TAGS-AT E JAVËS

Kronike 1 Korrik 2026, 14:07

Alessandro Ungaro, "Perandori" i Forex-it në Shqipëri, vijon zhvatjet me ortakët, "komshi" me SPAK-un

Shkruar nga Pamfleti

Alessandro Ungaro, "Perandori" i Forex-it në Shqipëri, vijon

Cafe Momus, lokali në Rrugën Panorama, është baza kryesore nga ku operojnë ortakët shqiptarë të italianit Alessandro Ungaro, fare ngjitur me godinën e SPAK-ut 

Pas zbarkimit të gjermanëve dhe austriakëve, kur shumë call center u rrëzuan si kulla letrash, një mafioz italian vazhdon të qeshë në heshtje. Alessandro Ungaro, themeluesi i Smartcom dhe arkitekti i një perandorie të tërë Forexi të paligjshëm, nuk vepron më me duart e tij. Nëpërmjet "nxënësve" shqiptarë, ai vazhdon operimin nga zyrat luksoze të Rrugës Panorama, fare ngjitur me godinën e SPAK-ut dhe Bankën e Shqipërisë.

Alessandro Ungaro, shtetasi italian i lindur më 2 shtator 1958 në Montignoso të Massa-Carrarës, është perandori i padiskutueshëm i Forexit shqiptar. Me ardhjen në Shqipëri në vitin 2013, themeloi Smartcom, kompania e parë që do të shërbente si petk për një aktivitet mashtrues që do të zgjaste më shumë se një dekadë. Por pas goditjeve të shumta dhe tërheqjes së pjesshme nga administratorët direkt, "perandori" nuk u zhduk. Thjesht ndryshoi taktikë.

Ish-punonjës dhe bashkëpunëtorë shqiptarë të tij, të identifikuar si B.M dhe A.R dhe të stërvitur mirë në artin e mashtrimit, kanë marrë drejtimin e operacioneve në terren. Këta "nxënës" të kthyer në bosë call centerash vazhdojnë të njëjtin aktivitet mashtrues, me të njëjtat premtime jorealiste: depozito 250 euro dhe bëhu milioner. Baza kryesore e tyre është Cafe Momus, një lokal në Rrugën Panorama, por në të njëjtin kompleks ndodhen edhe MOMUS, LIS Medical dhe Skydental. Të gjitha këto kompani lidhen me të njëjtin rrjet, të gjitha operojnë nën hijen e drejtësisë shqiptare, komshi me SPAK dhe BKH. Pamfleti po heton personat e përfshirë dhe do të publikohen në një artikull tjetër.

Rrjeti offshore i "perandorit" të FOREX

Ungaro nuk është thjesht një biznesmen italian. Arkitekti i një rrjeti të tërë kompanish, të shtrira mes Shqipërisë dhe Qipros, funksionojnë si një labirint për të fshehur paratë dhe për të shmangur ligjin.

Në Qipro, Ungaro regjistroi SMARTCOM PROMOTING (CYPRUS) LTD, një kompani offshore e lidhur ngushtë me Capital Index (Cyprus) Ltd., Green Cola Ltd., M.A.P. Corporate Services dhe PMG Islandserve Nominees Ltd. Emrat e D.Plati dhe S.P figurojnë në këtë rrjet, si nominee dhe administratorë të kompanive që shërbejnë si mbulesë për miliona euro të qarkulluara jashtë kontrollit.

Alessandro Ungaro, "Perandori" i Forex-it në Shqipëri, vijon

Në Shqipëri, Ungaro themeloi në vitin 2016 AM Holding, strukturën zotëruese mbi të gjithë perandorinë. Nëpërmjet saj, kontrollohen, drejtpërdrejt ose tërthorazi, kompani të tëra. Por emri i tij zyrtarisht si administrator shfaqet vetëm te Kokoshka. Pjesa tjetër e rrjetit mbahet përmes personave të tjerë: D.K, S.M, A.M, B.M, A.R.

Pesë kompani të ndryshme në Tiranë, të gjitha të lidhura me telemarketing dhe brokerim financiar të palicencuar. Dhjetëra milionë euro të qarkulluara çdo vit. Qindra gjurmime nga FBI, FIU dhe institucionet e Komunitetit Europian. Aktiviteti i brokerimit financiar ushtrohet pa licencë nga AMF, ndërsa regjistrimi i objektit "brokerim" në QKB dyshohet se është bërë me dijeninë e një punonjësi të korruptuar.

E megjithatë, perandoria qëndron në këmbë.

Ungaro i ka mbijetuar aksioneve të shumta. Ka parë si u rrëzuan call center-at e tjerë pas zbarkimit të hetuesve gjermanë dhe austriakë, por "perandori" dhe "nxënësit" e tij vazhdojnë të operojnë nga Rruga Panorama, pothuajse ngjitur me godinën ku ndodhet SPAK-u dhe BKH-ja.

Për këtë perandori nuk dihet se sa kohë do të vazhdojë të qeshë në heshtje, apo nëse SPAK-u do të ndërmarrë më në fund veprime konkrete kundër një rrjeti që operon hapur në zemër të Tiranës. /Pamfleti

Lini një Përgjigje