Nuk mund të them se ky ka qenë një vendim i lehtë, apo se nuk kam patur dhe nuk kam nostalgji për këtë kompani. Por në biznes racionaliteti dhe vizioni duhet të prevalojnë mbi nostalgjinë dhe emocionet...
Pasi sipërmarrësi i njohur, Grigor Joti, në vitin 2023 shiti aksionet e “Infosoft System Tirane”, një prej kompanive më të hershme në vend, e krijuar në 1995-s, së fundmi ai ka nënshkruar kontratat e shitjes së kuotave të tij edhe në kompanitë Infosoft Systems Sh.p.k. në Kosovë dhe Infosoft Systems doo në Maqedoninë e Veriut.
Sipërmarrësi Joti thotë në një prononcim për ‘Monitor' se kjo shitje përmbyll një fazë të rëndësishme të ristrukturimit të strategjik të grupit “Investment Joti” përmes të cilit u reduktua kompleksiteti i kompanive të grupit dhe u rrit fokusi menaxherial. Ai shton se kjo strategji do të krijojë kushte më të favorshme për kalimin e brezit të dytë në drejtim. “Do të përqendrohemi në ato aktivitete ku kemi përvojën, ekspertizën dhe avantazhin tonë konkurrues, dhe do të synojmë shtrirjen në tregje të reja, jashtë kufijve të Shqipërisë”, pohon z,Joti.
-Ju jeni një nga sipërmarrësit e parë në vend, duke qenë pjesë e grupit Infosoft, një sipërmarrje që u rrit me shpejtësi në fushën e teknologjisë së informacionit dhe u diversifikua në vite. Si do ta vlerësonit përvojën tuaj me këtë kompani dhe në përgjithësi të të bërit biznes në vend?
Jam shpesh në kontakt me sipërmarrës të tjerë që kanë nisur rrugëtimin e tyre në fillim të viteve ’90, dhe vërej se shumë prej nesh ndajnë një trajektore dhe eksperienca të ngjashme. Kemi nisur nga zero, shpesh pa plane afatgjata, pa struktura menaxheriale apo vizion të qartë, por me shumë energji dhe instinkt sipërmarrës. Jemi rritur së bashku me tregun dhe kemi përvetësuar përvoja, që na kanë ndihmuar të formësojmë si kompanitë tona ashtu edhe veten tonë si drejtues. Kemi qenë dhe jemi në një simbiozë të vazhdushme, ne dhe kompanitë tona.
Kjo ka qenë faza e parë e zhvillimit. Sot besoj se kemi hyrë në një fazë të re, më komplekse dhe më sfiduese: transformimi i thellë organizativ dhe përgatitja për standardet e një tregu më të hapur e më konkurrues. Shqipëria po ecën drejt integrimit europian dhe kjo do ta vendosë biznesin vendas përballë sfidave të reja. Hyrja në BE do të nënkuptojë konkurrencë me kompani që operojnë me shkallë më të lartë, efikasitet më të madh dhe standarde më rigoroze. Mendoj se biznesi shqiptar duhet të vazhdoje të transformohet në të njëjtën kohë me shoqërinë shqiptare – dhe ndoshta me një ritëm edhe më të shpejtë.
Sot nga bizneset e suksesshme pritet më shumë sesa thjesht qëndrueshmëri financiare. Ato kanë gjithnjë e më shumë edhe një rol shoqëror: të formojnë profesionistë të aftë dhe të shërbejnë si qendra edukimi, zhvillimi dhe promovimi për anëtarët e shoqërisë.
-Në vitin 2023 ju u larguat nga “Infosoft System”, një sipërmarrje e themeluar nga ju, me 60% të aksioneve. Pse e morët këtë vendim?
Shumë të njohur më kanë pyetur: si ka mundësi që largohesh vullnetarisht nga kompania e parë që ke themeluar dhe që ka qenë simboli i grupit?
Nuk mund të them se ky ka qenë një vendim i lehtë, apo se nuk kam patur dhe nuk kam nostalgji për këtë kompani. Por në biznes racionaliteti dhe vizioni duhet të prevalojnë mbi nostalgjinë dhe emocionet.
