
Kur kanë mbetur edhe 10 ditë nga starti i sezonit të ri në Major League Soccer (MLS), Lionel Mesi ka shtuar pasiguritë në radhët e Inter Miamit. Klubi nga Florida njoftoi se ylli argjentinas nuk mori pjesë në stërvitjen e së mërkurës për shkak të një shqetësimi muskular.
Sipas klubit, problemi fizik iu shfaq Mesit gjatë ndeshjes miqësore të zhvilluar javën e kaluar në Ekuador, mes Inter Miamit dhe Barcelona SC. Deri më tani, nuk është bërë e ditur kohëzgjatja e riaftësimit të tij.
Në reagimin zyrtar, Inter Miami thekson se rikthimi i lojtarit në stërvitje do të jetë gradual dhe do të varet nga evoluimi i gjendjes së tij në ditët në vijim. Kjo situatë e lë në dyshim praninë e Mesit në përballjen e ardhshme ndaj Los Angeles FC, në prag të nisjes së kampionatit.
Zhvillimet në Florida po ndiqen me vëmendje edhe nga përfaqësuesja e Argjentinës. Burime pranë skuadrës kampione të botës bëjnë me dije se stafi teknik i “Albiceleste” po monitoron nga afër gjendjen e kapitenit të tyre, në prag të angazhimeve ndërkombëtare që pritet të zhvillohen në javët e ardhshme.
Mbetet për t’u parë nëse Mesi do të jetë gati për nisjen e sezonit në MLS dhe për sfidat e ardhshme me kombëtaren argjentinase.
Lini një Përgjigje