Editorial29 Shtator 2023, 09:30

Dy deklaratat e fundit të Ramës, dy thika pas shpine Kosovës

Shkruar nga Ramazan Bekteshi
Dy deklaratat e fundit të Ramës, dy thika pas shpine Kosovës
Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç

Kleptokrati Rama, Ti, po e komplikon  për çdo stinë të vitit situatën në Kosovë dhe Shqipëri me fjalorin tënd me doza të urrejtjes ndër-shqiptare, dhe do të duhen vite e dekada që të shërohen nga plagët që ti ua shkaktove shqiptarëve. Ti, je fatkeqësia gërditëse më e madhja e shqiptarëve, Ti, je kambana, alarmi, tellalli, dhe fatkeqësia e Shqipërisë dhe Kosovës. Pusho së foluri për Kosovën, lëre rehat me hallet e saja.

Antishqiptari Rama, Ti me rastin e cenimit të rëndë të sovranitetit të Kosovës nga terroristët serbë të dirigjuar nga miku yt Vuçiç, dhatë alarmin e radhës në krah të Serbisë, duke e quajtur situatën “kambana më e madhe e alarmit” dhe duke bërë “thirrje e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikëqyrjen e garancinë e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara”.

Rama, në një ditë të zezë si kjo, Ti, nuk e denoncove agresorin, nuk iu drejtove ideatorit të agresionit dhe terrorit, por i ndihmove atij duke thirrur një konferencë paqeje, që të afirmojë dhe ndërkombëtarizojë autonominë serbe në veri.

Rama, Ti, po shkel mbi pavarësinë e Kosovës duke harruar se të gjithë konferencat janë kryer, Kosova është sovrane, por ti ke zgjedhur rrugën e ndarjes së Kosovës, që e nise më herët.

Rezili Rama, sot ia ngule pas shpine edhe një thikë tjetër Kosovës, sot kërkove që veriun ta marri nën kontroll KFOR-i menjëherë pas suksesit historik të Policisë së Kosovës, kur ajo i tregoi botës, Serbisë dhe disa shqipfolësve si ti, se PK-ja nuk është forcë virtuale, as video lojë, por polici profesioniste e betejave reale për të mbrojtur qytetarin dhe shtetin. Sot, Ti, ishe zëdhënës i Vuçiçit sepse ai kërkon të njëjtën.

Rama, Ti, dëshiron që Kosova ta harroj gjenocidin dhe të gjithë vuajtjet zinxhirore që erdhën nga agresori, të gjitha tmerret, lemeritë që s’i mban mend Evropa, sepse, Ti, Rama s’ke as shpirt as konsideratë për masakrat, për të zhdukurit, për fëmijët e vrarë dhe gratë e dhunuara. Ti, s’tregon keqardhje, as s’të bren ndërgjegjja njerëzore për tragjedinë kosovare, as për ankthin dhe agoninë. Ti kërkon konferencë paqe, për të fshirë të gjitha arritjet tona për hatër të mikut tënd.

Rama, Ti, pa fije turpi krijove edhe draftin tënd për Asociacionin, draftin e porositur, por pa Kosovarët, dhe që çuditërisht PDK-ja ta mbajti ison. Pse, Rama, nuk krijove një draft për Luginën por ‘kruhesh’ te veriu që është pjesë e pandashme e Kosovës.

Diletanti Rama, kur MiG-ët e Serbisë fluturonin dhe cenonin kufirin e Kosovës, kur ambasadori rus vëzhgonte ngjarjet pranë kufirit tonë, Ti, jo që s’i dilje krah Kosovës por i kritikoje politikat e Kurtit dhe lëvdoje politikat e Vuciçit. Ti, Rama, me dinakëri i fute nën sqetull Ali Ahmetin, një politikan i dështuar që ngriti Grujevskin, dhe Abazoviçin që bekoi kishën ortodokse serbe në Mal të Zi, dhe këta të dy bashkë tu bënë krah për Ballkanin e Hapur, që është ‘një ruletë ruse’.