Por le të kthehemi tek arsyet përse une mora këtë vendim, për të cilin jam menduar jo pak.
Unë mendoj se, akoma, suksesi i biznesit në Shqipëri varet nga roli dhe përkushtimi në biznes i pronarëve të kompanive. Madje për kompanitë më të hereshme në treg, ato të krijuara në vitet ’90 është shtruar sfida e vazhdimësisë familjare (succession) të manaxhimit të tyre.
Këto probleme u shtruan edhe para meje.
Duke konsideruar diversifikimin e lartë dhe kompleksitetin e bizneseve të grupit, që shtriheshin nga ndërtimi i infrastrukturave komplekse të IT në Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Kosovë, tek distribucioni i produkteve IT në këto tre vende, në distribucionin e produkteve të konsumit, në Real Estate në Shqipëri e Austri, në Investimet Financiare, etj., si dhe bazuar mbi strukturën familjare, unë vendosa të rëduktoj kompleksitetin dhe të rris fokusin menaxherial. Qëllimi ishte të përmirësohej qeverisja e përgjithshme e grupit dhe të krijoheshin kushte më të favorshme për kalimin e brezit të dytë në drejtim.
- Po në degët e Infosoft në rajon a vijoni të jeni aktiv?
Në kuadër të vizionit që përmenda më sipër, unë sapo kam nënshkruar kontratat e shitjes së kuotave të mia edhe në kompanitë Infosoft Systems Sh.p.k. në Kosovë dhe Infosoft Systems doo në Maqedoninë e Veriut. Kjo përmbyll këtë fazë të ristrukturimit të strategjik të grupit.
-Ju vijoni të jeni aktiv në “Inter Trade & Distribution”, “Inter Distribution Service”, përmes grupit “Investment Joti”, ndërsa shitët në fillim të vitit 2025 aksionet që kishit në “Interbrands”. Pse vendosët të dilnin nga kjo e fundit?
Ne fakt, ky transaksion nuk ishte thjesht një shitje e kuotave të mia në Interbrands, por një shkëmbim reciprok kuotash midis meje dhe një ortaku të përbashkët në të dy kompanitë. Unë mora kuotat e tij në Inter Trade & Distribution, duke i kaluar atij kuotat e mia në Interbrands. Edhe ky transaksion kishte për qëllim konsolidimin e pronesisë mbi kompanitë dhe rritjen e fokusit mbi mirëmanaxhimin e tyre.
-Cilat janë planet tuaja në të ardhmen në drejtim të zgjerimit të sipërmarrjeve ku keni aksione, apo investimit në sektorë të tjerë?
Strategjia ime për të ardhmën është e qartë: fokusim dhe ndërkombëtarizim. Do të përqendrohemi në ato aktivitete ku kemi përvojën, ekspertizën dhe avantazhin tonë konkurrues, dhe do të synojmë shtrirjen në tregje të reja, jashtë kufijve të Shqipërisë. Kjo kërkon një menaxhim më të strukturuar dhe më profesional, ndaj një pjesë e rëndësishme e këtij vizioni është përmirësimi i qeverisjes së brendshme dhe përgatitja për rritje të qëndrueshme.
-Ju folët per vazhdimësinë që po projektoni në biznesin tuaj. Cilat janë sfidat më të mëdha që hasët gjatë këtij procesi dhe çfarë këshille do t’u jepnit sipërmarrësve të brezit tuaj që duan t’ua kalojnë stafetën fëmijëve?
Sfida ime me e madhe ishte ajo që mendoj se është për gjithkënd: të kuptuarit se kush janë vokacionet e famljarëve të cilët do të përfshihen në suksesion dhe inkuadrimi i tyre me përputhje me këto vokacione.
Vazhdimësia është një ndër sfidat më delikate për çdo biznes familjar, qe shpesh herë nuk vlerësohet si duhet në praktikat e vendin tonë. Ajo nuk është thjesht një transferim formal aksionesh apo funksionesh, por një proces i gjatë dhe i ndërlikuar që përfshin edhe ndërtimin e besimit, përgatitjen profesionale dhe krijimin e një marrëdhënieje të re pune brenda familjes.
