Mes festimeve të Spanjës për triumfin në Kupën e Botës 2026, një moment i veçantë spikati mes fishekzjarrëve dhe entuziazmit. Protagonist ishte Nico Williams, i cili iu afrua tribunës dhe ia vendosi medaljen e kampionit të botës nënës së tij.
Të dy u përshëndetën duke kapur duart, ndërsa nëna e futbollistit spanjoll, María Arthuer, nuk mundi të fshehte emocionet. Ajo vendosi medaljen e të birit në qafë dhe festoi me krenari suksesin e tij, në një skenë që u bë virale në rrjetet sociale brenda pak orësh.
Për shumë njerëz, ishte thjesht një gjest i bukur i një djali ndaj nënës së tij. Por pas këtij momenti fshihet një histori mbijetese, sakrificash dhe dashurie prindërore që nisi shumë vite përpara se Nico ëilliams të prekte për herë të parë një top futbolli.
Nico Williams lindi në Bilbao në vitin 2002, por historia e familjes së tij kishte nisur shumë më herët. Sipas gazetës britanike The Guardian, prindërit e tij, María dhe Félix ëilliams, u larguan nga Gana në vitet 1990 në kërkim të një jete më të mirë.
Nuk ishte një emigrim i organizuar me dokumente dhe garanci për të ardhmen. Ishte një udhëtim i dëshpëruar, plot rreziqe dhe pasiguri.
Nëna e tij ishte shtatë muajshe shtatzënë me fëmijën e parë, Iñakin, kur çifti përshkoi afro 2 mijë milje drejt Spanjës. Një pjesë të rrugës e bënë në kamionë të mbingarkuar, ndërsa një segment të madh e përshkuan në këmbë përmes shkretëtirës së Saharasë, ku temperaturat kalojnë 40 gradë Celsius.
Udhëtimi i tmerrshëm nëpër Sahara
Vite më vonë, vëllai i madh i Nico-s, Iñaki ëilliams, rrëfeu atë që nëna e tij i kishte treguar për atë udhëtim.
"Në një kamion të hapur ishin rreth 40 persona të ngjeshur. Më pas ecën për ditë të tëra në këmbë," ka treguar ai për The Guardian.
Sipas tij, gjatë rrugës shumë njerëz rrëzoheshin dhe liheshin pas, ndërsa të tjerë humbnin jetën.
"Ka grabitës, përdhunime, dhimbje... Njerëzit nisen pa e ditur çfarë i pret dhe pa qenë të sigurt nëse do t'ia dalin."
Pavarësisht shtatzënisë së avancuar, María dhe Félix vazhduan udhëtimin derisa mbërritën në Melilla, enklava spanjolle në Afrikën e Veriut.
Aty u ngjitën në gardhin kufitar me shpresën se do të hynin në territorin spanjoll, por pak më vonë u arrestuan. Si emigrantë pa dokumente, rrezikonin dëbimin.
Sipas Iñaki ëilliams, një avokat i organizatës humanitare katolike Caritas u dha një këshillë që ndryshoi fatin e tyre:
"E vetmja gjë që mund të provoni është të thoni se vini nga një vend në luftë."
Çifti grisi dokumentet nga Gana dhe kërkoi azil duke deklaruar se vinte nga Liberia, çka u lejoi të qëndronin në Spanjë.
Një jetë e re në Bilbao
Familja u vendos në Bilbao, ku një prift katolik, Iñaki Mardones, i ndihmoi të ndërtonin jetën nga e para.
Në shenjë mirënjohjeje, prindërit vendosën që djalin e tyre të parë ta pagëzonin me emrin e tij, Iñaki.
Vite më vonë, Nico ëilliams arriti kulmin e karrierës duke fituar Kupën e Botës me kombëtaren e Spanjës.
Për ata që e njohin historinë e familjes së tij, gjesti për t'ia dhuruar medaljen e kampionit të botës nënës nuk ishte thjesht një moment emocional, por simboli i një rruge të gjatë të mbushur me sakrifica, e cila nisi në Ganë, vazhdoi përmes Saharasë, arrestimit në Melilla dhe përfundoi me realizimin e ëndrrës së një familjeje që kërkonte një jetë më të mirë për fëmijët e saj.
Lini një Përgjigje