Ish-prokurori i “Mani Pulite” (Tangentopoli), Gherardo Colombo, sot publicist nuk ka dyshime: “Jo-ja fitoi me votën e të rinjve. Më bëri përshtypje se si kjo votë mbizotëroi në rajone që zakonisht janë më pak reaktive, apo që në zgjedhjet e fundit votuan masivisht për qendrën e djathtë”.
“Një fushatë e egër për delegjitimimin e magjistraturës u hodh poshtë nga miliona vota. U konfirmua besimi te magjistratura”. Gherardo Colombo, jurist, ish-magjistrat, prokuror në grupin e famshëm të "Tangentopoli-t" dhe sot publicist sheh te vota e të rinjve elementin më domethënës të rezultatit ku mbizotëroi “JO-ja” ndaj referendumit për reformën në drejtësi. Sipas tij, ata ishin të parët që perceptuan qëllimin real të reformës: kufizimin e pavarësisë së prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Sipas jush, çfarë i shtyu 14 milionë e gjysmë italianë të votonin kundër reformës së drejtësisë të propozuar nga qeveria?
Mendoj se pas kësaj vote fshihen shumë arsye. Së pari, italianët nuk dëshirojnë që të preket Kushtetuta. Pastaj mund të ketë edhe arsye të tjera më personale. Dikush mund të ketë qenë i pakënaqur me politikën në përgjithësi. Por të tjerë kanë hyrë në brendësi të temës. Të tjerë akoma menduan: Kjo reformë m’u imponua, prandaj do të votoj “Jo”.
Pjesëmarrja prej 59 për qind ishte e papritur. Shumë thoshin se do të votonin pak njerëz përballë një reforme tepër teknike…
Pati një shtysë shumë të fortë drejt votimit, e cila besoj se erdhi nga disa faktorë. E para, siç e thashë, lidhet me faktin se italianët mobilizohen për Kushtetutën. Ndoshta nuk e njohin në detaje, por e ndiejnë si të tyren. Por ka edhe nuanca të tjera.
A u teprua duke i dhënë një kuptim që kjo reformë nuk e kishte? A ndikoi këmbëngulja për ta arsyetuar reformën duke pretenduar se ajo do të shërbente për të pasur një drejtësi më të mirë? Ky qëndrim provokoi reagime negative.
Gjatë fushatës pati edhe deklarata të diskutueshme. Ministri i Drejtësisë cilësoi si “paramafiozë” anëtarët e CSM-së (Këshilli i Lartë i Magjistraturës). A ka në këtë votë një refuzim të kësaj qasjeje?
Disa deklarata të qeverisë dhe shumicës, e kam fjalën për ministrin apo deputeten Matone, ose vetë kryeministren Georgia Meloni, mund të kenë ndikuar negativisht me deklaratat e tyre. Ato mund t’ua kenë bërë të qartë zgjedhësve një mospërputhje mes arsyeve formale dhe motiveve thelbësore të reformës.
Nga ana tjetër, çfarë bëri diferencën te fronti i “JO-së?
Një element me rëndësi ishte vota e të rinjve, më të favorshmit nga të gjithë për “JO-në”. Po të shohësh të dhënat, vëren se sa më shumë rritet mosha, aq më shumë afrohemi drejt një avantazhi të lehtë të “PO-së”.
Ndoshta të rinjtë perceptuan një mospërputhje në mënyrën se si u prezantua reforma. Si një lloj ndryshimi në emër të progresit, por ndaj një Kushtetute që është vetë simboli i shkëputjes nga e kaluara. Ata e kuptuan se qëllimi ishte kufizimi i pavarësisë së magjistraturës.
Të dhënat tregojnë se pati edhe një votë nga e djathta në favor të “JO-së”, shumë më e lartë se vota e së majtës për “PO-në”...
Elektorati është kompleks, ka qëndrime të ndryshme. Besoj se edhe në partitë e djathta ka nga ata që mendojnë se magjistratura duhet të jetë në gjendje të kryejë punën e saj edhe ndaj krimeve të kryera nga njerëz me pushtet.
A nuk mendoni se ky referendum pati edhe një domethënie të qartë politike? Një ndëshkim ndaj qeverisë?
Unë nuk bëj vlerësime politike. Nëse e keni fjalën nëse vota shprehu një gjykim përtej ndërhyrjes në magjistraturë, personalisht më bëri përshtypje se si ”JO-ja” mbizotëroi në rajone që zakonisht janë më pak reaktive, apo që në zgjedhjet e fundit politike votuan në shumicë për qendrën e djathtë.
Le të kalojmë te përmbajtja. A mund të lexohet ky rezultat si një dëshmi besimi ndaj magjistraturës?
Dikush bëri një batutë: ky referendum na tregoi nëse italianëve u rrinë më shumë “në stomak” magjistratët apo politikanët. Përgjigjja nuk është se në fund magjistratët janë më simpatikë se politikanët. Mbizotëroi diçka tjetër. Nuk po them simpatia, që mund edhe të mos ekzistojë, por besimi. Pati një fushatë të fortë delegjitimimi ndaj magjistraturës dhe kjo nuk u miratua. Dhe nuk dështoi për pak, por me një diferencë prej miliona votash.
Si i përgjigjeni kritikave të atyre që thonë se referendumi konfirmon se magjistratura është e pareformueshme?
Them se duhen bërë reformat e duhura. Dhe reformat e duhura janë ato që e bëjnë magjistraturën të funksionojë më mirë. Çdo gjë është e përsosshme dhe ka aspekte që mund të përmirësohen shumë, dhe që lidhen mbi të gjitha me mjetet dhe instrumentet që Ministria e Drejtësisë - pra politika - ka për detyrë t’i vërë në dispozicion të drejtësisë.
Çdo gjë mund të përmirësohet edhe sa u përket temave që preku reforma?
Po ju jap shembullin e drejtësisë disiplinore. Propozohet krijimi i Gjykatës së Lartë sepse thuhet se drejtësia disiplinore funksionon keq. Unë besoj se drejtësia disiplinore e magjistratëve është në rregull. Madje funksionon pak më mirë se ajo e profesioneve të tjera.
Mendoj se verifikimi i sjelljeve disiplinore në Itali është i vështirë në çdo profesion, për arsye të thella kulturore. Do të ishte e nevojshme të ndërhyhej në radhë të parë në nivel edukativ. Sidoqoftë, magjistratura ka ditur të sanksionojë.
Për shembull, ata që mbetën të përfshirë në skandalin e “Hotel Champagne” (gjë që me sa di unë nuk e ka bërë politika). Dhe dëshiroj të kujtoj se Ministri i Drejtësisë mund të ushtrojë veprimin disiplinor, që përfshin edhe mundësinë për të ankimuar vendimet e CSM-së. Nëse e sheh të arsyeshme, le ta ushtrojë më shpesh.
A ka ndonjë aspekt të reformës ku mund të rikthehet politika?
Sigurisht, por duhen bërë reflektime të thella, të artikuluara dhe të drejtuara drejt zgjidhjeve efektive. Sepse të ankohesh është diçka që arrihet me lehtësi të madhe, ndërsa të projektosh është një gjë pak më shumë komplekse.
Nëse i druhemi peshës së tepërt të rrymave në qasjen drejt CSM-së, mund të modifikohet ligji përkatës. Për shembull, duke u dhënë më shumë rëndësi lidhjeve të kandidatëve me territorin./Pamfleti nga “Huffington Post Italia”
Lini një Përgjigje