TAGS-AT E JAVËS

Forum 6 Korrik 2025, 10:53

“Kronika” nis mandatin e dytë, çfarë vjen pas verës?!

Shkruar nga Agron Gjekmarkaj

“Kronika” nis mandatin e dytë, çfarë vjen pas

Një brengë e madhe i mundon kolegët socialistë sidomos por edhe njerzinë mbarë, se a do të tregohet kronika mjaftueshëm bujare me personazhe si Zeqineja e Roskovecit që në Parlament vjen pasi sikterisi Maldritën e Lushnjës, Sara e Peqinit dhe Cërrikut që i duhet të zëvendësojë një estet të sharmit, veshjes harmonike e gjetjeve bizarre Dashin tonë...

Kam marrë shumë mesazhe këto ditë nga miqtë e kronikës, të cilëve në ethet e mëdha të fushatës që sapo kaloi mezi u pritej rikthimi i saj.

Madje njëri syresh më tha me gazep po durojmë o qerrata deri në shtator kur kronika të pasurohet me personazhet e rinj, që duket sikur janë krijuar fiks për të.

Ju rritë ndera, Zoti ja shtoftë erzin Babos teksa qëndiste listën e deputetëve bashkë me Borën, mendonte edhe për këtë platformë të humorit të lirë.

Madje ai po më kërkon ndihme kostante duke ja njohur autoritetin kësaj strukture të posaçme antiseriozitet për të kompozuar qeverinë e re, për të shuar epshe e ndezur ëndrra! Nuk ja bëj kurrë hallall që më largoi Mimi di Puccini-n, xha Pandin, e ndonjë tjetër!

Një brengë e madhe i mundon kolegët socialistë sidomos por edhe njerzinë mbarë, se a do të tregohet kronika mjaftueshëm bujare me personazhe si Zeqineja e Roskovecit që në Parlament vjen pasi sikterisi Maldritën e Lushnjës, Sara e Peqinit dhe Cërrikut që i duhet të zëvendësojë një estet të sharmit, veshjes harmonike e gjetjeve bizarre Dashin tonë, apo Ilva Gjuzin e katundeve të Tiranës, që Babo i ka caktuar detyrën të zëvëndësojë njeriun e Perendisë Tonin dhe brigadier Xhemalin xhanan burrë, që Peza dhe Dajti të mos mbeten kurrë pa nizam?!?

Disa të tjerë rrinë e mejtojnë për vendin që do të ketë në kronikë Neta e Patosit që me tortën “Belinda” ia doli të rrijë edhe 4 vjet në mejhanen e kuvendimit të halleve popullore, Dilo Nasufi sojliu i Beratit që e bren ndërgjegja si do t’ia bëjë pa shokët, Bafton, Petron, që ia morën këto zgjedhje, si do të duken Pirdeni e Lluka në banakun e qeverisë, Blendi Klosi që në Dibër iu thosh njerëzisë jam nga Klosi siç kam mbiemrin, Shalsi që së fundmi ka zbuluar origjinën e të parëve nga Hasi kushëri me Pjetër Bogdanin të dy poet?!

E mbi të gjitha si do i ndajë raportet e përfaqesimit në “Kronikë” mes Mamicës kadareane dhe Beles së pushtetit të vërtetë?

Apo si do i shkoqisë thërrimet Tao me Ulsinë, Nikoqiri me Damon, Vini me Buqeten gonxhe, Malaj me Vengun e vogëlith??

Po me Tezen sa mike e kam patur dikur e me bren ndergjegjia për darametet që i kam shtuar ç’do bëhet, kush do e ngushëllojë, ku do të jetë Ogi dhe mbi të gjitha çfarë do të bëjë Bora në shtator, e cila ëndërrat e verës i thonë që do të jetë prapë aty pranë Babos në ndonjë ofiq më të madh se helbete dikasteri i fëmijëve i rri i vogël shtatlartësisë së saj politike?

Në këtë lumë mendimesh të pështjelluara për personazhet e kronikës, sivllezërit e mi opozitarë duken indiferentë, megjithëse qejfi ua ka e xhani ua do kur kronika kujtohet për ta sidomos kur ua lavdëron betejat epike kundër Babos si luftëtarë të virtytit kundër vesit?!

Kryezëvëndës lider Muli një mik i beses dhe shefe Albana, megjithëse më pranojnë tashmë në mesin e tyre me ca doza dyshimi, më hodhën një shikim kritik në seancën e fundit, kur goja lëng më shkonte për një cope kek, si për të thënë bëre ç’bëre këto vite që iken, na thyeve zemrën tani thirri mendjes dhe lëri kronikat se shkojnë ca te Doktori e i thonë ja ai veç tallet!

