme e stafit mjekësor mund të ketë ndikuar drejtpërdrejt në vdekjen e ikonës së futbollit.
Seanca e fundit u mbyll me dëshminë dyditore të kryeinfermierit Mariano Perroni, i cili mohoi të gjitha akuzat ndaj tij dhe refuzoi t'u përgjigjej pyetjeve shtesë të avokatëve mbrojtës.
Gjykata pritet të vijojë shqyrtimin e çështjes në seancat e ardhshme.
Lini një Përgjigje