TAGS-AT E JAVËS

Forum 2 Korrik 2025, 12:02

Koha për të thyer zinxhirët e përçarjes shqiptare

Shkruar nga Emin Azemi

Koha për të thyer zinxhirët e përçarjes shqiptare

Liderët shqiptarë janë turpi i botës, sepse ata kanë mungesë elementare të sensit kombëtar për një vizion të përbashkët për temat që i preokupojnë më së tepërmi shqiptarët: një treg ekonomik i përbashkët, një media e fuqishme mbarëkombëtare.

Liderët shqiptarë erdhën në Shkup, bënë fotografi të përbashkëta me kolegët europianë, por jo mes vete, u takuan veç e veç, u përçanë dhe vazhduan avazin e mbetjes nëpër istikamet e tyre të turpshme. Në kohën kur lidershipi europian po bën çmos që të krijohet një front i përbashkët kundër sfidave të radhës, liderët shqiptarë në Shkup, Prishtinë e Tiranë bëhen bashkë vetëm në takime ndërkombëtare, por jo edhe në takime kombëtare.

Ata nuk bëhen bashkë edhe kur Kosova ka nevojë për Shqipërinë dhe kur shqiptarët e Maqedonisë kanë nevojë për Kosovën dhe Shqipërinë, dhe kur shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë nevojë për të gjithë këta liderë mistrecë. Liderët shqiptarë janë turpi i botës, sepse ata kanë mungesë elementare të sensit kombëtar për një vizion të përbashkët për temat që i preokupojnë më së tepërmi shqiptarët: një treg ekonomik i përbashkët, një media e fuqishme mbarëkombëtare (si Al Jazeera), për një strategji të përbashkët në fushën e energjetikës, të bujqësisë, të shkëmbimeve tregtare, të bashkëpunimeve akademike e kulturore etj. etj.

Liderët shqiptarë komunikojnë mes vete si tribalët arbëror në Mesjetë (para Kuvendit të Lezhës), kur mungonte një kohezion i përbashkësisë dhe unitetit kombëtar. Nëse Gjergj Kastrioti i bëri bashkë këta tribalë, sot liderët shqiptarë po punojnë kundër frymës skënderbegiane të bashkëpunimit dhe bashkërendimit kombëtar. Mungon një autoritet moral (qoftë individ apo institucion) dhe një elitë e mirëfilltë intelektuale që do ta bënin lidershipin shqiptar të skuqej nga kjo tendencë e rrezikshme e përçarjes mes vete.

Mungon vullneti dhe gatishmëria e rinisë studentore për të imponuar një qasje dhe një frymë krejt tjetër nga kjo mendësi harbutçe e liderëve shqiptarë...

Mungon një diskurs profesional mediatik i cili nuk do të mbante as anë, as nuk do të ishte neutral, por do t’iu jepte orientim çështjeve...

Derisa të ngopemi me këto mungesa, një ditë të bukur me diell do të gdhihemi edhe më të vetmuar nëpër kasollat tona të vetbëngjes dhe vetasgjësimit.

Lini një Përgjigje