Kronike16 Qershor 2024, 11:33

10 mijë euro për një vizë amerikane, Prokuroria e Tiranës dërgon për gjykim 5 mashtruesit

Shkruar nga Pamfleti
10 mijë euro për një vizë amerikane, Prokuroria e
Renato Nastro

Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim 5 personat e akuzuar për mashtrim me vizat amerikane dhe kontrabandim të njerëzve.

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim 5 të pandehur, të arrestuar për mashtrime me vizat amerikane në shkurt të këtij viti.

Prokuroria e Tiranës dërgoi për gjykim Renato Naston, Klea Priftin, Klaudio Leçinin, Klaus Kapedanin, Xhemal Seserin dhe Eduart Gjinin, i cili është ende në kërkim.

Siç bën me dije policia dhe prokuroria, njëri prej autorëve përfitoi shumën prej 10 mijë eurosh me premtimin për të lëshuar viza për në SHBA, me formularë të rremë.

Renato Nasto nëpërmjet rrjetit social “Instagram” reklamonte aktivitetin e tij të paligjshëm, me emrin “viza_amerikane_insider”.

Në faqen në instagram, Nasto shkruante edhe mesazhet ku shprehej: “viza Amerikane me garanci 100%. Ne garantojmë pajisjen me viza Amerikane 10-vjeçare. Ju paguani vetëm pasi viza t’iu aprovohet.”

Kjo ishte metoda si ai gjente klientët dhe më pas bënte procedurat për aplikimin e vizave.

Disa nga të dyshuarit kanë përdorur/paraqitur informacione dhe formularë me të dhëna të rreme, me qëllim për t’u kualifikuar për kategori të caktuara vizash amerikane.

I dyshuari kryesor për këto raste është Renato Nasto ndërkohë personat e tjerë sipas policisë janë persona që kanë aplikuar për viza amerikane, pra janë drejtuar tek Renato Nasto dhe ky i ka ndihmuar personat aplikantë të falsifikonin të dhënat e formularëve elektronikë në aplikimin për vizë amerikane me të dhëna të rreme, që aplikanti për vizë të kishte një profil kualifikues.

Sipas policisë Renato Nasto, paraqitej ditën kur aplikantët kishin intervistën në konsullatë, në Ambasadën Amerikane për marrjen e vizës. Ai i shoqëronte dhe i udhëzonte se si të silleshin gjatë intervistës. Pasi ata përfundonin intervistën, në rast se kulifikoheshin (mernin vizën) Renato Nasto merrte shumën prej 10.000 Eurosh.

Renato Nasto më herët deklaroi para Gjykatës së Tiranës se nuk ka kryer asnjë shkelje, por ka ndihmuar qytetarët me aplikimet për vizat amerikane duke u marrë pagesën në përfundim të procedurave.

“Nuk kam kryer asnjë shkelje të ligjit, kam ndihmuar qytetarët që të bënin aplikimin për vizë, ata të cilët nuk kishin mundësi t’i bënin vetë, me vlerë 100-150 Euro. Nuk janë të vërteta pretendimet e Prokurorisë. Aktualisht punoj edhe si taksist për të rritur të ardhurat e mia”, ka thënë ai para trupës gjykuese.

Mbi 6 anëtarët e këtij grupi, njëri prej të cilëve është në kërkim, rëndon 3 akuza për “Mashtrim”, “Falsifikim i vulave, stampave dhe formularëve” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.