TAGS-AT E JAVËS

Kronike18 Nëntor 2025, 20:10

Detaje nga atentati në Rinas, Toyota’ qëndronte pak sekonda larg shënjestrës; ja pse për pak u prishën planet e togës së autorëve

Shkruar nga Pamfleti

Detaje nga atentati në Rinas, Toyota’ qëndronte pak sekonda larg

Është rindërtuar skema e atentatit të ndodhur në Rinas, ku humbi jetën Gilmando Dani dhe shoqëruesit i tij Muçi Shaljani.

Nga pritja e autorëve me makinën e tyre tip “Toyota” vetëm pak sekonda larg viktimës, te informatorët dhe “tradhtia” që iu bë Gilmando Danit, i cili më parë kishte mundur t’u shpëtonte dy atentateve, gjithçka sqarohet në investigimin e emisionin.

Pjesë nga dokumentari:

Në atentatin i gjithë përpilimi i aktit final, atij të ekzekutimit të Gilmando Danit, ndodh në harkun kohor të tri minutave, nga dalja e makinës me të cilën ai udhëton nga parkingu i jashtëm i aeroportit deri në rrethin e parë jashtë terminalit, ku po e presin qitësit.

“Pasi makina ku udhëtonin Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, ka dalë nga parkingu i jashtëm i aeroportit ku ishte parkuar për disa ditë, në orën 14.15 min automjeti ka vazhduar lëvizjen në drejtim të rrethrrotullimit të Rinasit”, thuhet në dosjen hetimore.

Është pikërisht këtu, që siç shikohet edhe nga pamjet e siguruara nga emisioni ‘Në Shënjestër’, momenti kur automjeti ‘Mercedes Benz’ i bardhë me të cilën lëviz Gilmando Dani, në vendin e pasagjerit dhe Muçi Shaljani në drejtimin e mjetit, bien e pre e bataresë së pambarimtë të plumbave na tre persona të maskuar të cilët dalin nga një automjet ‘Toyota’ dhe qëllojnë me kallashnikovë në drejtim të makinës së shënjestrës së tyre.

Një makinë e cila sikurse shikohet fillimisht qëndron e palëvizur për rreth 18 sek në krah të rrethit, në pamje përballë me atë të fasadës së aeroportit.

Aty ku në këtë moment ka filluar të lëvizë drejt rrethit makina me të cilën udhëton Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani.

Makina e autorëve që siç shikohet më pas lëviz me shpejtësi në krahun tjetër të rrethit, pa e marrë atë të plotë. Duke u pozicionuar tashmë në gjurmën e trajektores që do marrë makina e viktimave të tyre.

Gjë që kuptohet edhe nga lëvizja e tyre e shpejtë, që tregon se tashmë makina ku ndodhej objektivi ishte vetëm një frymëmarrje larg, makinë e cila referuar edhe kronometrit, është vetëm 22 sekonda pas shpinës së tyre.

Tre qitësit sapo shikojnë që automjeti ‘Mercedes Benz’ i bardhë afrohet në rrezen e pasqyrës së automjetit të tyre, dalin nga dyert e pasme dhe të parme dhe nisin të qëllojnë pa pushim mbi makinën e shënjestrës, me të cilën udhëton Dani dhe Shaljani, që në këtë moment kryen një lëvizje të sforcuar për t’ju shmangur plumbave të shumtë që tashmë kishin depërtuar në brendësi jo vetëm të makinës por edhe të mishit të tyre.

Atentatorët fillimisht gjuajnë pa lëvizur nga vendi. Plumbat derdhen furishëm në krahun e pasagjerit, ku ndodhet Gilmando Dani, që është edhe shënjestra e vërtetë e atentatit.

Por që manovra e makinës duket se prish për momentin planet e togës së ndëshkuesve, të cilët shikojnë makinën e gjahut të tyre t’u ikë nga rrezja e veprimit dhe të ndalojë në krahun tjetër të rrethit.

Një manovër të cilën ata nuk e kishin parashikuar, pasi ndërsa tre qitësit kthehen në automjetin e tyre, një thirrje ndoshta e brendshme i vendos dy prej tyre edhe njëherë në aksion.

Ndoshta ende të pabindur se e kanë asgjësuar totalisht objektivin e tyre.

Një nga qitësit i cili ndërsa shkëputet nga grupi kryesor, merr rrugën në këmbë në tentativë për të qëlluar edhe njëherë ndaj makinës në të cilën ndodhen Dani dhe Shaljani, por që kthehet në mes të rrugës dhe merr një armë, me siguri një pistoletë, të cilën nga sa shikohet ia sjell një nga qitësit e togës së pushkatimit.

Qitësi i dytë të cilit gjatë shkëmbimit të armëve, nga sa shikohet arma i bie nga dora.

Ndërsa atentatori i parë përfundon misionin, duke u afruar dhe qëlluar në dritaren e pasagjerit të automjetit ‘Mercedes Benz’, ku ndodhet i ulur Gilmando Dani.

Aksion i cili zgjat jo më shumë se 1 minutë e 20 sekonda.

