
Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për autorin e masakrës në Shkodër, Ragip Gila. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se autori nuk ka rrëfyer asgjë dhe nuk ka folur para hetuesve.
Ai akuzohet për vrasjen e Armando Palit dhe Liridon Kraja (Lushi), si dhe plagosjen e Erogen Vaso (Brajoviq) dhe të Meri Kaceri.
Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e 8 shtatorit, në ambientet e jashtme të një lokali pranë Bashkisë Shkodër. Gila do njihet me masën e sigurisë, teksa prokuror i çështjes është Pjerin Çukaj.
Kujtojmë se më 8 shtator, Ragip Gila me skanfandër në kokë dhe armën në duar kreu masakrën në qendër të Shkodrës, me 2 viktima dhe 2 të plagosur.
Nga atentati ku u shkrepën 27 plumba, mbetën të vdekur shtetasit Armando Pali, ish-anëtar i këshillit bashkiak dhe 31-vjeçari Liridon Kraja, si dhe u plagosën, Erogen Vaso dhe kamarierja 25-vjeçare Meri Kaceri.
Pas arrestimit, autori i dyshuar, 29-vjeçari Gila ka deklaruar përpara oficerëve të policisë se objektivi i tij ishte Erogen Vaso.
“Objektivi im ishte vetëm Erogen Vaso pas një problemi personal me të. Erogen Vaso ka ndenjur duke më kërcënuar dhe kisha probleme me të. Më ka bërë si i fortë dhe më ka çuar fjalë. E kam patur personale vetëm me të dhe doja të qëlloja vetëm atë. Pra kam patur probleme personale me të”, tha Gila.
Grupi hetimor ka pikëpyetjet e veta mbi këtë dëshmi dhe po vijon hetimet, pasi dyshon që 29-vjeçari të jetë paguar për krimin në fjalë. Për këtë qëllim janë sekuestruar pamjet e sigurisë në disa pika qytetit për të parë lëvizjet e tij, jo vetëm ditën e krimit, por edhe disa ditë më parë.
Nga ana tjetër Erogen Vaso, një nga të plagosurit e atentatit, i dyshuar si shënjestra e tij, reagoi nga spitali ku pasi shprehu ngushellimet për jetën e humbura të miqve të tij, tha se ja lë drejtësisë zbardhjen, duke hedhur poshtë aludimet e tjera.
“Distancohem plotësisht nga informacione që lidhin personin tim me emra dhe grupe të caktuara në Shkodër. Jam informuar në spital që autori është ndaluar dhe shpresoj të zbardhen sa më shpejt motivet e këtij akti të rëndë tragjik! Sa për lidhje të tjera që aludohen në media sqaroj se duhen lënë institucionet e ligjit të trajtojnë këto çështje”, tha Vaso.
Lini një Përgjigje