Megjithese Doktori i njeh e respekton trillet e njerzve të fjales, narcizmin e tyre të padëmshem!

Lideri në perspektivë miku tjeter si zog dreqit Gazi i murretyer, rri mejtueshëm duke përgatitur arsenalin për t’i vënë zjarrin parlamentin e qeverisë së shtatorit, ndërsa Jorushi i Tabakëve ah Jorushi i Tabakeve ka shpallur kandidaturën për të qënë kryetare e komisionit europian, se jeta e saj humbet kuptimin pa histori negociatash, përafrimesh e përlargimesh, njerëzia ka vertetë halle të tjera, por motoja e PD “Shqiperia si gjithë Europa” e lë pa gjumë! Ajo pulit sytë e fle vetëm kur Shqiperia gërrhet e patrazuar!

Kronikës nuk i mungojnë sfiduesit, qortonjësit e ziliqarët! Një grua e mazhorancës më tha hoqe e vure ministra këta vjet por Etildën se mbajte dot deputete paçka se ja përkufizove melankolinë e pikëllimin për “Shqipërinë 2030”në Kuvend! Eh ja “Kronika” është si jeta histori suksesi e dështimesh!

Por, krahas miqve kronikës i janë ofruar këto kohë edhe disa aspirantë levender të vërtetë në profesionin e tyre, si Fatjon Binjaku, Mane Stafa, Ermal Syziu, Isë Myzyraj, Ardit Hoxha, Eridian Salianji apo Marash Logu, këshilltari jonë i ligjeve të botës së këndejme dhe andejmë që po i the shendet plaç ta kthen! Në pak vite do bëhet një Gaz Bardh i vertetë sidomos në dhëmshuri e marifet!

Everest Dedaj pasi u shfaq me dy pisqolla duke i hapur rrugën Gazit në Rinas ka rënë në dilemë të qëndrojë tek penda apo t’ja vërtisë me pushkë si mirditor zamani që është?! Qerratenj e qafirë të mëdhenj siç janë më shkruajnë shpesh, por gjithnjë fshehurazi sugjerime për kronikën.

I bren mendimi se po ta marrin lapsin e të shkruajnë vetë ndonjë kronikë, njerëzia nuk do t’i marrë seriozisht e ngaqë duan të duken shumë serioz e të ditur, me shikim të mprehtë e çehre të rëndë, nuk ia lejojnë vetes këtë liri të tepruar.

Vatani ka halle e ata ja qajnë ndaj duan të qeshin me harxhet e mia shejtanet!

Nuk janë si Kosta, të cilin dje e pyeta të të lë baxhier në ziafetin socialist, të tundesh llallë me dybek anipse akademik i vërtetë dhe Harvardist, apo të vë Genc Gjonçajn si më i dhënë pas punës fizke, si jo tha, nuk refuzohet kurrë një rol në Kronikë! Ja kësaj i them vetëdijë e lartë unë!

Autori i kësaj rrekeje që e di mirë se këtyre të uruarve u vlon dëshira që një ditë të jenë aty mes mejhanes së kuvendit popullor, nuk ua zë për të madhe dhe i pret me buzëqeshje sugjerimet e tyre që shpeshherë jo për kronikë, por nuk vlejnë as për diktim te klasat e Akademisë rilindase socialiste në orët e mësimit të presor Çuçit dhe zyshë Etildës.

Nejse, kështu duket se do ta çojë Kronika këtë verë me miq dhe aspirantë, personazhe të vjetra dhe të rinj, që të gjithë me merakun se si do i vejë halli kësaj pune dhe si do duket ajo në vjeshtë?!

Nga shtatori ajo fillon mandatin e dytë, pavarësisht se në fletën e votimit nuk e kishin vënë kronikën kandidat as në të mbyllur, e as në të hapur, kronika ishte e kudogjendur me autorin dhe personazhet e saj, ndërsa për votues ishin lexuesit e saj në gazeta, portale e rrjete sociale që padurueshem presin episodin e rradhës të kësaj hapësire gazmore në një sistem të ashper politik.

Kur e pyetën autorin e Kronikës gjatë zgjedhjeve në fshatin Ferrë Trashë të Mamurrasit ç’janë ato që shkruan, u përgjigj me droje për pyetjen gjysëm kurioze e gjysëm kritike se ato janë humor për të thënë gjëra shumë serioze. Për pak pritet të kthehet Ervin Salianji që si Robin Hudi jua merr të pasurve dhe u jep të varfërve, po ashtu edhe ai ku gjen të merzitur i gëzon dhe ku gjen të gezuar i mërzit, duke na dhuruar secilit shqetësimin që na duhet!

Hë doni më per Belulin dhe miqtë e tij?

Lini një Përgjigje