“Në orën 14:15 një automjet ‘Toyota’ me targa greke hyn sërish në rreth dhe ndalon në rreth rrotullim, në anën tjetër të rrugës, nga krahu i terminalit të vjetër.

Pak sekonda më pas, nga ky automjet zbresin tre persona të maskuar dhe të armatosur në dukje me armë të gjata, si ato kallashnikov, të cilët njëkohësisht qëllojnë me armë zjarri në drejtim të automjetit të markës ‘Mercedes Benz’ me ngjyrë të bardhë me targa AB 099 UO (me të cilët lëviznin shtetasit Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani).

Sikurse vihet re më tej një prej tre personave të armatosur lëshon në tokë armën e gjatë (kallashnikov), dhe afrohet pranë mjetit ‘Mercedes Benz’.

Dhe pasi nxjerr nga brezi një armë të shkurtër (pistoletë) qëllon në distancë të afërt në drejtim të derës së parë nga ana e pasagjerit (ku rezulton se ndodhej i ulur viktima Gilmando Dani).

Menjëherë më pas të tre autorët shikohen teksa ngjiten në automjetin e markës ‘Toyota’ me targa të huaja, që drejtohej nga një tjetër person dhe largohen duke lëvizur në të njëjtin drejtim, si në ardhje.

Ku si pasojë e të shtënave ka mbetur i vrarë shtetasi Gilmando Dani (pasagjer) si dhe është dëmtuar rëndë drejtuesi i automjetit shtetasi Muçi Shaljani”, thuhet në dosjen hetimore.

Sipas të dhënave të para, menjëherë pasi kryen atentatin, makina me autorët thuhet se lëvizi drejt Fushë-Krujës, për t’u gjendur e djegur vetën disa minuta më pas në fshatin Halil të Krujës.

Në një zonë të thepisur, ku ishte e vështirë ndërhyrja e policisë dhe e zjarrfikëseve, automjet ku pas shuarjes së flakëve u gjendën tre armë zjarri kallashnikov, të cilat mendohet se u përdorën nga autorët gjatë ekzekutimit të Gilmando Danit dhe mikut të tij Muçi Shaljani.

“Menjëherë pasi realizuan qëllimin kriminal të vrasjes së Gilmando Danit, tre autorët hipën në automjetin e markës ‘Toyota’ me targa greke, që drejtohej nga një tjetër person dhe u larguan duke lëvizur në drejtim të rrugës së vjetër (rruga e hurmave) që lidhet me aksin Fushë Krujë-Vorë.

Në orën 15:01, në vendin e quajtur fshati Halil, është konstatuar duke u djegur një automjet.

Po për shkak të terrenit të thyer, nuk u bë dot e mundur vajtja në vend e mjeteve zjarrfikës dhe shuarja në kohë e flakëve, çka për pasojë solli edhe djegien plotësisht të automjetit.

Gjatë kqyrjes së këtij automjeti të djegur, brenda tij, u gjetën dhe u fiksuan në cilësinë e provës materiale: 3 armë zjarri të djegura, model automatik kallashnikov; një djep luajtës i një arme pistoletë i djegur së bashku me tytën në vendin e saj ku shikohet mbishkrimi Glock 23 Austria 40; 6 copë krehër të djegur dhe të dëmtuar në dukje si ato që përdoren për armët kallashnikov; 1 krëhër pistolete i djegur dhe i dëmtuar, si dhe 2 targa me mbishkrimin XZX1059 të djegura”, thuhet në dosje.

A ishte gjithçka kaq perfekte sa thuhet?

A mundeshin t’i shpëtonin një prite të tillë kaq e detajuar sa të llogarisnin edhe krahun nga ku do lëvizte makina dhe shënjestra e tyre, pa gabuar në asnjë levizje, madje duke marrë kohën e duhur për t’i shkuar deri në fund qëllimit të tyre final, eleminimit me çdo kusht të “presë” së tyre.

Pa gabuar pavarësisht aftësisë që tregoi drejtuesi i automjetit për ta devijuar makinën në një kënd larg togës së qitësve që duket se ishin pajisur me urdhërin e qartë të vdekjes, atë që objektivi nuk duhet të dilte i gjallë nga makina.

Ashtu sikurse bënë dhe u pa edhe në pamjet filmike të siguruara nga emisioni ‘Në Shënjestër’, ku pavarësisht zhvillimit të shpejtë të dinamikës së ngjarjes, autorët morën gjithë kohën e duhur për t’u afruar edhe njëherë dhe për ta qëlluar në kokë, gjahun e tyre.

Sikurse rezultoi edhe autopsia mjeko-ligjore, ku njëri nga plumbat e kishte marrë në kokë Gilmando Danin, personazh, që kishte bërë histori në botën e krimit shqiptar dhe njihej si një nga eksponentët më të ngushtë të Emiljano Shullazit, madje deri aty sa cilësohej si krahu i tij i djathtë.