Sfida më e madhe është të krijosh një strukturë ku pasardhësit të ndihen të përfshirë realisht, të kenë hapësirë për të sjellë idetë e tyre dhe në të njëjtën kohë të respektojnë përvojën e mëparshme të biznesit. Vazhdimëia nuk mund të ndodhë në mënyrë automatike. Ajo kërkon planifikim, komunikim të hapur dhe një kulturë organizative që e pranon ndryshimin si pjesë të zhvillimit.
Këshilla ime për sipërmarrësit e brezit tim është të fillojnë këtë proces sa më herët, të jenë të hapur ndaj përfshirjes së ekspertëve të jashtëm kur është e nevojshme dhe të kuptojnë se kalimi i stafetës nuk është dobësim i rolit të tyre, por forcim i qëndrueshmërisë së kompanisë në afatgjatë.
-Si e shihni rolin e teknologjisë dhe digjitalizimit në përmirësimin e menaxhimit të korporatave shqiptare?
Teknologjia është padyshim një nga faktorët kyç për rritjen e produktivitetit dhe profesionalizimin e menaxhimit të biznesit në Shqipëri. Në një treg gjithnjë e më konkurrues, aftësia për të gjeneruar dhe analizuar të dhëna në kohë reale, për të automatizuar procese dhe për të marrë vendime të informuara është thelbësore.
Une mendoj se ky proces në Shqiperi ka shumë nevojë të përmirësohet. Shumë kompani, madje të rëndësishme, kane sisteme informatike manaxhimi shumë të thjeshta, dhe nuk prodhojnë mjaft të dhëna të vlefshme për vendimmarrje.
Korporatat që investojnë në sisteme ERP, platforma të integruara të raportimit dhe mjete të menaxhimit të performancës janë ato që do të jenë më të gatshme të përballen me sfidat e tregut rajonal dhe europian. Teknologjia është gjithashtu një parakusht për rritjen e transparencës, përmirësimin e qeverisjes së brendshme dhe krijimin e një kulture vendimmarrjeje të bazuar në të dhëna.
Sot, me zhvillimet e shpejta në fushën e inteligjencës artificiale (AI), po hapen mundësi të reja për përmirësimin e menaxhimit të brendshëm. AI mund të ndihmojë në analizimin dhe ndërtimin e vendimmarrjeve më të informuara, veçanërisht në fusha si burimet njerëzore, operacionet apo planifikimi strategjik. Por një aspekt po aq i rëndësishëm i këtij transformimi digjital është edhe përgatitja e njerëzve: që ata të ndihen të sigurt, kureshtarë dhe krijues përreth mënyrave se si AI mund t’i ndihmojë në punën e tyre të përditshme.
-A mendoni se Shqipëria ka bërë përparime në përmirësimin e klimës së të bërit biznes? Cilat janë ende pengesat kryesore që përballen sipërmarrësit?
Une mendoj se në vite është bërë një përpjekje e dukshme për përmirësimin e klimës se të bërit biznes, sidomos në aspektin e dixhitalizimit të shërbimeve publike dhe në lehtësimin e disa procedurave administrative. Gjithashtu, ka pasur një rritje të ndërgjegjësimit për rëndësinë e qeverisjes së mirë në sektorin privat dhe për krijimin e një klime më transparente për investitorët.
Megjithatë, une mendoj se sfidat mbeten të shumta. Paqëndrueshmëria ligjore, ndryshimet e shpeshta në politikat fiskale, burokracia, mungesa e kapaciteteve profesionale në administratë, si dhe vështirësitë në sigurimin e fuqisë punëtore të kualifikuar janë disa prej pengesave kryesore. Po ashtu, mungesa e një sistemi të mirëfilltë të drejtësisë ekonomike dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve komerciale në mënyrë të shpejtë e të paanshme mbetet një problem që ndikon në sigurinë e investimeve
Lini një Përgjigje