Kronike 8 Dhjetor 2023, 19:06

Koka e trafikut të kokainës dhe heroinës në Evropë, arrestohet në Kosovë "Baroni i drogës" Gëzim Çela

Shkruar nga Pamfleti
Koka e trafikut të kokainës dhe heroinës në Evropë,
Gëzim Çela

Çela, i njohur si ‘baroni i drogës’ akuzohet për trafik droge dhe grup kriminal, ai ishte shpallur në kërkim me urdhër të SPAK.

Është arrestuar në Kosovë Gëzim Çela, ish-punonjësi i policisë i konsideruar si një prej kokave më të mëdha të trafikut të kokainës dhe heroinës në Evropë.

Çela, i njohur si ‘baroni i drogës’ akuzohet për trafik droge dhe grup kriminal, ai ishte shpallur në kërkim me urdhër të SPAK.

Kujtojmë se me 9 tetor të këtij viti, Prokuroria e Posaçme në bashkëpunim me policin zhvilluan një operacion antidrogë dhe rrethuan banesën dhe lokalin në Fushë-Kuqe të Çelës, pas informacioneve të marra se ai mund të ndodhej aty.

Por pavarësisht se policia u nis të arrestonte dy personazhet e njohur të botës së krimit, Gëzim Çela dhe Arben Dalipaj, asnjëri prej tyre nuk u kap gjatë këtij operacioni.

Ky aksion ishte vijimi i operacionit “Flakë në det”, që u zhvillua në muajin gusht. Në atë operacion u arrestuan 4 shqiptarë dhe ukrainas, pasi po shkëmbenin drogë në det. 

Nga hetimet rezultonte se të përfshirë kishin qenë dhe shtetasit: Gëzim Çela banues në Fushë Kuqe, Arben Dalipaj banues në Vlorë, Roland Guza, banues në Durrës dhe Dritan Metaj, me detyrë shef i Komisariatit të Policisë Laç. 3 të parët nuk u gjetën nga policia kështu që u arrestuar vetëm shefi i komisariatit.

Por kush është Gëzim Çela?

Në qershor të vitit 2014 policia shqiptare dhe ajo kosovare shkatërrouan një grup të strukturuar kriminal, i cili trafikonte droga të forta nga Turqia drejt Europës Perëndimore, përmes edhe territorit shqiptar.

Në pikën kufitare të Morinit në Kukës u arrestua shtetasi, Erald Hysolli, me 7 kilogramë kokainë. Ai luante rolin e korrierit të drogës që kishte marrë në Prishtinë. Në të njëjtën kohë në Prishtinë u arrestuan në flagrancë 3 persona, si u sekuestruan 50 kilogramë kokainë dhe heroinë.

Kurse gjatë kontrolleve të ushtruara në shtëpinë e Gezim Çelës në Fushë Kuqe të Mamurrasit, u gjetën 18 kiliogramë heroinë, 150 kilogramë kanabis sativa. Si dhe u sekuestruan 9 armë, 3 snajpera, granata dhe makina të blinduara.

Çela u lirua nga gjykata shqiptare me argumentit se ai vuante nga një sëmundje e rëndë. Më pas ai u arrestua se kishte falsifikuar kartelën mjekësore dhe u la në “arrest shtëpie”. Por kur policia ka rrethuar shtëpinë e Çelës në Mamurras ai nuk ishte.

Kur mbërrinte në Shqipëri droga dërgohej në shtëpinë e Gëzim Çelës, në Fushe Kuqe. Nga ku kishte si destinacion final vendet e Perëndimit. Gjatë kontrollit në shtëpinë e Çelës, policia ka mundur të sekuestrojë 20 bidona açeton dhe 500 litra perzierës. Çela e kishte shndërruar vilën e familjes në laborator për përzierjen e drogës. Çela u shpall në kërkim si kreu i këtij rrjeti të trafikut të drogës.

Për Çelën ekziston një dënim nga gjykatat italiane me 11 vite burg dhe 150 mijë euro gjobë, për trafik droge. Ndërkohë tek ne është dënuar me 20 vite burg. Para 1997-ës, Çela ka qenë oficer i Forcave Speciale./Pamfleti

Çela arrestohet