Gilmando Dani i kishte shpëtuar edhe dy atentateve të mëparshme, ne vitin 2011 dhe 2015,

por që këtë herë nuk mundi t’u shmanget plumbave të shumtë që u derdhën ndaj makinës me të cilën ai udhëtonte, bashkë me mikun e tij, efektivin e policisë, Muçi Shaljani, alias Mustafa Sheqeri, i cili ndërsa doli i gjallë nga makina, humbi jetën, katër ditë më pas, mëngjesin e datës 15 nëntor në spitalin e Traumës në Tiranë, pasi kishte marrë 8 plumba në trup dhe dy në kokë.

Muçi Shaljani, Agjent në Agjencinë e Mbikqyrjes Policore, detyra e të cilit pavarësisht se ishte të ndjekë dhe të survejojë policët që janë në shkelje të ligjit, apo që kanë kontakte të papërshtatshme me elementë kriminalë, këtë ditë të atentatit ndaj makinës me të cilën ai lëvizte, ishte në shoqërinë e një prej kontigjentëve më të rrezikshëm kriminalë në Shqipëri gjë që me siguri ai duhet ta dinte. Gilmando Dani nuk ishte një emër që i përkiste krimit ordiner, por një bande që ishte marrë me kërcënime, gjobvënie deri edhe vrasje.

Por si ranë në pritë 47- vjeçari Gilmando Dani dhe agjenti i AMP-së, 42 vjeçari, Muçi Shaljani.

Cili ishte itinerari i tyre i përbashkët, dhe kush kishte informacion mbi lëvizjet e tyre?

U tradhtuan nga brenda grupit, apo nga strukturat e inkriminuara të policisë?

Për herë të parë emisioni ‘Në Shënjestër’ do të përpiqet të hedhë dritë mbi anën e padukshme të një ngjarje, e cila duket se do të përpijë edhe shumë emra të tjerë brenda radhëve të policisë së Shtetit.

Një krim i cili ka cënuar rëndë jo vetëm rendin publik por edhe sigurinë kombëtare.

Kjo, sepse ndodhi pikërisht në një nga pikat më strategjike të vendit.

Në Aeroportin e Rinasit, që mendohet të jetë jo vetëm më i survejuari, por edhe më i mbrojturi përsa i përket elementëve të sigurisë.

Por çuditërisht në këtë ditë rrugët rreth tij ishin më të braktisurat nga efektivët e policisë.

Ndërkohë që ajo që duket edhe më absurde është fakti se siguria publike në këtë perimetër i është lënë në dorë komisariatit të vogël të Krujës, rreth 17 km larg nga aeroporti, komisariat që u njoftua i pari në lidhje me ngjarjen.

Dhe më absurde është po të mendosh që ndërsa makinat e policisë vinin nga Kruja, ato duhet të jenë shkëmbyer rrugës me atë të vrasësve, të cilët zgjodhën pikërisht zonën e Krujës për të djegur automjetin dhe armët e përdorura në krim.

“Më datë 11 Nëntor 2025, Salla Operative e Policisë Krujë, ka marrë njoftim se në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Rinasit, persona të paindentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti me targa AB 099 UO, brenda të cilit ndodheshin të dëmtuar rëndë dy persona, konkretisht Gilmando Dani 47 vjeç dhe Muçi Shaljani, alias Mustafa Sheqeri, 42 vjeç”, thuhet në dosjen hetimore.

Edhe pse në fillim ishte e paqartë dinamika e lëvizjes së dy personazheve të rënë pre e këtij atentati, ku lajmet e para që qarkulluan ishin se Muçi Shaljani e kishte pritur jashtë aeroportit mikun e tij Gilmando Dani, që sipas informacioneve sapo kishte zbritur nga një fluturim që vinte nga Spanja, shpejt grupi hetues mundi të zbulojë lëvizjen e përbashkët të tyre.

Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani që doli se kishin udhëtuar së bashku drejt vendit iberik, dhe më konkretisht drejt Barcelonës, dhe po së bashku ishin kthyer nga aty më datë 11 Nëntor rreth mesditës.

Një odise që ndodh rëndom me linjat e fluturimit loë coast, që i kishte ndjekur edhe ata, të cilët ndërsa duhet të zbrisnin një ditë më herët në Rinas, fluturimi ishte anuluar dhe për pasojë u ishte dashur të ktheheshin në Shqipëri, një ditë më vonë nga data në biletën e kthimit.

Pra më datë 11 Nëntor, dita kur ranë edhe në plumbat e togës së pushkatimit që i priste jashtë perimetrit të aeroportit, mesa duket me informacione shumë të sakta, mbi lëvizjet e viktimave të tyre të ardhshme.

“Më datë 11 Nëntor 2025, Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, alias Mustafa Sheqeri, rezulton se kanë udhëtuar së bashku me avion nga Barcelona/Spanjë në drejtim të Tiranës. Dhe pasi kanë zbritur në Aeroportin ‘Nënë Tereza’, Rinas, ata kanë hipur dhe udhëtuar po së bashku në automjetin e markës ‘Mercedes Benz’ me targa AB 099 UO, që ndodhej i parkuar në parkingun e jashtëm, brenda rrethimit të Aeroportit”, thuhet në dosje./ Në shënjestër

Lini një Përgjigje