
Ndaj çdo debat brenda PD nuk e ndihmon dot Berishën. Nëse PD gjen 61 kandidatë qe janë të qartë antiberishë ajo mund të marrë vota dhe nga elektorati gri antiberishë dhe mund të dal me dinjitet. Nëse nuk e bëjnë këtë, nëse zhvillojnë teoritë e mos kandidimit apo kandidatëve laramanë, prap nuk e ndihmojnë dot Berishën.
Ndarja në Partinë Demokratike ka ndodhur. Dhe ka ndodhur për shkak të Sali Berishës.
Partia është ndarë në dy kampe pro dhe kundër tij. Spekulimi se Berisha ka më shumë dhe PD zyrtare më pak, është një perceptim që vjen nga 6 Marsi dhe akoma më shumë nga fakti që PD zyrtare ka ngrirë aktivitetin politik gjatë këtij viti.
Debati që bëhet tani në forumet drejtuese të PD zyrtare mbi mënyrën se si do të marrin pjesë në këto zgjedhje nuk është një debat që ka qëllim real të ndal përçarjen apo ndarjen e PD në dy pjesë.
Përçarja ka ndodhur me kohë. Është një gotë e thyer që nuk ngjitet më. Njerëzit e zemëruar me Sali Berishën tek PD por dhe rrotull PD janë një shumicë e konsiderueshme. Ndoshta nuk janë më shumë se sa mbështetësit fanatik të Berishës, por janë mjaftueshëm shumë që e asgjësojnë politikisht Sali Berishën. Janë varri që ai ka hapur vet para syve të tij.
Tani ky debati i disa krerëve politik në PD që të tregohen të mëshirshëm me Berishën dhe të mos i bien në qafë në zgjedhje është një gënjeshtër. Ata nuk e përfaqësojnë shumicën e heshtur kundër Berishës. Ata përfaqësojnë politikanë që s'dinë me kë të bëhen, por jo një elektorat që e di me kë nuk është.
Elektoratin antiberishë e përfaqësojnë vetëm ata që janë qartazi kundër Berishës. Dhe vetën ata mund ta vënë në lëvizje.
Deputetët apo politikanët që janë dhe me Berishën dhe me Bashën dhe me Alibeajn dhe me Këllëçin apo Boçin, në fakt janë njerëz që kërkojnë një strehë, por nuk janë njerëz që kanë mbështetje në bazë. Ata nuk i duan as berishistët as antiberishistët.
Baza është bardhë e zi kundër Sali Berishës. Ata që janë kundër Berishës si në Tiranë ashtu dhe në rrethe janë të qartë . Ata mund të dalin të votojnë vetëm për dikë që është një figurë e qartë antiberishë. Për cdo kënd tjetër ata nuk dalin nga shtëpia.
Ndaj çdo debat brenda PD nuk e ndihmon dot Berishën. Nëse PD gjen 61 kandidatë qe janë të qartë antiberishë ajo mund të marrë vota dhe nga elektorati gri antiberishë dhe mund të dal me dinjitet. Nëse nuk e bëjnë këtë, nëse zhvillojnë teoritë e mos kandidimit apo kandidatëve laramanë, prap nuk e ndihmojnë dot Berishën.
Votat antiberishë nuk shkojnë për Berishën. Ato ose rrinë në shtëpi ose shkojnë për dikë tjetër. Ndaj në të gjitha rastet ata nuk e ndihmojnë dot Berishën. Dhe për më tepër as ai nuk ua di për nder. Edhe sikur Lulzim Basha të votoj hapur pro Berishës, ai do ti thotë prapë “prej teje humba, se votove për mua”. Sido që të dal më 14 Maj ai do ti fajësoj ata që humbi për shkak të tyre.
Problemi është nëse këta do të ndjehen krenar për këtë gjë, apo do tu vij keq për Berishën. Ky është i vetmi debat.
Lini një Përgjigje