Autokrati Rama, kur veriu trazohej nga bandat kriminele serbe, Ti kërkoje të tërhiqet policia e Kosovës, ndërsa në Tiranë ftoje Orkestrën Simfonike të Beogradit. Ti, shkaktove grindje mes shqiptarëve dhe gati luftë qytetare në festivalin e Birrës me Goran Bregoviçin.

Rama, Ti, luajte në OKB dhe në KiE me tragjedinë e të burgosurve dhe me emocionet e familjareve të tyre vetëm për spektakël e teatër. Luajte edhe me Kafkën dhe Dostojevskin që aludoje në Hashim Thaçin, që të fitosh simpati te një pjesë e kosovarëve. Por Ti, Rama i ziu, në këto forume nuk e ngrite zërin për Kosovën por e mbrojte Serbinë. Ti, i dhe një “puthje” Hashimit, duke e krahasuar me Joseph K. të Kafkës te “Gjyqi” edhe pse ky protagonist kafkesk përfundon me ekzekutim, pse ia dëshirove këtë mikut? Pra, Ti Rama, po luan lojë të dyfytyrësisë, duke ‘puthur’ dhe fut thika.

Rama, Ti, në sesionin e 77 të Asamblesë së KB lobove për Ballkanin e hapur tuajin dhe të Vuçiçit, duke ia fshehur krimet Serbisë, i thure elozhe asaj, edhe pse ajo në ambientet e OKB-së lidhi marrëveshje me Rusinë. Ti nuk belbëzove asnjë fjalë të vetme për krimet makabre që i shkaktoi vëllai yt në Kosovë. Por, Ti, i pasinqerti Rama, në mes të retorikës elokuente dhe intrigës, në sy të botës fole për Gjyqin e Hagës, por jo për krimet serbe, si vrasja e 1500 fëmijëve, Ti, minuta të vlefshme harxhove për Afganistanin por jo për kërcënimet e Vuçiçit, ndaj Kosovës.

Rama, Ti, në samitin e BE-së në qershor të 2022 mbrojte me pasion MV që ka fobi ndaj gjuhës shqipe, që vazhdimisht shtypet edhe nga Akademia maqedonase, ajo vazhdon ende të shtypet, por Ty kjo s’të bën përshtypje sepse për ty shqiptarët në Maqedoni V. s’janë të rëndësishëm, e rëndësishme është vetëm miqësia me Ahmetin, sepse ai ta përkrah Ballkanin e hapur.

Rama, Ti, anulove mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive, vazhdon të kritikosh Kurtin për dialogun duke ia shkarkuar të gjitha “rrufetë e botës” mbi trupin e tij dhe të Kosovës por jo palës tjetër. Sa krahë i fortë do të ishe, sikur të veproje si Kroacia në përkrahje të Kosovës, po Ti, zgjodhe Serbinë.

Rama, Ti, po të ishe shqiptar në këto kohë të vështira për Kosovën  do të kërkoje që Lista Srpska të shpallej non-grata, derisa, “ Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” organizata terroriste, dhe miku yt, Vuçiç të kërkonte dorëheqje, derisa, dialogu të marr një drejtim tjetër, pa Borrelin dhe Lajçakun.

Kleptokrati Rama, Ti, po e komplikon  për çdo stinë të vitit situatën në Kosovë dhe Shqipëri me fjalorin tënd me doza të urrejtjes ndër-shqiptare, dhe do të duhen vite e dekada që të shërohen nga plagët që ti ua shkaktove shqiptarëve. Ti, je fatkeqësia gërditëse më e madhja e shqiptarëve, Ti, je kambana, alarmi, tellalli, dhe fatkeqësia e Shqipërisë dhe Kosovës. Pusho së foluri për Kosovën, lëre rehat me hallet e saja./Pamfleti

deklarata rama thika pas shpine kosova

Editorial